Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 25-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Ismaili: Politika me i marrë votat e me harru pas zgjedhjeve përfundon me 12 tetor në Prishtinë
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK, Uran Ismaili, u është drejtuar sonte qytetarëve në shkollën “Zenel Hajdini” në kryeqytetit, duke premtuar se kjo zonë do të marrë vëmendjen dhe investimin që meriton.
“Prej 25 vitesh, Kodra e Trimave është trajtuar si një hambar votash — vizitohet në fushata, por harrohet sapo mbyllen kutitë e votimit. Kjo përfundon më 12 tetor. Ne do të fillojmë punën që nga dita e parë për të sjellë ndryshime të vërteta dhe të matshme për këtë komunitet,” tha Ismaili.
Ai kritikoi qeverisjet e kaluara dhe aktuale për premtime boshe dhe projekte të paarritshme, duke theksuar mungesën e zgjidhjeve për problemet e përditshme të qytetarëve.
“Kemi dëgjuar premtime të mëdha dhe plane në letër, por asnjë zgjidhje për realitetin e përditshëm: rrugë të pasigurta, ndriçim të dobët, trafik kaotik, mungesë hapësirash publike, ndërtim të pakontrolluar dhe vonesa në legalizimin e pronave,” u shpreh ai.
Ismaili paraqiti zotimin e tij për punë konkrete dhe të shpejta sapo të marrë detyrën.
“Do të kthehem rregullisht në Kodrën e Trimave për të parë përmbushjen e zotimeve tona. Puna do të jetë e menjëhershme, e matshme dhe e dukshme — jo projekte 10-vjeçare që nuk bëhen kurrë realitet,” theksoi Ismaili.
Në fund, Ismaili dha një zotim të fortë llogaridhënieje: “Nëse nuk përmbush të paktën 90% të zotimeve të mia, nuk do të kërkoj më votën tuaj. Kodra e Trimave nuk do të harrohet më. Më 12 tetor fillon një epokë e re e ndryshimit për këtë lagje dhe për gjithë Prishtinën.”
Cana premton kooperativë bujqësore në Rahovec, Tahiri brendin “Made in Mitrovica”
Kryetarit të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, që njëherësh është kandidat i Partisë Demokratike (PDK) edhe për një mandat, i ka pëlqyer pritja me tupanë e surle që ia kanë bërë të martën banorët e Dumnicës. Ai para tyre ka thënë se gjatë mandatit që shkoi asnjëherë nuk i ka pyetur qytetarët se në cilën parti janë. E në Dumnicë, ka thënë se, i ka zgjidhur disa probleme.
“Edhe kur s’kam mundur t’ju kryej punë më keni respektuar. Por kur kam kryer pak punë, e keni vlerësuar shumë. Pas mandatit tim, kushdo që kandidon, me këto audienca, ballë për ballë me juve më nuk do të bisedohet as ujësjellësi, as kanalizimi, as ndriçimi publik”, ka thënë Idrizi.
E Rahovecin, kandidati i PDK-së për kryetar, Edon Cana, e ka quajtur kryeqytet të bujqësisë. Ai ka thënë se ka një plan që e zgjidhë problemin e mungesës së punëtorëve bujqësorë, si pasojë e migrimit.
“Duam t’ua prezantojmë një pilot-projekt kooperativave. Ajo është vullnetare, kush do të marrë pjesë, e ka drejtorin i menaxhon krejt, i ka punëtorët e vet, bëhet vlerësimi sa ke tokë, sa janë shpenzime. Nëse ke llogari, bëhesh anëtar. S’ke nevojë ta japësh vreshtin me qira, e punon kooperativa, e plason në treg rrushin, e negocion çmimin shumë më të mirë edhe ti e din që vitin e ardhshëm e din që i ke aq tonë të shitura”, ka deklaruar Cana.
E në jug të vendit, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, që garon për një mandat të dytë, ka njoftuar për fillimin e punimeve për renovimin e rrugës që lidh fshatrat Reçan, Lubinjë e Epërme dhe Lubinjë e Poshtme.
“Me gjatësi prej 8.000 metrash, i cili projekt po realizohet në bashkëfinancim mes Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në fillim të rrugës, nga ana e Reçanit, do të ndërtohet edhe ura e re, investim ky që do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone të Zhupës, duke mundësuar qasje më të mirë ndaj shërbimeve, arsimit dhe tregut si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal”, ka njoftuar Totaj.
Ai të martën ka bërë edhe një përurim në fshatin Mazrek.
“Përuruam sot shkollën e re “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në fshatin Mazrek - investim i rëndësishëm në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe zhvillimin e arsimit në këtë zonë të Hasit. Kjo shkollë moderne përfshin 13 klasa mësimi, 2 klasa për fëmijët parashkollorë, 2 laboratorë të pajisur, bibliotekë dhe ambiente të dedikuara për stafin shkollor”, ka thënë ai.
Arian Tahiri, nënkryetar i Mitrovicës së Jugut që është në garën për t’u bërë kryetar, e ka prezantuar një pjesë të planit të tij për ekonomi.
“Një program të veçantë do të kemi edhe për mërgatën ‘Diaspora për Mitrovicën’ do ta quajmë, e cila do të jetë platformë konkrete e bashkëpunimit me mërgatën për të investuar në projekte konkrete zhvillimore. Do ta ndërtojmë edhe tregun modern për prodhimet vendore dhe do t’i modernizojmë regjet ekzistuese. Do të krijojmë bendin lokal ‘Made in Mitrovica’ dhe do t’i lidhim prodhuesit tanë me tregjet jashtë komunës përmes panaireve dhe ekspozitave”, ka thënë ai.
Uran Ismaili, kandidat për kryetar të Prishtinës, në takim me prind e ka prezantuar planin e tij për rritjen e sigurisë në shkolla e në qytet.
“200 oficerë të sigurisë nëpër shkolla për parandalimin e sulmeve dhe ngacmimeve dhe trajtimi i 5.000 qenve endacakë përmes strehimores së re të madhe për regjistrimin, vaksinimin dhe sterilizimin e qenve. Siguria e fëmijëve është prioriteti ynë primar në Prishtinën funksionale”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Tubimin qendror PDK-ja e ka mbajtur në Gjakovë. Aty kryetari i partisë, Memli Krasniqi, u kërkoi të pranishmëve votë për kandidatin, Ervin Shabani.
E në Viti kandidati Bekim Azizi ka dhënë zotimin për furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe investime në infrastrukturë lokale, përfshirë asfaltimin e rrugëve, ndriçimin publik dhe parkun e ri të qytetit. Ai ka premtuar 200 euro për çdo fëmijë të lindur, rritje të subvencioneve për bujqit, për studentët dhe sportin, si dhe mbështetje për biznseset startup të të rinjve e grave.
Rama prezanton fond emergjent për Prishtinën në vlerë 50 mijë euro
Kryetari i Prishtinës dhe kandidati i LDK-së për një mandat tjetër, Përparim Rama, ka prezantuar të martën idenë për krijimin e fondit emergjent prej 50 mijë eurosh, që do të shërbejë për reagim të shpejtë në raste të fatkeqësive natyrore.
Nëpërmjet këtij fondi, sipas tij, Prishtina do të jetë më e përgatitur për t’u përballur me situata emergjente.
“Për herë të parë në kryeqytet është krijuar një fond emergjent prej pesëdhjetë mijë eurosh në raste të fatkeqësive natyrore, aksidenteve të mëdha apo situatave të tjera të jashtëzakonshme, që rrezikojnë sigurinë publike. Prishtina përtej befasive emergjente”, ka thënë Rama.
Në Mitrovicë, kandidati Gëzim Plakolli u ka premtuar banorëve të fshatit Melenicë se me qeverisjen e tij nuk do të përballen më me mungesë të ujit e të energjisë elektrike.
Gjatë një vizite në këtë zonë, ai ka parë nga afër kushtet me të cilat jetojnë banorët, tek ka thënë se LDK-ja do të jetë zëri i këtyre banorëve.
“Këto kushte të rënda ua pamundësojnë atyre jo vetëm jetën e përditshme, por edhe zhvillimin e biznesit familjar. Është e papranueshme që në vitin 2025, qytetarët tanë ende të përballen me mungesa elementare. LDK do të jetë zëri i këtyre banorëve, sepse askush nuk duhet të mbetet i harruar, as në Melenicë, as askund tjetër në Mitrovicë”, ka thënë Plakolli.
E në Istog, Ilir Ferati ka prezantuar projektin prej 3.5 milionë eurosh për Bollovanin, që do të përfshijë ndërtimin e nga një fushe futbolli, tenisi, basketbolli, si dhe një shteg për ecje.
“Investim që kthen natyrën në hapësirë zhvillmi dhe mirëqenie për qytetarët. Një destinacion që hap horizonte të reja për rritje ekonomike dhe atraksione turistike. Ballovani është një vizion që rrit mirëqenien sot dhe trashëgon mundësi të reja për gjeneratat e ardhshme”, është shprehur Ferati.
Projekt me fokus sportin ka prezantuar në Junik edhe kryetari i kësaj komune dhe kandidati për mandat të ri, Ruzhdi Shehu. Ai ka premtuar edhe ndërtimin e një fushe të hapur sportive në shkollën fillore “Edmond Hoxha”, në vlerë 130 mijë euro.
“Kjo fushë do t’u ofrojë nxënësve kushte moderne për edukatë fizike, sporte dhe aktivitete që i ndihmojnë të rriten të shëndetshëm dhe të suksesshëm. Po ashtu në lagjen Berishë do të krijojmë një hapësirë rekreative, një kënd lojërash për fëmijë dhe një fushë sportive të hapur për të rinjtë”, ka deklaruar Shehu.
Kandidati i LDK-së për Prizrenin, Driton Selmanaj, është zotuar për investime në zhvillimin e rajonit të Zhupës, me fokus në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zgjidhjen e problemeve, që, sipas tij, janë trashëguar ndër vite.
“Për regjionin e tuaj, rajonin e Zhupës që njihet, është lënë mbas dore në investime gati të çfarëdolloj. Kemi planifikuar po ashtu që Qendra e Mjekësisë Familjare që është në Reqan me punu 24 orë. Andaj kemi nevojë për mbështetjen e tuaj, nëse të tjerët ju kanë premtuar përpara, por 18 vjet kanë dështuar me i adresu ato, unë po ju lutem të mos i jepni shans më”, ka thënë Selmanaj.
Sokol Haliti ka prezantuar projektet që janë realizuar gjatë qeverisjes së tij në Viti dhe ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për një mandat të ri.
“Çdo projekt është dëshmi e përkushtimit, vizionit dhe punës sonë për qytetin e Vitisë. Bashkë kemi ndërtuar, zhvilluar dhe transformuar, me zemër, me përgjegjësi dhe me synimin për një të ardhme edhe më të mirë. Vitia ecën përpara, sepse puna flet vetë. Ju e dini pse duhet të na besoni përsëri: sepse ne nuk japim fjalë boshe, por kemi dhënë rezultate që shihen dhe preken, e kemi dëshmuar veten me punë e me besë”, është shprehur Haliti.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka premtuar për fshatin Malishevë ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës dhe zgjerimin e rrugës Malishevë e Epërme – Capar.
Çeku prezanton dy prioritete për arsimin në Prishtinë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka prezantuar prioritetet e tij për zhvillimin e arsimit në kryeqytet.
Ai të martën ka thënë se gjatë qeverisjes së tij do të ketë investime rrënjësore në infrastrukturën e shkollave, në zbatimin e mësimit tërëditor dhe në ndërlidhjen e aftësimit profesional me tregun e punës. Ka premtuar edhe angazhim që çdo shkollë të jetë e pajisur me mensa, psikologë dhe logopedë.
“Për neve janë dy pika kryesore, ku duhet të orientojmë tash e tutje angazhimin në arsim. E para ka të bëjë me një sistem arsimor që i aftëson të rinjtë për tregun e punës. Një ndërlidhje më e madhe mes shkollës dhe tregut të punës. Shkollat profesionale, aftësimi profesional për nevojat që i ka sot tregu. Dhe e dyta ka të bëjë me temën e madhe të arsimit tërëditor në të cilin ne besojmë”, ka premtuar Çeku.
Në Prizren, kandidati për kryetar komune, Artan Abrashi, ka premtuar ridizajnim të transportit publik, biçikleta publike me GPS, mbjellje të 30 mijë drunjve çdo vit si dhe parqe të reja për qytetin. Ndërkaq në një tubim në Zhur, Abrashi ka bërë disa zotime për përmirësimin e infrastrukturës.
“Në mandatin tonë, kanalizimi, kubëzat, ndriçimi publik, trajtimi i qenve endacakë, çështjet që kanë të bëjnë me punësimin e të rinjve, do të jenë prioriteti i ynë sepse kështu na obligon edhe vota juaj, na obligojnë edhe zgjedhjet lokale”, ka premtuar ai.
E kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili e synon edhe një mandat katërvjeçar në këtë pozitë, ka premtuar që gjatë katër vjetëve të ardhshëm ta finalizojë projektin e zonës ekonomike, të cilin nuk e ka bërë në mandatin e parë.
“Ajo që e synojmë për mandatin tonë të dytë është vazhdimi i projekteve transformuese, finalizimi i një projekti që e kemi nisur qysh në mars të vitit 2023, por që, për shkak të mungesës së mbështetjes në Kuvendin Komunal, nuk mund të fillojë dot, është zona ekonomike ose parku industrial i Gjilanit që në afërsi me korridorin 10 si rrugë komunikimi e transportit të mallrave, është garancia për zhvillim”, është shprehur Hyseni.
Ndërkaq në Pejë kandidatit të LVV-së, Taulant Kelmendi, i ka ofruar mbështetje kryetari i partisë, Albin Kurti. Me këtë rast Kelmendi ka shprehur bindjen se në Pejë e para del Vetëvendosja.
“Nga ajo që po shohim dorë më dorë, e derë më derë, e lagje më lagje, e fshat më fshat edhe në Pejë po fitojmë.. Duke u bashkuar, fitojmë në Pejë, fiton qeverisja e mirëqenies, fiton qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje”, është shprehur ai.
E Kurti u ka treguar banorëve të Pejës se çfarë rezultati i pret më 12 tetor.
“Edhe në këtë muajin e 10-të të këtij viti, Vetëvendosja duhet të dalë e para përsëri, edhe për zgjedhje komunale, ashtu siç ka dalë për zgjedhje parlamentare”, ka thënë ai.
Në Ferizaj kandidati Enver Haliti ka thënë se në programin e tij qeverisës e ka paraparë ndërtimin e parkut të madh të qytetit, e për cilin ka theksuar se është një ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme për mjedisin dhe komunitetin.
“Me shtigje të rregulluara për ecje dhe vrapim, të rrethuara me drunj të dendur e të gjatë, dhe hapësirat rekreative për fëmijë e të moshuar, janë një vend ideal për qetësim, pushim dhe meditim, që i mungon shumë zonës së dendur urbane të Ferizajt”, ka thënë ai.
Kandidati për Gjakovën, Ardian Gola, gjatë takimit me pronarë të bizneseve të vogla, ka premtuar se subvencionet për ta do të ndahen në bazë të meritokracisë.
“Keqpërdorimet dhe favorizimet do të marrin fund. Qeverisja e Vetëvendosjes në Komunën e Gjakovës do t’i trajtojë të gjithë me barazi, pa dallime e pa privilegje. Është koha që kjo mendësi e vjetër qeverisëse të ndryshojë rrënjësisht - me drejtësi, përgjegjësi dhe barazi për secilin qytetar”, është shprehur Gola.
E kandidati i LVV-së për kryetar në Mitrovicë, Faton Peci, ka vizituar fshatra të kësaj komune, me ç’rast është zotuar për investim në shkolla dhe arsim cilësor, në sigurim të transportit publik, në mirëmbajtje të rrugëve si dhe për investime në bujqësi.
Haradinaj: Peja duhet të jetë kryeqyteti ekonomik
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vazhduar fushatën zgjedhore me premtime për zhvillim ekonomik, infrastrukturë moderne dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
Në Prishtinë, kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Bekë Berisha, ka premtuar mbështetje të veçantë për bizneset që, siç tha ai, mbajnë gjallë ekonominë e kryeqytetit.
“Për bizneset që mbajnë ekonominë dhe hapin vende pune, sidomos ato të lëna pas dore, komuna do të subvencionojë diferencën në koston e furnizimit me energji. Skema do të bazohet në kritere të qarta dhe të matshme, me qëllim zhvillimin e ekonomisë së kryeqytetit”, ka thënë Berisha. “Shumë biznese po mbyllen, por ne do t’i mbështesim fuqishëm. Plani ynë sjell mundësi të reja punësimi, ndërtim fabrikash, mbështetje për bujqësinë dhe zhvillim të bizneseve të vogla e të mesme”.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi në Pejë në përkrahje të kandidatit për kryetar, Ali Berisha, ka thënë se edhe kjo komunë duhet ta marrë epitetin e kryeqytetit për një fushë.
“Peja kur nuk ishte mirë, nuk mund ta merrte hapin e zhvillimit, por erdhi Ali Berisha. Ende sot mbahen mend punët e mira të asaj qeverisjeje. Peja atëherë u bë lidere në të gjithë vendin. Nëse Prishtina është kryeqytet administrativ e politik, Prizreni kryeqytet i kulturës, Peja duhet të jetë kryeqyteti ekonomik i Kosovës. Prej këtu duhet të burojë zhvillimi për të gjithë vendin”, ka thënë Haradinaj.
E, në komunën fqinje, Deçan, kryetari që synon edhe një mandat, Bashkim Ramosaj, është zotuar se nëse e fiton edhe garën e radhës, do ta bëjë ndërtimin e një sheshi modern me pamje evropiane.
“Tani është koha për një projekt të ri që do ta transformojë krejt qytetin – sheshin e ri të Deçanit. Ndërtesat e vjetra do të zëvendësohen me një hapësirë moderne, një projekt i madh që do t’i japë qytetit tonë pamje evropiane”, ka thënë Ramosaj.
E në Viti, kandidati Labinot Bislimi ka premtuar urbanizim të një numri fshatrash.
“Për Ramnishten planifikojmë t’i japim statusin e zonës urbane, sikurse Beguncës, Kabashit dhe Drobeshit, duke rritur kështu vlerën e tokës dhe të gjithë zonës. Po ashtu, do të ndërtojmë një pistë çiklistësh në dy kahe, të ndarë me gardh të gjelbër dhe drunj dekorativë”, ka thënë ai.
Ndërkaq Smajl Latifi, i cili është kryetari aktual i Komunës së Rahovecit dhe synon edhe një mandat tjetër, gjatë një tubimi me qytetarët ka kërkuar që zgjedhjet në këtë komunë të përfundojnë që në raundin e parë, pa pasur nevojë për balotazh.
“Ne jemi të parët për transparencë buxhetore, nga 100 pikë komuna jonë ka marrë 100 pikë. Atëherë, cila është arsyeja që ne duhet t’i besojmë dikujt tjetër që nuk ka idenë se ku të nisë apo ku duhet të shkojë? Ju ftoj që më 12 tetor të jemi bashkë dhe në kutitë e votimit ta shprehni vullnetin tuaj. Rezultatet do t’i vendosim vetë, dhe unë jam i bindur se qytetarët do të zgjedhin që komuna të mos hyjë në balotazh”, ka thënë Latifi.
Në Gjilan, kandidati Nazim Gagica ka premtuar mbështetje për bizneset prodhuese dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Fokusi ynë është te punësimi, prodhimi dhe eksporti... Do të angazhohemi për të mbështetur bizneset prodhuese, për të hapur vende të reja pune dhe për ta kthyer Gjilanin në qendër të prodhimit dhe eksportit në Lindje të Kosovës”, ka thënë ai.
E Ukë Blakaj, kandidat i AAK-së për Komunën e Istogut, ka premtuar se pastrimi i deponive ilegale dhe trajtimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza do të jenë prioritet gjatë mandatit të tij.
“Istogu është i zhytur në mbeturina, pasi mbi 15 deponi ilegale gjenden nëpër fshatra e në qytet. Trajtimi i mbeturinave dhe i ujërave të zeza është me prioritet për mua si kryetar i Komunës së Istogut”, ka thënë ai.
Edhe kandidatë të tjerë të AAK-së për kryetarë komunash vazhduan prezantimin e projekteve dhe kërkuan votën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Abdixhiku: Istogu, me Ilir Feratin edhe katër vjet
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ndarë disa fotografi nga tubimi në Istog dhe në mbështetje të Ilir Feratit, kandidat për një mandat tjetër në krye të kësaj komune.
Para mbështetësve, Abdixhiku tha se Istogu është kala e pamposhtur e LDK-së dhe bastion i pandryshueshëm rugovist.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe, nuk ka ndjenjë më të fuqishme, se sa kur LDK mblidhet në kalanë e pamposhtur të saj, kur LDK mblidhet në shtëpinë e vet politike, në Istogun tuaj, në Istogun tim, në Istogun e Ibrahim Rugovës, në Istogun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Istogu i Dardanëve sot qenka ngritë në këmbë, për t’i dhënë përgjigje kushtrimit tim të djathtë! Kjo përgjigje e juaja qenka e qartë. Kjo përgjigje e juaja qenka e zjarrtë. Kjo përgjigje qenka e thjeshtë: Fitore dhe asgjë më pak më 12 tetor, që në raund të parë”, deklaroi Abdixhiku.
Ndërsa kandidati Ferati, u shpreh mirënjohës për mbështetjen e qytetarëve, duke thënë se besimi në LDK është traditë në Istog që vazhdon prej vitit 1989.
Ai u zotua për fitore në zgjedhjet e 12 tetorit dhe për vazhdim të rrugës rugoviste në drejtimin e komunës.
“Besimi në LDK është traditë në Istog. Besim që është mbjellë në ’89 dhe që ka krijuar marka politike. Istog ma keni dhënë një eksperiencë të jashtëzakonshme gjatë këtyre javëve. Sot jemi këtu për të dëshmuar që rugovizmi është forca. Kemi qenë bashkë në çdo fshat, lagje e shtëpi tuaj. Përpos mikpritjes kam ndier fuqinë e këtij rrugëtimi. Me përkrahjen tuaj sigurisht që do të marrim fitoren, sepse Istogu nuk harron vendin e vet. E tillë është vendlindja e presidentit tonë”, tha Ferati.
Thaçi premton për Obiliqin investim në transport publik, zgjatje të orarit të autobusëve deri në 24:00
Kandidati për kryetar të Komunës së Obiliqit nga Lëvizja Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka premtuar investim në transportin publik, mes tjerash edhe zgjatje të orarit të autobusëve deri në orën 24:00.
Thaçi premtoi transport edhe gjatë fundjavës dhe subvencionim të kompanive të transportit publik.
“Subvencionojmë kompanitë e transportit publik për çdo kilometër, që të sigurojmë shërbim të qëndrueshëm dhe cilësor. Zgjasim orarin e autobusëve deri në ora 24:00 gjatë ditëve të javës. Sigurojmë transport edhe gjatë fundjavës, që askush të mos mbetet pa mundësi lëvizjeje. Transport publik më i mirë, më i shpejtë dhe për të gjithë!”, ka shkruar në faqen e tij në Facebook, kandidati Thaçi.
Haradinaj: Pa mbështetjen e Qeverisë, Suhareka u shndërrua në qendër të zhvillimit ekonomik
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka ndarë disa fotografi nga tubimi qendror në Suharekë që u mbajt nga kandidati për kryetar komune edhe për një tjetër mandat, Bali Muharremaj, duke e përshkruar atmosferën si të jashtëzakonshme.
Haradinaj tha se kjo komunë edhe pse pa mbështetje të qeverisë është shndërruar në qendër të zhvillimit ekonomik.
“Nën udhëheqjen e Bali Muharremajt, kjo komunë, pa mbështetjen e qeverisë, është shndërruar në qendër të zhvillimit ekonomik, duke u bërë shembull i asaj që mund të arrijmë kur kemi vizion të qartë dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Tutje, Haradinaj renditi edhe disa projekte për të cilat është zotuar Muharremaj.
“Ujëmbledhësi i Dragaqinës, përfundimi i stadiumit të futbollit, pishinës gjysmëolimpike, shërbimit të veçantë shëndetësor (geriatrik), ndërtimi i çerdheve të reja, do të sigurojnë infrastrukturë moderne dhe kushte më të mira jetese për qytetarët e Suharekës”, ka përfunduar Haradinaj.
Çeku: Gastronomët, kyç për zhvillimin e Prishtinës si destinacion atraktiv turistik
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka theksuar rëndësinë e sektorit të gastronomisë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të kryeqytetit.
“Prishtina, qytet turistik me gastronomi të gjallë dhe mikpritje të ngrohtë,” ka shkruar Çeku në Facebook, duke shtuar se vizioni i tij synon rritjen e zhvillimit ekonomik të qytetit, uljen e papunësisë nën 5 për qind dhe ngritjen e ofertës turistike përmes brendimit të Prishtinës si një destinacion atraktiv.
Sipas tij, bashkëpunimi me gastronomët është thelbësor për funksionimin e tërë zinxhirit ekonomik që do të sjellë përfitime për qytetarët.
“Qasja jonë qeverisëse do të jetë ajo e partneritetit me gastronomët, por edhe me banorët, në mënyrë që nga dakordimet kolektive të përfitojë i gjithë qyteti”, ka shkruar tutje Çeku.
Arifi nga fshati Gmicë e Kamenicës: Rruga në gjendje të rëndë, fëmijët nuk kanë shkuar në shkollë
Kandidatja për kryetare të Komunës së Kamenicës nga PDK-ja, Jona Arifi, ka vizituar një familje në fshatin Gmicë të Kamenicës. Ajo shkroi në një postim në Facebook se për shkak të gjendjes së rrugës, fëmijët e familjes Korça nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë.
“Ishim në vizitë tek familja Korça në Gmicë. Rruga që të çon deri aty është në gjendje të tmerrshme, e vështirë për t’u kaluar edhe me makinë. Fëmijët e Jetonit prej disa ditësh nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë, sepse rruga është bërë e pakalueshme”, ka shkruar Arifi.
Sipas saj, prej ditësh në këtë fshat nuk ka as energji elektrike.
Ismaili nga Kodra e Trimave: Koha e lagjeve të harruara përfundon me 12 tetor
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, sot ka takuar sërish banorët në Kodrën e Trimave, ku ka shpërndarë numrin e fundit të gazetës javore “Koha për Prishtinën”.
Në këtë vizitë, Ismaili i ka ftuar qytetarët personalisht në tubimin e fundit që do të mbahet sonte në këtë lagje.
Tubimi pritet të mbahet në shkollën “Zenel Hajdini”, duke filluar nga ora 19:00.
“Koha e lagjeve të harruara përfundon me 12 tetor! Shihemi sonte në Kodrën e Trimave, te shkolla ‘Zenel Hajdini’ në ora 19:00. Ndryshimi është afër, koha jonë ka ardhur”, ka shkruar Ismaili.
Hyseni takon arkitektë, inxhinierë dhe gjeodetë të Gjilanit
Kryetari i Gjilanit dhe njëherit kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje për një mandat të dytë në krye të komunës, Alban Latifi, ka takuar arkitektë, inxhinierë e gjeodetë, për të cilët thotë se ka shprehur mirënjohje ndaj punës së tyre.
“Në Ditën e Arkitektëve, që shënohet të hënën e parë të muajit tetor, shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin e tyre në zhvillimin urban, infrastrukturor dhe estetik të Gjilanit. Bashkë po ndërtojmë një Gjilan të ri, me plan, me standarde dhe me respekt për natyrën e historinë e tij”, ka shkruar Hyseni në rrjetin e tij social Facebook.
Kryetari Hyseni njofton se ka mbajtur edhe tubim me qytetarë të lagjes “Kodra e Dëshmorëve III dhe Lagjja e Tetë”. Aty ka premtuar vazhdim e finalizim të projekteve.
“Ajo që e synojmë për mandatin tonë të dytë është vazhdimi i projekteve tona transformuese. Finalizimi i një projekti që ka nisur qysh në mars të 2023-ës, por që për shkak të mbështetje në Kuvendin Komunal nuk mund të filloj dot. Zona ekonomike ose parku industrial i Gjilanit që me afërsinë me korridorin dhjetë si rrugë komunikimi e transporti të mallrave është garancioni për zhvillim, garancioni për investime, për biznese të reja, për punësim, për mirëqenie, për Gjilanin që e duam kaq shumë”, u shpreh Hyseni.
Ferati premton nga 650 euro për secilin maturant që vazhdon studimet
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, i cili kandidon edhe për një tjetër mandat në krye të kësaj komune ka premtuar 650 euro bursë për secilin student që dëshiron t’i vazhdojë studimet.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se çdo maturant meriton mundësinë për të ndërtuar të ardhmen.
“Çdo maturant meriton mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e vet. Bursë 650€ për secilin që vazhdon studimet! Rrugëtimi ynë vazhdon”, ka shkruar ai.

