Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 14-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Agjenda e aktiviteteve të Partisë Demokratike të Kosovës:

10:40 – Në Prizren përurohen projekte infrastrukturore, bëhet zhvendosja e shtyllës  Transiti i ri. (Prizren, Arbanë)

19:00 – Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Lipjanit. (Fshati Banullë, Salla e sportit)

19:00 – Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me gratë e Komunës së Gjakovës. (Fshati Gërqinë, restaurant “Dubrovniku”)

Agjenda e aktiviteteve të Lëvizjes Vetëvendosje:

18:00 – Tubim, Kodra Deshmoreve. (Gjilan)

18:00 – Takim në Castel me disa familje/Milloshevë. (Kastrioti)

19:00 – Takim me gra të Lagjes Malesia, Imeri Petrol. (Kamenicë)

Agjenda e aktiviteteve të Lidhjes Demokratike të Kosovës:

19:00 - Lidhja Demokratike e Kosovës mban tubim elektorale në Fushë - Kosovë. (Shkolla “Mihal Grameno”)

Latifi premton spërkatjen e vreshtave me dronë

2 o. më parë / 26 sht 2025 19:13
Smajl Latifi

Fushata e kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të premten

Kryetari dhe kandidati që synon edhe një mandat për Komunën e Suharekës, Bali Muharremaj fushatën e ka vazhduar me një takim me rininë e kësaj komune.  Ka premtuar projekte në vlerë prej 28 milionë eurosh, të cilat tha se do të përmbushin  nevojat e qytetit për shkolla, çerdhe, infrastrukturë dhe një zonë industriale.

Në Pejë, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Ali Berisha, është zotuar se nëse rikthehet në krye të komunës do ta bëjë rregullimin e projektit infrastrukturor nga Gorazhdeja deri te stacioni i trenit me katër korsi, e menaxhim më efikas të buxhetit komunal.

Smajl Latifi në Rahovec, i cili synon edhe një mandat ka premtuar ndërtimin e 150 kilometrave rrugë të reja dhe futjen e dronëve për spërkatjen e vreshtave dhe kulturave bujqësore. Sipas Latifit  ky do të jetë projekti i pari i këtij lloji në Kosovë.

“Unë ju zotohem këtu se në Komunën e Rahovecit do të ndërtohen 150 km rrugë të reja fushore dhe do të ketë mirëmbajtje të rrugëve ekzistuese. Partneriteti mes Agrocelinës, Komunës së Rahovecit dhe fermerëve do të zgjerohet, do të thellohet dhe do të mbështetet edhe më shumë financiarisht. Ju kam premtuar një projekt që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës pas luftës, por që mund të ndodhë dhe do të ndodhë në komunën tonë: do të blejmë një shërbim të specializuar për spërkatjen e kulturave bujqësore, vreshtave dhe perimeve përmes dronëve”, ka thënë Latifi.

Ndërsa kandidati për Prishtinë, Bekë Berisha, ka paraqitur shtatë prioritete, që përfshijnë arsim modern, shëndetësi funksionale, transport publik me autobusë të rinj, siguri në lagje, mbështetje për bizneset e reja dhe hapësira për kulturë e sport për të rinjtë.

“Kam qenë në çdo lagje të Prishtinës, i kam dëgjuar problemet dhe kërkesat e qytetarëve, dhe jam ulur e jam konsultuar me ekspertë për secilën fushë. Shtatë prioritete të qarta, me zgjidhje konkrete që prekin jetën e çdo qytetari: Arsim modern, me fëmijë të lirë, por të sigurt, me siguri inteligjente. Higjienë dhe kushte të dinjitetshme. Shëndetësi që respekton dinjitetin, me ambulanca funksionale dhe kujdes të afërt për secilin pacient. Rrugë dhe transport që funksionojnë, me infrastrukturë moderne dhe autobusë të rinj për nxënësit. Ekonomi që hap vende pune, duke mbështetur bizneset e reja që duan të ndërtojnë të ardhmen këtu. Siguri dhe administratë efikase, me shkolla të sigurta dhe lagje të ndriçuara. Kulturë dhe sport për rininë, me hapësira të reja dhe mbështetje për talentet tona. Një Prishtinë e pastër dhe me menaxhim të duhur të mbeturinave”, u shpreh Berisha.

Për Azemin prioritet do të jetë arsimi, Shehu premton palestër sportive

2 o. më parë / 26 sht 2025 19:09
Visar Azemi

Fushata e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës të premten

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinë, Përparim Rama, ka njoftuar se tashmë kryeqyteti ofron qasje në trajnime falas për më shumë se 3 mijë familje. Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ai njoftoi gjithashtu se së shpejti do të finalizohet biblioteka e parë për fëmijë në kryeqytet.

“Për herë të parë në kryeqytet, më shumë se 3000 familje kanë qasje në trajnime falas. Klasat për nëna, kujdes në grup, edhe vizita të rregullta nga profesionistë në shtëpi. Po krijojmë në brez të ri prindërish të përgatitur dhe fëmijë të rritur më mirë. Prishtina përtej improvizimit”, u shpreh Rama.

Kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, është zotuar se në mandatin e tij do të themelojë Muzeun Komunal të Luftës, do të vendosë shtatore të reja për dëshmorët dhe do të krijojë një zyrë të veçantë, e cila, sipas tij, do të ketë mandat specifik për avancimin e vlerave të luftës. Këto zotime Osmani i bëri të premten gjatë një takimi me udhëheqësit e shoqatave të dala nga lufta.

Në Mitrovicë, kandidati për kryetar, Gëzim Plakolli, është zotuar se nëse fiton mandatin, prioritet do t’i këtë pensionistët. Gjatë takimit me Federatën e Sindikatave të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, Plakolli prezantoi edhe programin e tij katërvjeçar.

Ndërtimin e një oborri riciklues të mbeturinave, pishinë gjysmolimpike, palestër të mbyllur sportive dhe sheshin qendror “Edmond Hoxha”, janë disa nga projektet që ka premtuar t’i realizojë kryetari aktual i Junikut, Ruzhdi Shehu, nëse fiton edhe një mandat tjetër.

Ndërsa në Ferizaj, Visar Azemi, tha se nëse i besohet mandati katërvjeçar, arsimi do të jetë prioritet kryesor.

“Çka kemi me bo? Do të vendosim kujdestar sigurie pranë shkollave që fëmijët tanë të jenë të sigurt. Do të ofrojmë shujta të ngrohta për çdo nxënës. Mësimin tërëditor në shkollat e Ferizajt dhe krijimin e librave shkollorë sportivë do ta kemi prioritet. Do t’i modernizojmë shkollat, 500 klasa do të kenë tabela digjitale”, ka thënë ai.

Rashiti premton 200 euro për nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara

2 o. më parë / 26 sht 2025 19:05
Riad Rashiti, kandidat për kryetar të Gjilanit

Riad Rashiti, kandidat për kryetar të Gjilanit

Fushata e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës të premten

Zgjidhjen e problemit të trafikut në Prishtinë, brenda 18 muajsh, e ka premtuar kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të komunës, Uran Ismaili. Ai ka thënë se do të katërfishohet numri i semaforëve në qytet, e do të krijohet edhe një qendër për menaxhimin e tyre, sipas nevojave të trafikut.

“Për herë të parë Prishtina do të ketë një qendër të tillë që monitoron në kohë reale kushtet e trafikut dhe reagon menjëherë në rast të bllokimeve apo aksidenteve. Kjo qendër do të rregullojë në mënyrë automatike kohën e semaforëve. Do të menaxhojë fluksin e automjeteve në Prishtinë dhe në hyrjet e Prishtinës. Do të koordinohet me policinë dhe shërbimet e emergjencës në rastet e nevojshme për reagim të shpejtë”, ka thënë Ismaili

E planin e tij për mirëqenien sociale e ka prezantuar Riad Rashiti, kandidat për kryetar të Gjilanit. Ai është zotuar që nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara do të përfitojnë mbështetje mujore prej 200 eurosh.

Ndërtimin e “Rrugës së Verës” e ka premtuar Edon Cana, kandidati i PDK-së për Rahovecin, në kuadër të planit të tij për turizëm rural. Ai ka thënë se në këtë sektor, për 10 vjet do të investohen 15 milionë euro.

Agim Aliu, kryetar i Ferizajt, njëkohësisht kandidat edhe për një mandat, njoftoi për fillimin e asfaltimit të rrugës që lidh fshatin Surqinë me Prelezin e Muhaxherëve.

E asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave nisi edhe në Lagjen Kurilla të Prizrenit. Kryetari Shaqir Totaj, kandidat për mandatin e dytë, tha se do t’ia ofrojë kujdesin e merituar kësaj lagjeje.

“Kemi filluar me një dinamikë të shtuar dhe punët po shkojnë mirë, sepse kjo lagje meriton përkujdesje, meriton përmirësim të standardit të jetës dhe ne pikërisht po e bëjmë këtë, duke e përcaktuar që kjo lagje do të jetë edhe në të ardhmen një nga prioritetet tona”, u shpreh ai.

Peci: Jam i Mitrovicës dhe do të vdes i Mitrovicës, mos u dorëzoni nga propaganda

2 o. më parë / 26 sht 2025 19:01
Faton Peci

Fushata e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje të premten

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka dhënë një varg zotimesh për lagjet e Prishtinës, pas një vizite në Kolovicë. Ai ka thënë se shkolla e braktisur në këtë lagje do të funksionalizohet. Ka premtuar ndriçim publik me llamba të sistemit LED, vendosje të kamerave publike për siguri më të madhe, rregullim të asfaltit e trotuareve dhe vendosje të shenjave të komunikacionit. Çeku ka kritikuar kryetarin aktual, Përparim Rama, që është kundërkandidat i tij në zgjedhjet e 12 tetorit, se në prag të zgjedhjeve ka nisur improvizimet për zgjidhjen e problemeve në Prishtinë.

“Ky punët e katër vjetëve po mundohet me i kry për katër javë. Me gjasë po mendon që njerëzit janë të pamençur”.

Gjuhë më të ashpër për kundërshtarët politikë ka përdorur kandidati për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci. Peci sot vizitoi edhe klubin e futbollit, Trepça ’89, ku premtoi mbështetje të madhe për sportin.

“Nuk ka askush që mundet me e ndalë fitoren në Mitrovicë. Mos u dorëzoni nga propaganda e ulët deri më datën 12 tetor. Jam i Mitrovicës dhe kam me vdekë i Mitrovicës, po vij për shkak se e dua Mitrovicën dhe për shkak se jam i gatshëm gjithçka të jap për të”.

Edhe në Junik, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar, Jetmir Tofaj, bëri akuza për kundërkandidatët.

“Në vend se të flasim për elektrifikim të bjeshkëve të Junikut dhe për ndërtim të resorëve atje, ne ende duhet të merremi me impiantin e ujërave të zeza që nuk funksionon dhe me kanalizimet në qytetin tonë. Juniku ua dha shansin historike dy kundërkandidatëve që t’i dëshmojnë premtimet e tyre me punë, por kjo nuk funksionoi”.

Ismaili: Për 18 muaj e zhbllokojmë trafikun e Prishtinës

6 o. më parë / 26 sht 2025 14:48
uran ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, është zotuar se për 18 muaj do ta zhbllokoje trafikun në Prishtinë. 

Ai të premten ka mbajtur një konferencë për media, ku ka prezantuar planin e tij për zhbllokimin e trafikut në kryeqytet. 

Ismaili ka thënë se “kaosi i trafikut është kthyer në një urgjencë që nuk mund të presë më dhe se pas 12 tetorit qytetarët do të shohin ndryshimin e shumëpritur”.

“Çdo ditë qytetarët e Prishtinës humbin orë të tëra në kolona, duke shpenzuar kohë, para dhe energji. Ky problem nuk prek vetëm lëvizjen, por edhe ekonominë, shëndetin dhe cilësinë e jetës sonë”, ka deklaruar Ismaili.

Si pjesë e planit të tij për zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajve, Ismaili ka prezantuar dy nga masat që do të ndërmerren. 

“Vendosja e 60 semaforëve të rinj, duke rritur numrin total nga 20 sa janë aktualisht në 80. Kjo, sipas tij, do të mbulojë të gjitha kryqëzimet kryesore, do të shmangë kaosin e përditshëm dhe do të mundësojë menaxhim më të mirë të rrjedhës së veturave. Qëllimi nuk është të shtojmë pritjet për qytetarët, por të krijojmë lëvizje më të shpejtë e më të organizuar. Krijimi i Qendrës së Menaxhimit të Trafikut, një qendër moderne që do të monitorojë në kohë reale kushtet e trafikut, do të menaxhojë fluksin e automjeteve në hyrjet e qytetit, si dhe do të koordinohet ngushtë me policinë dhe shërbimet emergjente për reagim të shpejtë”, ka deklaruar Ismaili.

Ai ka thënë se këto janë vetëm dy nga pikat e planit të plotë për të zhbllokuar trafikun në Prishtinë. Sipas tij ky plan mbështetet në hulumtime dhe praktika të rekomanduara nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Qëllimi ynë është i qartë dhe i matshëm: brenda 18 muajve, Prishtina do të jetë qytet pa kolonat e përditshme, me lëvizje të rregullt dhe me respekt për kohën e secilit qytetar. Ka ardhur koha për një qeverisje që i jep fund improvizimeve dhe që sjell zgjidhje të prekshme”, ka deklaruar Ismaili.

Shahini premton qendra komunitare për pensionistët

10 o. më parë / 26 sht 2025 11:23
bessa

Kandidatja e PSD-së për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, u ka premtuar pensionistëve qendra komunitare e programe vullnetare. 

Ajo ka thënë se kjo kategori ka vend të rëndësishëm në programin qeverisës të saj.

“Pensionistët zënë një vend të rëndësishëm në programin tim qeverisës. Prej krijimit të qendrave komunitare në lagje deri te programet vullnetare ndërbrezorë janë punë të cilat do të inicohen me prioritet. Këtë nevojë e shprehën edhe gratë në shoqatën "Rreze Jete". Përveç shëndetit që dobësohet, ku më shumë e ku më pak, mosha e tretë problem kryesor sot, në botë dhe te ne, ka vetminë. Anadaj vendet si këto, ku gratë ndajnë përvojat dhe përditshmëria, në solidaritet dhe afërsi, janë edhe thelbi i asaj nga çfarë duhet të përbëhet komuniteti”, ka shkruar Shahini në Facebook.