Kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga radhët e LVV-së, Sylejman Meholli, ka shpalosur programin e tij përmes së cilit synon të qeverisë në këtë komunë.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Vushtrrinë”, Meholli ka prezantuar fushën e arsimit si një nga prioritetet kyçe të tij.
Mësimi gjithëditor, transporti falas për nxënësit ishin disa nga premtimet që i ka shpalosur.
“Do të startojmë me mësimin gjithë ditorë në ato shkolla ku plotësohen kriteret, ndërsa në shkollat në qytet kërkohet investime shtesë për shkak të mungesës së hapësirave, do të sigurojmë shujta nga klasa e parë deri në të pestën që kryetari aktual i ka ndërprerë, do të bëjmë rritjen e sigurisë në shkolla, do të bëjmë sigurimin e transportit falas për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të larta”, ka thënë Meholli.
Kandidati i LVV-së ka premtuar edhe hapjen e drejtimit të mjekësisë në kuadër të shkollës profesionale si dhe mbështetje shtesë në arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Gjatë këtij emisioni Meholli u ka premtuar qytetarëve të Vushtrrisë, zgjidhje të problemit me ujë të pijshëm, mbështetje përmes subvencioneve për gratë në biznes si dhe premtime të tjera që lidhen me infrastrukturën.
