Zgjedhjet 2025

Hamza paralajmëron riorganizim të PDK-së, Abdixhiku përgjegjësi e reflektim në LDK

Me numërimin e votave të fundit që janë dërguar me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka përmbyllur procesin e numërimit. Lëvizja Vetëvendosje është konfirmuar fituese absolute me 51.11 për qind, e pasuar nga PDK-ja dhe LDK-ja, liderët e të cilave nuk janë shprehur të kënaqur me rezultatin. Për këtë shkak, kryetari Bedri Hamza ka paralajmëruar riorganizimin e PDK-së, ndërsa Lumir Abdixhiku reflektim në LDK

486 mijë e 994 është numri total i votave që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka marrë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.

Sipas rezultateve të përmbledhura të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), pas përfundimit të numërimit, kjo parti ka siguruar 51.11 për qind të të gjitha votave apo 57 deputetë në legjislaturën e dhjetë.

Në reagimin e parë të Vetëvendosjes pas përmbylljes së procesit shkruan se rezultati e ka konfirmuar atë si subjektin politik më të votuar në historinë e Kosovës.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që nuk lëshuan pe dhe votuan për siguri dhe begati. Faleminderit secilit për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për fitoren tonë të fuqishme në zgjedhjet e 28 dhjetorit!”, është thënë në reagimin e LVV-së.

Partia Demokratike (PDK) është renditur si parti e dytë me gjithsej 192 mijë e 407 vota, të cilat ia kanë siguruar asaj 22 ulëse në Kuvend.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka paralajmëruar intensifikim të veprimit politik, pas rezultatit elektoral.

“Në një garë të vështirë dhe të pabarabartë, ruajtja e votës sonë është dëshmi se mijëra qytetarë besojnë në punën, seriozitetin dhe vlerat që PDK-ja i përfaqëson. Ky besim na obligon më shumë se kurrë që të riorganizohemi, t’i konsolidojmë radhët tona dhe ta intensifikojmë veprimin politik”, ka shkruar ai në Facebook.

E kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se rezultati zgjedhor ka qenë larg atij që e ka pritur. LDK-ja nga zgjedhjet e 28 dhjetorit është renditur si parti e tretë me gjithsej 126 mijë e 102 vota, apo 15 mandate në Kuvend.

Abdixhiku ka thënë se asnjë individ brenda partisë nuk do t’iu shmanget përgjegjësisë e reflektimit.

“Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendos anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse - mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara. Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme”, ka shkruar Abdixhiku.

E tek e ka komentuar rezultatin elektoral të LDK-së, njohësi i çështjeve politike, Seb Bytyçi, ka vlerësuar se kjo parti ka pësuar më së shumti në zgjedhje, veçanërisht shkaku i debateve dhe qëndrimeve rreth zgjedhjes së nënkryetarit serb në Kuvend gjatë bllokadës institucionale vitin e kaluar.

Ai ka vlerësuar se rezultati është konfirmim edhe i fenomenit të “elektoratit luhatës” që ka ekzistuar prej kohësh në Kosovë dhe që ekziston ende te një pjesë e votuesve që nuk janë të lidhur emocionalisht me asnjë parti politike, por që votojnë në bazë të rrethanave dhe zhvillimeve konkrete politike.

“E pamë edhe në shkurt se një pjesë e elektoratit ishte larguar nga Vetëvendosje në krahasim me vitin 2021, por pas të gjitha peripecive politike, ky elektorat u kthye sërish kryesisht te VV-ja, duke u larguar nga LDK-ja”, ka deklaruar Bytyçi në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.