Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë, i mbijetoi të enjten nismës për shkarkimin e tij.
Në Kuvendin e sotëm morën pjesë rreth 330 delegatë. Aktualisht numri i votave është i paqartë. Disa delegatë kanë thënë se 170 ishin kundër shkarkimit, ndërsa një grup tjetër tha se ishin 169 vota kundër shkarkimit. Pro largimit u raportua të jenë mes 152 dhe 154 vota.
Ky Kuvend u ftua pas zgjedhjeve të 7 qershorit. LDK-ja sërish doli e treta. Në inicim nga delegatët u theksua se Abdixhiku ka dështuar si kryetar. E Abdixhiku i akuzoi për sabotazh ata që nisën iniciativën për shkarkimin e tij.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Abdixhiku takoi kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti për formim të institucioneve. KOHA ka mësuar në burime se ka pasur marrëveshje në parim. Gjithsesi negociatat u pezulluan pas ftesës së këtij Kuvendi.
Abdixhiku është kryetar i LDK-së prej vitit 2021. Atë kohë, Isa Mustafa dha dorëheqje dhe në krye të partisë u zgjodh Lumir Abdixhiku.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, LDK-ja u rrit në 18 për qind, por mbeti e treta. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, rezultati ra në 13 për qind. Abdixhiku ofroi dorëheqjen, por delegatët refuzuan ta pranonin dhe e konfirmuan në krye të partisë.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, partia mbeti sërish e treta, me 16.7 për qind të votave. Abdixhiku e quajti rezultatin sukses. Por degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e tij.
Edhe
Abdixhiku rikonfirmohet kryetar i LDK-së
Pas refuzimit të kësaj kërkese, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Kundër tij haptazi i kanë dalë disa nga figurat më të votuara të partisë si: Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti.
LDK-ja do të ketë Kuvend të rregullt vitin e ardhshëm.