Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e nëntë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore

Hamza premton reforma ekonomike dhe rritje të mirëqenies

1 muaj më parë / 25 dhj 2025 22:35 Nga: Sanie Jusufi
PDK-Hamza

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka premtuar zhvillim ekonomik, investime infrastrukturore dhe përmirësim të standardit të jetesës gjatë tubimit të mbajtur të enjten me qytetarë në Ferizaj.

Ai ka bërë zotimin se një prej projekteve kryesore, të cilën do ta zhvillojë me ardhjen në pushtet, është ajo e lidhjes së autostradës së kombit me autostradën “Arbër Xhaferi”, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe përafrimit edhe më shumë të Kosovës me Shqipërinë.

“Do ta lidhim autostradën e kombit me autostradën ‘Arbër Xhaferi’. Qytetarët e Ferizajt nuk do të kenë më nevojë që të shkojnë në Prishtinë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, sepse nga Banulla do të dalin në Duhël të Suharekës përmes autostradës së re”, ka premtuar ai para qytetarëve në Ferizaj.

Hamza ka adresuar edhe kritika për qeverisjen aktuale e të cilën e ka mbajtur përgjegjëse për keqqeverisje, mungesë stabiliteti dhe rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë dhe të energjisë elektrike.

Ai ka dhënë se alternativën e qartë për dalje nga kjo situatë e ofron vetëm PDK-ja.

“Kosova nuk ka dështuar, por është keqqeverisur. Çmimet janë rritur deri në 40 e 50 për qind, energjia elektrike është shtrenjtuar, ndërsa pagat dhe pensionet kanë mbetur pothuajse në vend. Kjo do të ndryshojë me qeverinë e PDK-së”, është shprehur Hamza, teksa ka shtuar se në programin e partisë së tij fokusi është vendosur te mbështetja për bizneset.

E për bizneset e vogla dhe ato të mesme, kandidati i PDK-së për kryeministër ka premtuar lehtësira fiskale nëpërmjet lirimit nga tatimi të atyre që kanë qarkullim deri në 10 mijë euro. E për ato me qarkullim deri në 30 mijë euro, ai është zotuar se tatimi do të zbatohet vetëm mbi fitimin real.

Hamza ka premtuar gjithashtu grante dhe subvencione për bizneset prodhuese dhe inovative, si dhe lehtësira për kompanitë që punësojnë mbi 50 punëtorë. Si tjetër premtim, ai e ka numëruar reformën në tatimin mbi vlerën e shtuar. Ka premtuar edhe ndaljen e rritjes së tatimit në pronë, si dhe mbështetje për sektorin privat.

Në programin e tij janë përfshirë premtime për rritje të pagave dhe të pensioneve. Ai ka përsëritur zotimin se pagat deri në 400 euro nuk do t’i nënshtrohen tatimit, e në ato që janë mbi këtë nivel ka premtuar se do të aplikohen norma më të ulëta tatimore.

Në fushën e infrastrukturës, Hamza është zotuar se gjatë qeverisjes së tij do të përfundojnë projektet e nisura ndër vite e që i përfshijnë rrugët drejt Gjilanit, Mitrovicës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe se do të bëjë investime në hekurudha dhe energji.

Investime Hamza ka paralajmëruar në fushën e shëndetësisë, të arsimit dhe të sigurisë, duke përmendur krijimin e sigurimeve shëndetësore dhe përmirësimin e kushteve për punëtorët e sektorit publik.

Qytetarëve në Ferizaj, Hamza u ka bërë thirrje që të mbështesin PDK-në në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Ne ofrojmë një vizion të qartë për zhvillim, stabilitet dhe shpresë. Me votën tuaj do ta kthejmë Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe mirëqenies”, ka thënë Hamza.

Një thirrje të tillë ai e ka bërë edhe nëpërmjet një videoadresimi, teksa ka thënë se çdo votë ka rëndësi dhe se përgjegjësia për të ardhmen e vendit është e përbashkët.

Kandidati i PDK-së për kryeministër i ka bërë thirrje elektoratit që më 28 dhjetor të zgjedhë stabilitetin mbi pasigurinë, bashkimin mbi përçarjen dhe punën mbi fjalët, duke theksuar se Kosova vetëm si e bashkuar mund të ecë përpara.

“Bashkë mund ta çojmë Kosovën përpara”, ka thënë Hamza në videoadresimin, në të cilin i ka falënderuar qytetarët për angazhimin dhe përgjegjësinë e tyre demokratike gjatë nëntë ditëve të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Abdixhiku premton 1.5 miliardë euro investime për Prishtinën

1 muaj më parë / 25 dhj 2025 22:16 Nga: Sanie Jusufi
Kandidati i Lidhjes Demokratike (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku

Kandidati i Lidhjes Demokratike (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar investim prej 1.5 miliardë eurosh për Prishtinën.

Në një tubim me qytetarë të Prishtinës, në ditën e nëntë të fushatës, Abdixhiku është zotuar se me këto investime kryeqyteti gjatë katër vjetëve të ardhshëm do ta bëhet me unazë të jashtme, qendër kombëtare të sportit dhe me parkun teknologjik.

“LDK nuk është parti e rastit në këtë qytet. LDK është themel i Prishtinës moderne. Është fryma që e mbajti këtë qytet gjallë edhe kur nuk kishte shtet, edhe kur nuk kishte institucione, edhe kur shpresa dukej e largët. Prishtina në këto vite nuk është ndihmuar – është bllokuar. Projekte janë ndalur. Investime janë sabotuar. Vendime komunale janë penguar. Kryeqyteti është trajtuar si kundërshtar politik, jo si zemër e shtetit. Dhe kjo është e papranueshme. Prishtina nuk është pronë e asnjë qeverie. Prishtina është e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

E në një tubim në Lipjan, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është shpresa reale për Kosovën.

“Dhe jo sepse e themi ne, por sepse katër vitet e fundit treguan qartë se pa LDK-në shteti mbetet pa busull. Katër vite me radhë, Kosova humbi kohë të çmuar. Humbëm aleatë, humbëm besim ndërkombëtar, humbëm stabilitet institucional. Institucionet u bllokuan, ligjet u shkelën, Kushtetuta u relativizua. Ekonomia u la në mëshirë të rastit, bizneset u goditën nga presioni dhe pasiguria, ndërsa projektet zhvillimore mbetën në letra. Këto nuk janë gabime teknike, këto janë zgjedhje politike të gabuara”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka thënë se gjatë qeverisjes aktuale puna e sektorit publik dhe atij privat nuk është vlerësuar sa duhet.

“Paga është e ulët krahasuar me koston e jetesës. Inflacioni ua ka ngrënë të ardhurat. Ndërkohë shteti shpesh sillet si barrë, jo si partner. Edhe bizneset e vogla në Lipjan po përballen me vështirësi. Pasiguria institucionale, mungesa e mbështetjes dhe presioni i vazhdueshëm i kanë bërë më të vështira investimet dhe zgjerimin”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se është LDK-ja ajo që sjell alternativë me vizion, program të zbatueshëm dhe ndjeshmëri sociale, duke e vendosur familjen në qendër të politikave shtetërore.

“Pa familje të fortë nuk ka shtet të fortë. Pa familje të qëndrueshme nuk ka zhvillim afatgjatë. Për LDK-në, familja nuk është thjesht një kategori sociale. Familja është pasuria më e madhe kombëtare që ka Kosova. Është vendi ku lind jeta, ku formohet karakteri, ku ruhen gjuha, tradita, morali dhe ndjenja e përkatësisë”, ka theksuar ai.

Kandidati i LDK-së për kryeministër ka pasur kritika edhe pensionet e të moshuarve.

“Çmimet janë rritur, por pensioni ka mbetur i njëjtë. Shumë prej tyre varen nga ndihma e fëmijëve, shumë të tjerë jetojnë me shqetësim të përditshëm. Kjo nuk është pleqëri me dinjitet. Kjo është padrejtësi sociale”, ka theksuar Abdixhiku.

Kritika ai ka shprehur edhe për largimin e të rinjve nga Kosova.

“Të rinjtë e Lipjanit janë plot energji, dije dhe ambicie. Por sot, përballë tyre nuk qëndron shteti që i mbështet, por pasiguria. Diploma nuk garanton punë. Mundësitë janë të pakta. Shumë të rinj po largohen, jo sepse nuk e duan Kosovën, por sepse ndihen të braktisur nga ajo. Dhe çdo i ri që largohet është humbje për Lipjanin dhe për vendin”, ka theksuar Abdixhiku.

E në një tubim me mbështetës të LDK-së në Shtime, Abdixhiku ka thënë se Kosova duhet të investojë seriozisht dhe drejtpërdrejt në familje, të cilën e ka kualifikuar pasuri të madhe kombëtare.

“Prandaj ne kemi marrë një vendim të qartë politik dhe moral: Kosova duhet të investojë te familja, seriozisht dhe drejtpërdrejt. Jo me fjalë, jo me projekte të përkohshme, por me politika të qëndrueshme shtetërore. Sepse familja nuk është barrë për buxhetin; familja është investim në të ardhmen e vendit”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka theksuar se për investime në familje premtimet e LDK-së janë konkrete, të matshme dhe të zbatueshme.

Haradinaj: Vota për AAK-në është votë për rrymë më të lirë

1 muaj më parë / 25 dhj 2025 21:52 Nga: Rrezon Gashi
AAK

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryeministër, Ramush Haradinaj, e ka përsëritur të enjten premtimin për t’i rritur kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike po qe se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit ai e merr pushtetin. 

Në ditën e nëntë të fushatës zgjedhore, Haradinaj nëpërmjet një videoadresimi të publikuar në Facebook ka thënë se gjatë mandatit të tij si kryeministër janë nisur dy projekte për prodhimin e energjisë, njëri me qymyr dhe tjetri me gaz. 

“Ne duhet të prodhojmë energji në Kosovë. I kam pasë filluar dy projekte për prodhim të energjisë në Kosovë: me qymyr edhe gazsjellës. Të dy këto projekte u ndërprenë dhe sot varemi nga tregu dhe çmimet e energjisë varen nga tregtarët. Ju lutem, me numrin 129, pra vota për numrin 129 e kthen prodhimin e energjisë në Kosovë dhe i kthen çmimet e Kosovës, e jo të tregtarëve”, ka thënë Haradinaj në videoadresim.

Ai ka theksuar se këto projekte janë ndërprerë pas largimit të tij nga pushteti, duke ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë. Në këtë video Haradinaj ka shtuar se, ashtu sikurse është formuar ushtria, me mandatin e tij do të rikthehen edhe projektet për prodhimin e energjisë. Ai ka thënë se vota për numrin 129, me të cilin përfaqësohet AAK-ja në këto zgjedhje, nënkupton energji më të lirë për qytetarët. 

“Sa po ju vjen fatura e energjisë sot. Sa po i vjen ekonomisë tonë. Që ta zbresim çmimin e energjisë, votoni 129. E keni në dorën tuaj, ju me votën tuaj e ktheni prodhimin e energjisë në Kosovë. Ashtu si i kemi kryer punët e tjera dikur: pavarësimin energjetik, Trepçën, ushtrinë, do ta kthejmë edhe prodhimin e energjisë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

E në një tjetër videoadresim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, qytetarëve u është bërë thirrje që ta votojnë numrin 129, pasi që vota për AAK-në e nënkupton anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike të NATO-s, rikthimin e qytetarëve në vend si dhe paga me dinjitet për të gjithë.

Haradinaj të enjten e ka takuar edhe këngëtarin Afrim Muqiqi, të cilit ia ka ndarë një mirënjohje për “gjithçka që përfaqëson dhe sjell përmes artit të tij”.

Tubimin qendror zgjedhor AAK-ja e ka mbajtur të enjten në Rahovec. Para qytetarëve të mbledhur në shtëpinë e kulturës “Mensur Zyberaj”, Haradinaj ka premtuar përmirësim të kushteve jetësore.

“Sot, në shtëpinë e kulturës ‘Mensur Zyberaj’ në Rahovec mbajtëm një takim, i cili u bë një premtim mes njerëzve që besojnë se jeta në Kosovë mund të përmirësohet. Aty prezantuam vizionin dhe planin tonë, duke u ndalur qartë te secila nga katër shtyllat kryesore mbi të cilat do të ndërtojmë të ardhmen. Rahoveci na tregoi se di të ruajë dinjitetin dhe të ngrihet kur është koha, e ne po u tregojmë se kur e kemi njëri-tjetrin në krah asgjë nuk e ndal më rrugën përpara”, ka shkruar Haradinaj në Facebook pas tubimit në Rahovec.

Në programin “Krah teje” të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës parashihen disa masa në sektorin e energjisë, përfshirë ndërtimi i termocentralit të ri me kapacitet prodhues deri në 500 MW; ndërtimi i rrjetit të gazit; energji efikase, që ofron furnizim të vazhdueshëm, të stabilizuar dhe me çmim të përballueshëm; ulja e TVSH-së së energjisë elektrike në nivelin 6% për përdoruesit familjarë, si dhe reformimi i metodave të përcaktimit të tarifave për njësi.

Në program AAK-ja parasheh edhe rrymë me tarifë të reduktuar për familjet e dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), si dhe të familjeve të varfra dhe me të ardhura të pakta. 

Në këtë thuhet gjithashtu që synim i AAK-së është që Kosova të shndërrohet nga të qenët importuese e energjisë elektrike në eksportuese të saj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e mëhershme parlamentare, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti, ka marrë 9 për qind të votave. Në këto zgjedhje AAK-ja ka qenë në koalicion me NISMËN Socialdemokrate, e cila udhëhiqet nga Fatmir Limaj. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon e vetme.

Kurti premton tri hekurudha, pesë diga e bileta mujore 10-euroshe për transport publik

1 muaj më parë / 25 dhj 2025 21:45 Nga: Rrezon Gashi
Albin Kurti

Zotim për ndërtimin e tri hekurudhave, të pesë digave dhe për gazifikimin e qymyrit ka bërë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër, Albin Kurti, në ditën e nëntë të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në tubimin në Gjilan, Kurti ka premtuar se edhe qendra e Anamoravës do të bëhet me hekurudhë.

“Mandati i ardhshëm do të jetë edhe mandat i hekurudhave. Hekurudha që lidh aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ me kryeqytetin, hekurudha që lidh Prishtinën, përkatësisht portin e thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit dhe gjithashtu hekurudha që lidh Gjilanin në njërën anë me Bujanocin dhe në të tjetrën me Ferizajn dhe Prizrenin”, ka premtuar Kurti para qytetarëve në Gjilan.

Për udhëtimin me autobusë të transportit publik, kandidati i LVV-së për kryeministër ka premtuar biletë të integruar.

“Do ta kemi edhe biletën e integruar të transportit publik, anembanë, ku trafiku urban e ndërurban mundëson që çdo qytetar i republikës të udhëtojë me vetëm 10 euro në muaj kudo në Kosovë”, është zotuar ai.

Kurti ka thënë po ashtu se në qeverisjen e tij të ardhshme, shteti do të kujdeset për fëmijët, gratë dhe për të moshuarit.

“Një familje që i ka dy fëmijë i merr 60 euro në muaj, një familje që i ka tre fëmijë i merr 135 euro në muaj, tre fëmijë nga 45 euro, e këto do t’i dyfishojmë në mandatin e ardhshëm. Pra, kush i ka tre fëmijë e më shumë i merr 90 euro për secilin fëmijë. Pra, 270 euro i merr për tre fëmijë, 360 euro për katër fëmijë, 450 euro për pesë fëmijë. Pra, sa më shumë fëmijë aq më shumë shteti ndihmon nënat”, ka thënë ai.

Për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti ka kërkuar mbështetje për LVV-në ashtu që ajo ta marrë së paku gjysmën e votave.

“Është shumë e vështirë t’i bie tamam kësaj opozite, po tamam ju mund ta bëni me datën 28 dhjetor, duke fituar Vetëvendosja, Guxo, Alternativa dhe PSHDK mbi 50%”, ka thënë ai.

Kurti ka numëruar edhe punët që qeverisja e tij i ka kryer gjatë më shumë se katër vjet mandat.

“Për katër vjet e nëntë muaj sa jam kryeministër, 74 çerdhe të tilla janë bërë në Kosovë. E ata para neve, për 17 vjet vetëm katër çerdhe, që po i bie as një çerdhe në mandat. Ata as një çerdhe në mandat e ne 74 çerdhe për katër vjet e nëntë muaj, që kur ta krahasosh, të dashur qytetarë, ne jemi 66 herë më të shpjete  se ata kur vjen puna te ndërtimi i çerdheve”, është shprehur ai.

Si tjetër punë të bërë gjatë mandatit të tij, Kurti ka numëruar rritjen e qarkullimit financiar të bizneseve private.

“Krahasojmë me vitin parapandemik 2019, është dyfishimi i qarkullimit të bizneseve në sektorin privat - prej 12.5 miliardë në vitin 2019, 25 miliardë sivjet. E qarkullimi i dyfishuar i bizneseve në Kosovë ka shënuar edhe profit të lartë si asnjëherë më parë, pra ka qenë jo vetëm qarkullim por edhe akumulim”, ka deklaruar ai.

Kurti ka folur edhe për investimet në ushtri teksa ka bërë krahasime me armatimin e Serbisë.

“Është koha e sistemeve moderne të armatimit, jo e tankeve. Unë e di që Serbia ka tanke, por besoni, neve nuk na duhen tanket, por me sistemin antitank që e kemi ne s’i duhen as Serbisë”, ka thënë Kurti.

Ai pati premtime edhe në fushën e energjisë.

“Njëkohësisht do ta ndërmarrim edhe projektin për gazifikimin e qymyrit, në mënyrë që të kemi energji të bollshme dhe sa më të pastër që mundemi. Problemet me furnizim me energji elektrike, të dashur qytetarë, nuk kanë të bëjnë me gjenerimin, nuk kanë të bëjnë me KEK-un, por me operatorët e shpërndarjes e të transmisionit”, është zotuar Kurti.

Kandidati i LVV-së për kryeministër ka premtuar edhe ndërtimin e pesë digave për t’iu përgjigjur relievit të Kosovës.

“Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i pesë digave të reja. Se Kosova jonë e dashur është si një pjatë e kthyer përmbys ku burojnë lumenjtë, por me shpejtësi dalin jashtë në tri dete e derdhen: Adriatik, të Zi dhe Egje. Tash duhet me rezervuare të ujit, me diga ne ta grumbullojmë ujin”, ka premtuar ai.

Kurti: Me sistemin tonë anti-tank, Serbisë nuk i duhen tanket

1 muaj më parë / 25 dhj 2025 19:51
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit tek ka folur për çështjen e sigurisë, ka thënë se është koha e sistemeve moderne të armatimit dhe jo e tankeve.

Në këtë rast ai ka folur për Serbinë, të cilës sipas tij, nuk do t’i duhen tanket, duke marrë parasysh sistemet anti-tank që ka Kosova.

“Është koha e sistemeve moderne të armatimit, jo e tankeve. Unë e di që Serbia ka tanke, por besoni, neve nuk na duhen tanket, por me sistemin anti-tank që e kemi ne, s’i duhen as Serbisë”, ka thënë ai në tubimin në Gjilan.

Aty Kurti ka kërkuar më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai ka thënë se vetëm kjo “mund t’i bjerë tamam opozitës” të cilën e ka akuzuar për bllokadën sivjet.

“Është shumë e vështirë t’i bie tamam kësaj opozite, po tamam ju mund ta bëni me datën 28 dhjetor duke fituar Vetëvendosja, Guxo, Alternativa dhe PSHDK mbi 50%”, ka thënë Kurti.

Ai është lavdëruar për rritje të qarkullimit të bizneseve, për shtesat për fëmijë për të cilat ka premtuar dyfishim të vlerës, e për ndërtim çerdhesh.

Kurti ka premtuar se nëse fiton më 28 dhjetor në mandatin e ardhshëm do të ndërtohen pesë diga të reja.

Ai ka premtuar edhe biletë të integruar të transportit publik anë e mbanë “ku trafiku urban e ndër urban mundëson që çdo qytetar i Republikës të udhëtojë me vetëm 10 euro në muaj kudo në Kosovë”.

Kurti ka premtuar edhe projektin për gazifikim, duke thënë se problemet aktuale me energjinë s’kanë të bëjnë me KEK-un, por me operatorët e shpërndarjes.

Sipas Kurtit “mandati i ardhshëm do të jetë edhe mandat i hekurudhave”.

“Hekurudha që lidh aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me kryeqytetin, hekurudha që lidh Prishtinën, përkatësisht portin e thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit dhe gjithashtu hekurudha që lidhë Gjilanin në njërën anë me Bujanovcin dhe në të tjetrën me Ferizajn dhe Prizrenin”, ka thënë ai.

Hamza premton grante deri në 30% të vlerës së investimit për bizneset e reja dhe ato në zhvillim

1 muaj më parë / 25 dhj 2025 12:15
Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka premtuar mbështetje konkrete për bizneset. Ai ka thënë se nuk ka zhvillim të shtetit pa sektor privat derisa u zotua për grante deri në 30% të vlerës së investimit për bizneset e reja dhe ato në zhvillim.

“Nuk ka zhvillim të shtetit pa sektor privat të suksesshëm. Si kryeministër do të sigurohem që mbështetja për bizneset të jetë e madhe dhe konkrete. TVSH-ja nuk paguhet më në kufi. Ajo do të paguhet brenda vendit pas shitjes së produktit, duke e hequr një barrë të rëndë financiare për bizneset. Do të japim grante investive deri në 30% të vlerës së investimeve për bizneset e reja dhe ato në zhvillim”, ka thënë Hamza.

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, ka premtuar edhe ulje të çmimit të energjisë duke ndërtuar kapacitete të reja energjetike. Hamza u zotua edhe për investim në infratrukturën rrugore e hekurudhore si dhe legalizimin e ndërtimeve pa leje.

“Do të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike për ta ulur çmimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset. Do të investojmë fuqishëm në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore për ta lehtësuar transportin e njerëzve dhe mallrave, brenda dhe jashtë Kosovës. Do ta bëjmë legalizimin e ndërtimeve pa leje duke çliruar miliarda euro kapital të lirë dhe duke i dhënë vlerë pronës së qytetarëve”, ka thënë Hamza përmes një videoje të publikuar në rrjetin e tij social Facebook.