Zgjedhjet lokale

Meholli premton transport urban e park dyhektarësh në Vushtrri

Sylejman Meholli - LVV - Albin Kurti

Votë për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Vushtrri, Sylejman Meholli, ka kërkuar të enjten kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, gjatë fushatës në këtë qytet. 

Në ecjen nga zyrat e LVV-së deri te Shtëpia Kulturës, Kurti dhe Meholli janë shoqëruar nga një numër simpatizantësh. E për qytetarët e kësaj komune, Meholli ka numëruar disa zotime, mes të cilave rregullimin e transportit urban dhe ndërtimin e parkut të qytetit në një sipërfaqe prej dy hektarësh. 
“Furnizim me ujë, stacion të autobusëve, rregullim të transportit urban, qendër të zejtarëve tradicionalë të Vushtrrisë, parku i qytetit në sipërfaqe prej dy hektarësh, 0.10 cent për litër qumësht e kështu me radhë janë disa prej premtimeve tona kryesore”, ka thënë Meholli.

Në Prishtinë kandidati i LVV-së për kryetar, Harullah Çeku, ka bërë vizitë në Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, ku është zotuar për përkrahjen e qytetarëve të kësaj kategorie. Ai ka thënë se në qendër të programit e ka angazhimin për hapësira publike të qasshme, duke përfshirë lirimin e trotuareve, qasjen në shërbime, transport publik funksional dhe punësim të barabartë. 
Edhe në Mitrovicë kandidati për kryetar, Faton Peci, ka bërë vizitë në selinë e organizatës së personave me aftësi të kufizuara e atyre u ka premtuar të ndërmarrë hapa konkretë drejt garantimit të gjithëpërfshirjes dhe mundësi të barabarta.

“Nga kjo vizitë u zotuam për hapa konkretë që do të sigurojnë: logopedë, psikologë e punëtorë socialë; rregullimin e infrastrukturës për qasje në çdo hapësirë publike, në çdo shkollë dhe institucion; mundësi për punësim dhe trajnime profesionale, qasje të plotë në komunë”, ka thënë ai. 

E kandidati për kryetar të Lipjanit, Ilir Qeriqi, ka shprehur ankesë se në këtë komunë ka drejtorë shkollash “partiakë dhe joprofesionalë”. Ai ka premtuar se arsimi do të jetë prioritet i veçantë gjatë mandatit të tij. Në 6-mujorin e të parë të qeverisjes, ai është zotuar se do ta bëjë vlerësimin e performancës së punës së drejtorëve, teksa e ka paralajmëruar shkarkimin e atyre që nuk e meritojnë pozitën. 

“Do të fillojmë me projektin e qëndrimit gjithëditor të nxënësve në shkolla, do të investojmë në kabinete me mjete dhe teknologji moderne. Nxënësit me nevoja të veçanta do të kenë fokus të veçantë për ne. Do të ndërtojmë një shkollë të re në qytetin e Lipjanit dhe do të rinovojmë shkollat aty ku ka nevojë. Do të ndërmarrim hapa konkretë për të lehtësuar barrët e çantave të fëmijëve. Do të sigurojmë transport publikë për të gjithë nxënësit e të gjithë fshatrave. Do të ndajmë bursa për studentë të dalluar, studentë të drejtimeve deficitare dhe për ata me kushte të rënda sociale”, ka thënë ai.

Në Kaçanik kandidati i LVV-së për kryetar, Jeton Raka, ka premtuar parking nëntokësor që do ta çlirojë qendrën e qytetit nga mbingarkesa e veturave.

“Qendra e qytetit tonë do të bëhet funksionale dhe korzoja do të lirohet nga mbingarkimi me vetura, me parkingun e ri nëntokësor. Siç edhe ju kam premtuar, projekti është gati dhe pas 12 tetorit, 120 parkingjet e reja në këtë nënkalim do ta lirojnë qendrën dhe do t’i japin fund mungesës 25-vjeçare të hapësirave për parking”, ka thënë ai.

E në Gjilan kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat, Alban Hyseni, ka bërë zotimin për ta vazhduar mbështetjen për bizneset, duke krijuar për to kushte më të mira pune.

E kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbrëmje ka vizituar Mitrovicën, ku është takuar me Faton Pecin edhe Erden Atiqin, kryetarin e Mitrovicës së Veriut. 

"Nga jugu në veri, nga veriu në jug, për qytetin e Mitrovicës me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, për komunat me Faton Pecin dhe Erden Atiq", ka shkruar Kurti në Facebook. 

Lexo përditësimet tjera
Vota - ne zgjedhjet 2025

Dita e gjashtë e fushatës