Tahiri i LDK-së: Për 3 muaj, të gjithë fshatrat në Vushtrri do të kenë ujë
Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka premtuar se nëse fiton besimin e qytetarëve, atëherë për tre muaj do ta zgjidhë çështjen e ujit të pijshëm, në qytet e fshatra.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Vushtrrinë”, ka thënë se projektin për ujë të pijshëm në gjithë territorin e komunës e ka lënë të gatshëm, sa ishte kryetar nga viti 2017 deri më 2021.
“E bëjmë për 3 muaj këtë punë, sepse nuk ka punë më shumë. Kryetari aktual ka pritur 4 vjet që tash në fund të provoj ta lëshojë ujin dhe ta ketë si trofe në zgjedhje, sepse nuk ka asnjë projekt tjetër të realizuar”, ka thënë ai. “Punët kanë qenë të përfunduara. Rezervuari në Bequk ka qenë i përfunduar. Rezervuari në Dumnicë ka qenë i përfunduar, krejt çka është dashur të bëhet në këto katër vjet është që të blihen pompat, të mbushen këta rezervuar me ujë dhe pastaj të bëhet furnizimi”.
Sipas tij, në mandatin kur ka udhëhequr me komunën, 75 për qind të fshatrave u është siguruar uji i pijshëm.
“Natyrisht që besojmë se e kryejmë, pasi 75 për qind të familjeve të Vushtrrisë i kemi kyçur në ujësjellës në mandatin tonë. Dhe vetëm pandemia Covid ka ndikuar që të mos e përfundojmë me ritmin e filluar projektin për 100 për qind, për çka u kërkoj falje qytetarëve të Vushtrrisë. Ndoshta është dashur të punojmë edhe më shumë që të kemi ujë të pijes”, ka thënë Tahiri.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
Izmaku: Pushteti aktual i Vushtrrisë ia ka huq me udhëheqjen në DKA
Kandidatja për kryetare të Vushtrrisë nga partia Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit aktual, Ferit Idrizi që është edhe kandidat nga radhët e PDK-së.
Izmaku ka thënë se pushteti aktual në këtë komunë ia ka huq me udhëheqjen në DKA.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Vushtrrinë”, kandidatja e Nismës ka deklaruar se në këtë komunë është shkëputur memoria intelektuale sepse në krye të arsimit është vendosur një figurë administrative që ka mundur të jetë një zyrtar i mirë po kurrsesi një drejtor arsimi.
Gjatë këtij debati Izmaku ka thënë se është shqetësuese mungesa e infrastrukturës nëpër shkollat e kësaj komune.
“Në shumicën e shkollave në komunën e Vushtrrisë, fëmijët detyrohen me marr ujë me vete, pra s’kanë ujë të pijshëm në shkollat fillore dhe ato të mesme, mungesa totale të ndriçimit përreth tyre”, tha ajo.
Kandidatja e Nismës ka shpalosur edhe premtimet e saj në këtë fushë.
“ Do të kem interes që siguria për nxënësit të jetë në nivelin më të lartë, do të bëjë dollapë për të gjithë. Për mua ka shumë rëndësi që nxënësit dhe fëmijët tanë në Vushtrri të kenë bursa jo në mënyrë selektive... pra nuk do të ketë ndarje nëse janë tre studentë nga një familje unë do të jap bursa si kryetare e komunës për të tre fëmijët e jo për një sepse kjo nuk ka asnjë logjikë, secili e ka orientimin e vet dhe drejtimin e vet profesional”, ka shtuar Izmaku.
Zgjedhjet lokale do të mbahen me 12 tetor.
Meholli i LVV-së premton transport falas për nxënësit e shkollave të mesme të larta në Vushtrri
Kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga radhët e LVV-së, Sylejman Meholli, ka shpalosur programin e tij përmes së cilit synon të qeverisë në këtë komunë.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Vushtrrinë”, Meholli ka prezantuar fushën e arsimit si një nga prioritetet kyçe të tij.
Mësimi gjithëditor, transporti falas për nxënësit ishin disa nga premtimet që i ka shpalosur.
“Do të startojmë me mësimin gjithë ditorë në ato shkolla ku plotësohen kriteret, ndërsa në shkollat në qytet kërkohet investime shtesë për shkak të mungesës së hapësirave, do të sigurojmë shujta nga klasa e parë deri në të pestën që kryetari aktual i ka ndërprerë, do të bëjmë rritjen e sigurisë në shkolla, do të bëjmë sigurimin e transportit falas për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të larta”, ka thënë Meholli.
Kandidati i LVV-së ka premtuar edhe hapjen e drejtimit të mjekësisë në kuadër të shkollës profesionale si dhe mbështetje shtesë në arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Gjatë këtij emisioni Meholli u ka premtuar qytetarëve të Vushtrrisë, zgjidhje të problemit me ujë të pijshëm, mbështetje përmes subvencioneve për gratë në biznes si dhe premtime të tjera që lidhen me infrastrukturën.