Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, ka premtuar se nëse fiton një mandat do të rriten investimet për çerdhet, shkollat e universitetet dhe do të shtohen mbështetjet për studentët përmes dyfishimit të buxhetit për bursa. E në mbështetje të mërgatës si obligim për mandatin e ardhshëm 100 milionë euro do t’i ndajnë për “Dritaren Për Investime të Diasporës”
Kryeministri në detyrë dhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për një tjetër mandat, Albin Kurti, ka njoftuar të mërkurën se ekzekutivi që udhëheq ka vendosur të ndajë nga 100 euro për fëmijët deri në 16 vjeç dhe për pensionistët.
Në një postim në Facebook, duke i uruar ata për festat, Kurti ka thënë se me fitoren e VV-së, viti i ri vjen më herët.
Ai po ashtu ka kritikuar partitë deri tash në opozitë për mosvotim të buxhetit për vitin 2026.
“Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove. Mosvotimi i buxhetit nga opozita na e ka vështirësuar punën tej mase, mirëpo ne e kemi bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojmë mbështetjen e fundvitit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka premtuar edhe për profesionistët e fushave të mjekësisë e të arsimit.
Në një tubim në Kamenicë me infermierë, mjekë e mësimdhënës, ka thënë se nëse fiton edhe një mandat, do t’ua bëjë një dhuratë.
“Do ta ndërtojmë rrjetin e laboratorëve publikë për të gjitha llojet e analizave dhe po ashtu çdo qytetar i Kosovës do ta ketë një kontroll të plotë vjetor, një check-up, domethënë me i bë analizat një herë në vit, një kontroll me ua bë të gjithë qytetarëve, në mënyrë që në njërën anë, me pas një nivel të ri të mbikëqyrjes shëndetësore, por edhe një shans të madh për parandalimin e sëmundjeve”, ka thënë ai.
Për arsimin në Kamenicë, Kurti ka premtuar se investimet do të rriten për çerdhet, shkollat e universitetet dhe do të shtohen mbështetjet për studentët përmes dyfishimit të buxhetit për bursa.
Ai është shprehur se do ta fuqizohet cilësia e shkollimit të mesëm, ndërsa arsimit dual do t'i shtohen 10 profile të reja, krahas platformës me profile vetjake të secilit të diplomuar për qasje më të lehtë në tregun e punës.
Premtim për mbështetje të bujqve ka bërë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, para qytetarëve në Junik. Këtë mbështetje ai ka thënë se do ta bëjë nëpërmjet kartës E-Fermeri, me anë të së cilës ata do të mund ta përcjellin me anë të celularëve të gjithë procesin e aplikimit për përfitim të subvencioneve.
Nga Juniku, Kurti ka premtuar po ashtu se në qeverisjen e ardhshme do ta realizojë edhe sistemin e drenazhimit dhe të ujitjes, në përkrahje të punës së bujqve. Në ditën e tetë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, kandidati i LVV-së për kryeministër është zotuar për investime prej gjysmë miliardi euro në Brezovicë, ndërsa rreth 250 milionë euro ka premtuar se do t’i investojë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Investime Kurti ka premtuar edhe për qendrën e re turistike “Dukagjini” e Bjeshkët e Nemuna i ka kualifikuar si jashtëzakonisht të përshtatshme për këtë qendër.
Kurti takime pati edhe në fshatin Korenicë, nga aty tha se në mbështetje të mërgatës si obligim për mandatin e ardhshëm 100 milionë euro do t’i ndajnë për “Dritaren për investime të diasporës”.