Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar zhvillim infrastrukturor dhe rritje të mbështetjes sociale. Në këtë funksion ai gjatë tubimit elektoral në Gjilan është zotuar se do të ndërtojë tri hekurudha, pesë diga, se do ta bëjë gazifikimin e qymyrit si dhe sistemin e biletave të integruara për transportin publik, me çmim prej 10 eurosh në muaj. Ka bërë zotime edhe për rritjen e shtesave për fëmijë dhe për investime në ushtri dhe në sektorin privat
Zotim për ndërtimin e tri hekurudhave, të pesë digave dhe për gazifikimin e qymyrit ka bërë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër, Albin Kurti, në ditën e nëntë të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në tubimin në Gjilan, Kurti ka premtuar se edhe qendra e Anamoravës do të bëhet me hekurudhë.
“Mandati i ardhshëm do të jetë edhe mandat i hekurudhave. Hekurudha që lidh aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ me kryeqytetin, hekurudha që lidh Prishtinën, përkatësisht portin e thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit dhe gjithashtu hekurudha që lidh Gjilanin në njërën anë me Bujanocin dhe në të tjetrën me Ferizajn dhe Prizrenin”, ka premtuar Kurti para qytetarëve në Gjilan.
Për udhëtimin me autobusë të transportit publik, kandidati i LVV-së për kryeministër ka premtuar biletë të integruar.
“Do ta kemi edhe biletën e integruar të transportit publik, anembanë, ku trafiku urban e ndërurban mundëson që çdo qytetar i republikës të udhëtojë me vetëm 10 euro në muaj kudo në Kosovë”, është zotuar ai.
Kurti ka thënë po ashtu se në qeverisjen e tij të ardhshme, shteti do të kujdeset për fëmijët, gratë dhe për të moshuarit.
“Një familje që i ka dy fëmijë i merr 60 euro në muaj, një familje që i ka tre fëmijë i merr 135 euro në muaj, tre fëmijë nga 45 euro, e këto do t’i dyfishojmë në mandatin e ardhshëm. Pra, kush i ka tre fëmijë e më shumë i merr 90 euro për secilin fëmijë. Pra, 270 euro i merr për tre fëmijë, 360 euro për katër fëmijë, 450 euro për pesë fëmijë. Pra, sa më shumë fëmijë aq më shumë shteti ndihmon nënat”, ka thënë ai.
Për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti ka kërkuar mbështetje për LVV-në ashtu që ajo ta marrë së paku gjysmën e votave.
“Është shumë e vështirë t’i bie tamam kësaj opozite, po tamam ju mund ta bëni me datën 28 dhjetor, duke fituar Vetëvendosja, Guxo, Alternativa dhe PSHDK mbi 50%”, ka thënë ai.
Kurti ka numëruar edhe punët që qeverisja e tij i ka kryer gjatë më shumë se katër vjet mandat.
“Për katër vjet e nëntë muaj sa jam kryeministër, 74 çerdhe të tilla janë bërë në Kosovë. E ata para neve, për 17 vjet vetëm katër çerdhe, që po i bie as një çerdhe në mandat. Ata as një çerdhe në mandat e ne 74 çerdhe për katër vjet e nëntë muaj, që kur ta krahasosh, të dashur qytetarë, ne jemi 66 herë më të shpjete se ata kur vjen puna te ndërtimi i çerdheve”, është shprehur ai.
Si tjetër punë të bërë gjatë mandatit të tij, Kurti ka numëruar rritjen e qarkullimit financiar të bizneseve private.
“Krahasojmë me vitin parapandemik 2019, është dyfishimi i qarkullimit të bizneseve në sektorin privat - prej 12.5 miliardë në vitin 2019, 25 miliardë sivjet. E qarkullimi i dyfishuar i bizneseve në Kosovë ka shënuar edhe profit të lartë si asnjëherë më parë, pra ka qenë jo vetëm qarkullim por edhe akumulim”, ka deklaruar ai.
Kurti ka folur edhe për investimet në ushtri teksa ka bërë krahasime me armatimin e Serbisë.
“Është koha e sistemeve moderne të armatimit, jo e tankeve. Unë e di që Serbia ka tanke, por besoni, neve nuk na duhen tanket, por me sistemin antitank që e kemi ne s’i duhen as Serbisë”, ka thënë Kurti.
Ai pati premtime edhe në fushën e energjisë.
“Njëkohësisht do ta ndërmarrim edhe projektin për gazifikimin e qymyrit, në mënyrë që të kemi energji të bollshme dhe sa më të pastër që mundemi. Problemet me furnizim me energji elektrike, të dashur qytetarë, nuk kanë të bëjnë me gjenerimin, nuk kanë të bëjnë me KEK-un, por me operatorët e shpërndarjes e të transmisionit”, është zotuar Kurti.
Kandidati i LVV-së për kryeministër ka premtuar edhe ndërtimin e pesë digave për t’iu përgjigjur relievit të Kosovës.
“Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i pesë digave të reja. Se Kosova jonë e dashur është si një pjatë e kthyer përmbys ku burojnë lumenjtë, por me shpejtësi dalin jashtë në tri dete e derdhen: Adriatik, të Zi dhe Egje. Tash duhet me rezervuare të ujit, me diga ne ta grumbullojmë ujin”, ka premtuar ai.