Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku rikonfirmohet kryetar i LDK-së

Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë i ka mbijetuar të enjten nismës për shkarkimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, të mbajtur në Prishtinë. Për qëndrimin e tij në krye të partisë kanë votuar 170 delegatë, derisa 152 ishin për largimin e tij. Nisma për shkarkimin e tij është ndërmarrë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, kur LDK-ja ka dalë sërish parti e tretë me 16.7 për qind të votave

Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë i ka mbijetuar të enjten nismës për shkarkimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, të mbajtur në Prishtinë.

Për qëndrimin e tij në krye të partisë kanë votuar 170 delegatë, derisa 152 ishin për largimin e tij.

Në fjalimin e mbajtur pas Kuvendit, Abdixhiku ka thënë se do t’i shmangë tendencat e përçarjes së partisë dhe të krijimit të krizave që ai i ka quajtur të paqena.

“Do të zotohem dhe do të përpiqem ta bashkoj sa më shumë LDK-në, por pa bërë kompromise mbi vlerat tona, mbi atë që besojmë dhe duke shmangur çfarëdo tendence edhe të përçarjes së LDK-së edhe krijimit të krizave të paqena”, ka thënë ai.

Abdixhiku po ashtu ka vlerësuar se zhvillimi i së enjtes brenda partisë është ndër pikat më pak krenuese të LDK-së në historinë e saj.

“Kur ka garë të brendshme në LDK ka gjithmonë festë, sot nuk ndihemi si në festë, kemi nisur një proces të rrëzimit, shkarkimit, konsideroj si pikën më pak krenuese të LDK-së në historinë e saj 37-vjeçare, por jam shumë falënderues që anëtarësia jonë arriti ta nxjerrë faqebardhë edhe një herë”, është shprehur ai.

Nisma për shkarkimin e tij është ndërmarrë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, kur LDK-ja ka dalë sërish parti e tretë me 16.7 për qind të votave.

Para nisjes së votimit, Abdixhiku në një fjalim të gjatë e ka quajtur Kuvendin të panevojshëm dhe në kohë të gabuar. Po ashtu, ai ka bërë akuza për disa prej zyrtarëve të lartë të partisë, por pa përmendur emra.

E pas përfundimit të votimit, ndër të parët që ka reaguar ishte Vjosa Osmani, në zgjedhje e fundit bartëse e listës së LDK-së.

“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kanë reaguar edhe disa delegatë mbështetës të Abdixhikut, duke e uruar atë për fitoren.

“Ishte vendim i duhur, s’ka pasur fare nevojë për Kuvend në këtë fazë. Rezultati u jep mësim të gjithëve. Nuk nisen proceset që dëmtojnë partinë. Gjithë do të gjejnë vullnetin e rrugën që t’i japim LDK-së qartësinë e duhur”, ka thënë delegati i kësaj partie Berat Rukiqi.

Figura të rëndësishme të kësaj partie, si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Armend Zemaj, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti e të tjerë kanë kërkuar ndryshime në udhëheqje të partisë. Pak prej tyre kanë folur pas mbledhjes.

“Sot e patëm një pikë të rendit të ditës që s’kaloj. 152 ishin për, 170 kundër shkarkimit. Ky është fati politik i LDK-së. Kemi menduar se ndryshimi sjell sukses, shumica kanë menduar se duhet vazhduar me Abdixhikun. Ky është rezultati”, ka thënë Zemaj.

Po cila është historia e kësaj partie dhe cilat janë sfidat që ka kaluar për 37 vjet ekzistencë.

Partia e themeluar më 1989, që për një dekadë e gjysmë u drejtua nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, të enjten mban Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku delegatët do të vendosin nëse Lumir Abdixhiku do të shkarkohet ose do të vazhdojë ta udhëheqë partinë.      

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja u rendit e treta me 16.7 për qind të votave, përkundër rikthimit të Vjosa Osmanit në këtë parti. Është hera e katërt radhazi që ky subjekt politik mbeti forca e tretë në vend.

Në zgjedhjet e para pas luftës, më 2001, LDK-ja nën udhëheqjen e Rugovës fitoi 45.65 për qind të votave. Edhe në vitin 2004 ruajti pothuajse të njëjtin rezultat.

Rënia nisi pas vdekjes së Rugovës në janar të vitit 2006. Në fund të atij viti u mbajtën zgjedhjet e brendshme në parti, e Kuvendi zgjedhor mori epitetin e "Kuvendit të karrigeve", shkaku i përplasjeve fizike që ndodhën. Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetar, ndërsa kundërkandidati i tij, Nexhat Daci, bashkë me mbështetës formuan subjekt të ri politik – Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Në zgjedhjet e vitit 2007, LDK-ja ra në 22 për qind të votave dhe për herë të parë u rendit e dyta, pas PDK-së. Megjithatë, mbeti pjesë e qeverisë në koalicion me rivalin e saj.

Në vitin 2010, Isa Mustafa mori drejtimin e partisë, pasi me vota e mundi Sejdiun, i cili paraprakisht dha dorëheqje nga posti i presidentit, shkaku se Kushtetuesja konstatoi që ai bëri shkelje duke e drejtuar edhe shtetin e edhe partinë. Në zgjedhjet e atij viti LDK-ja mori 24% dhe mbeti në opozitë për herë të parë.

Katër vjet më vonë, në zgjedhjet e 2014-s, partia e Mustafës mori 25%, e pas një bllokade politike, ai formoi qeverinë në koalicion me PDK-në.

Zgjedhjet e vitit 2017 shënuan një tjetër rënie, pasi LDK-ja për herë të parë doli e treta dhe mori 25% të votave. Dy vjet më vonë u rikthye e dyta dhe formoi qeverinë me Vetëvendosjen, por koalicioni zgjati vetëm disa muaj.

Në zgjedhjet e vitit 2021 ndodhi një tjetër përçarje. Vjosa Osmani braktisi LDK-në dhe themeloi partinë ‘Guxo’. Në këtë proces elektoral, LDK-ja regjistroi rezultatin më të dobët në histori, duke siguruar vetëm 12 për qind të votave. Pas këtij rezultati, Isa Mustafa dha dorëheqje dhe në krye të partisë u zgjodh Lumir Abdixhiku.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, LDK-ja u rrit në 18 për qind, por mbeti e treta. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, rezultati ra në 13 për qind. Abdixhiku ofroi dorëheqjen, por delegatët refuzuan ta pranonin dhe e konfirmuan në krye të partisë.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Osmani u rikthye në LDK dhe udhëhoqi listën zgjedhore. Partia mbeti sërish e treta, me 16.7 për qind të votave.

Abdixhiku e quajti rezultatin sukses. Por degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e tij.

Pas refuzimit të kësaj kërkese, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, në të cilin testohet legjitimiteti i Abdixhikut.

Rikonfirmimi i Abdixhikut pritet t’i hapë rrugë vazhdimit të negociatave për formimin e qeverisë.

Afati i fundit për konstituim të Kuvendit është 7 gushti, derisa mbledhja është caktuar për 6 gusht.

LDK-ja u rikthehet negociatave me VV-në

1 muaj më parë / 30 kor 2026 23:24
Albin Kurti Lumir Abdixhiku Vjosa Osmani

Kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij është e hapur për rikthim të menjëhershëm për negociata me Vetëvendosjen për formim të institucioneve.

Ky proces ishte pezulluar për shkak të Kuvendit të ftuar të LDK-së, me inicimin e shkarkimit të Abdixhikut. Por në Kuvend, Abdixhiku mbijetoi votëbesimin.

Në konferencën pas Kuvendit, Abdixhiku ka thënë se nga ky moment e heq pezullimin dhe LDK-ja hapet për diskutim për çështjen e institucioneve.

Abdixhiku ka pranuar po ashtu se në takimin e parë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka pasur diskutime edhe për “balancë të pushteteve”. Sipas tij, kjo nënkupton që një parti e vetme s’mund të udhëheqë me të gjitha institucionet. Ai megjithatë mohoi se ka pasur dakordime të tjera.

Abdixhiku: Do të përpiqem ta bashkoj LDK-në e t’i shmang tendencat e përçarjes

1 muaj më parë / 30 kor 2026 23:12
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i rikonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është zotuar se do të përpiqet ta bashkojë sa më shumë partinë, por pa kompromise mbi vlerat e saj.

Në fjalimin e mbajtur pas Kuvendit të partisë, Abdixhiku ka thënë se do të shmangë tendencat e përçarjes së partisë dhe të krijimit të krizave, që ai i quajti të paqena.

“Do të zotohem dhe do të përpiqem t’i bashkojë sa më shumë LDK-në por pa bërë kompromise mbi vlerat tona, mbi atë që besojmë dhe duke shmangur çfarëdo tendence edhe të përçarjes së LDK-së edhe krijimit të krizave të paqena”, ka thënë ai.

Abdixhiku më tej ka vlerësuar se zhvillimi i sotëm brenda partisë është ndër pikat më pak krenuese të LDK-së në historinë e saj. 

“Kur ka garë të brendshme në LDK ka gjithmonë festë, sot nuk ndihemi si në festë, kemi nisur një proces të rrëzimit, shkarkimit, konsideroj si pikën më pak krenuese të LDK-së në historinë e saj 37-vjeçare, por jam shumë falënderues që anëtarësia jonë arriti ta nxjerrë faqebardhë edhe një herë”, është shprehur ai. 

Ai tutje ka thënë se Kuvendi i sotëm ishte i panevojshëm, sikurse ka qenë e panevojshme që partia të jetë temë tash e disa muaj. 

“Ky Kuvend ka qenë i pakohë dhe padobishëm për LDK-në sepse na ka mbajtur pa asnjë arsye temë tash e disa muaj. Shprehem me plot mbështetje, simpati e keqardhje sepse politikat partiake shpesh iu dëshpërojnë por rezultati i tanishëm është konfirmim i asaj se për çfarë qëndrojmë, mbi të gjitha është detyrim i bashkimit të LDK-së, reformës njëkohësisht dhe dhënies përfundimisht të kontributit tonë partiak në stabilitetin institucional të Republikës. Karriget janë të përkohshme vijnë e shkojnë, por LDK-ja ka mision shumë më të madh që t’i japë stabilitet Kosovës”, ka theksuar Abdixhiku.

Abdixhiku paralajmëron Ramën

1 muaj më parë / 30 kor 2026 23:06
Lumir

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se çdokush që është përfshirë me bindje të drejta në procesin e shkarkimit të tij, ai mund t’i kuptojë. 

Por, ka thënë nga ajo që ka parë prej përgjimeve dhe nëse janë përdorur mekanizma shtetëror për ta trazuar LDK-në, atëherë do të ketë përgjegjësi. Ai ka paralajmëruar edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. 

“Kanë gabuar rëndë gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim, ai ka gabuar rëndë. E anëtarësia e LDK-së nuk e fal këtë gjë”, ka thënë Abdixhiku. 
 

Haziri paralajmëron rikthim të menjëhershëm të bisedimeve me VV-në

1 muaj më parë / 30 kor 2026 22:57
Lutfi Haziri

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka paralajmëruar se qysh nesër do të ketë veprime në kuadër të diskutimeve për bashkëpunim me Vetëvendosjen për formim të institucioneve.

Në deklaratën për media pas Kuvendit të partisë, Haziri ka thënë se Abdixhiku pas rikonfirmimit si kryetar i partisë “nesër e rikthen autorizimin për kërkesën e dytë, e që është po aq e rëndësishme, për bashkëpunimin dhe përfundimisht thyerjen e këtij çarku të mbyllur politik në të cilin ka hyrë Kosova”.

Ai ka thënë se LDK-ja “do të angazhohet në përfaqësimin e interesit të Republikës, qytetarëve dhe të LDK-së”. 

“Nga nesër e tutje në mënyrën e njëjtë duhet të përballohet edhe përmbushja e kërkesës së dytë”, ka thënë ai.

I pyetur për bashkëqeverisjen e mundshme me VV-në, Haziri ka thënë se bëhet fjalë për bashkëpunim “në tri parime”.

“Marrëveshje për të gjitha ose asgjë; kriter i dytë agjenda shtetërore, politikat sektoriale, programet qeverisëse dhe e treta ndarja e përgjegjësive konform të dy të parave”, ka përfunduar ai.

Abdixhiku sot u rikonfirmua si kryetar i LDK-së. Para këtij Kuvendi ai pati mbajtur një takim me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formim të institucioneve. KOHA pati raportuar se është arritur marrëveshje në parim mes dy liderëve. Por negociatat u pezulluan pas Kuvendit të iniciuar për shkarkimin e Abdixhikut nga LDK-ja.

Zemaj: Menduam se ndryshimi sjell sukses, por shumica mendoi ndryshe

1 muaj më parë / 30 kor 2026 22:56
Armend Zemaj

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se ai dhe 151 delegatë tjerë kishin menduar se duhet larguar kryetari i partisë Lumir Abdixhiku. Por, 170 delegatë kanë votuar pro qëndrimit të Abdixhikut dhe Abdixhiku vazhdon të mbetet kryetar i partisë. 

Zemaj ka thënë se në mbledhje të grupit parlamentar të LDK-së do të diskutohen gjitha mundësitë. 

“Sot e patëm një pikë të rendit të ditës, që s’kaloj. 152 ishin për, 170 kundër shkarkimit. Ky është fati politik i LDK-së. Kemi menduar se ndryshimi sjell sukses, shumica kanë menduar se duhet vazhduar me Abdixhikun. Ky është rezultati”, tha Zemaj. 
 

Pantina: Sot fitoi demokracia

1 muaj më parë / 30 kor 2026 22:14
Shqipe Pantina

Delegatja e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina, ka deklaruar se demokracia ka fituar me vazhdimin e Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së.

Ajo ka treguar se 170 vota ishin për vazhdimin e tij, 152 kundër dhe pesë abstenime.

“Rezultati është se Abdixhiku vazhdon të mbesë kryetar. Shpresoj se tash do të flitet për përpara. 170 për, 152 kundër dhe pesë abstenime. Demokracia ka fituar. Unë i respektoj vendimet e shumicës. Nuk ka rëndësi a pajtohem unë apo jo, ka folur shumica. Sot vota ka qenë demokratike”, ka thënë ajo.

Kuvendi i LDK-së pritet të vazhdojë pas 30 minutave, megjithatë për pikat e rendit të ditës po diskuton aktualisht kryesia.

Rexhepi pro koalicioni VV - LDK

1 muaj më parë / 30 kor 2026 22:10
Fatmir Rexhepi

Delegati i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri Fatmir Rexhepi, ka thënë se vlerëson se duhet të ketë një koalicion mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. 

“Rendi është me mbyll këtë temë. I bie duhet të jetë një koalicion. Nuk më takon mua. Si delegat e kam një mendim. Është në interes të vendit me dhënë zgjidhje. LDK-ja e Vetëvendosja me gjet kompromis për presidentin dhe qeverinë e me stabilizu gjendjen. Nëse duan i kanë numrat...Është rendi i shtëpisë, Situata e lyp me u rendit me kriju unitet të veprimeve i cili i jep një zgjidhje të drejtë gjitha çështjeve të Kosovës. I gjithë populli po pret. S’ka nevojë me testu më askënd, zgjidhje tjetër s’ka”, tha Rexhepi. 
 

Osmani për Abdixhikun: Jo çdo fitore është e zakonshme, disa bëhen frymëzim

1 muaj më parë / 30 kor 2026 21:51
Vjosa Osmani - Lumir Abdixhiku

Prijësja e Listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit të 7 qershorit, Vjosa Osmani ka reaguar pas rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut kryetar të LDK-së në mbledhjen e mbajtur të enjten nga Kuvendi i partisë.

Sipas saj, fitoret si kjo e Abdixhikut të enjten nuk janë të zakonshme. 

“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë, i mbijetoi të enjten nismës për shkarkimin e tij. Në Kuvendin e sotëm morën pjesë rreth 330 delegatë. Aktualisht nuk dihet numri i votave pro dhe kundër Abdixhikut.

Rukiqi: Vendim i duhur i delegatëve, s’kishte fare nevojë për Kuvend

1 muaj më parë / 30 kor 2026 21:48
Berat Rukiqi

Delegati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka vlerësuar vendim të duhur votimin e delegatëve për ta mbajtur Lumir Abdixhikun në postin e kryetarit të partisë. 

Delegatët e LDK-së, të enjten në Kuvendin e jashtëzakonshëm, kanë votuar pro-Abdixhikut. 

“Ishte vendim i duhur, s’ka pasur fare nevojë për Kuvend në këtë fazë. Rezultati u jep mësim të gjithëve. Nuk nisen proceset që dëmtojnë partinë. Gjithë do të gjejnë vullnetin e rrugën që me i jep LDK-së qartësinë e duhur”, ka thënë Rukiqi. 
 

Abdixhiku rikonfirmohet kryetar i LDK-së

1 muaj më parë / 30 kor 2026 21:35
LIVE - Abdixhiku: Sot nuk është ditë e lehtë

Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë, i mbijetoi të enjten nismës për shkarkimin e tij. 

Në Kuvendin e sotëm morën pjesë rreth 330 delegatë. Aktualisht numri i votave është i paqartë. Disa delegatë kanë thënë se 170 ishin kundër shkarkimit, ndërsa një grup tjetër tha se ishin 169 vota kundër shkarkimit. Pro largimit u raportua të jenë mes 152 dhe 154 vota.

Ky Kuvend u ftua pas zgjedhjeve të 7 qershorit. LDK-ja sërish doli e treta. Në inicim nga delegatët u theksua se Abdixhiku ka dështuar si kryetar. E Abdixhiku i akuzoi për sabotazh ata që nisën iniciativën për shkarkimin e tij.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Abdixhiku takoi kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti për formim të institucioneve. KOHA ka mësuar në burime se ka pasur marrëveshje në parim. Gjithsesi negociatat u pezulluan pas ftesës së këtij Kuvendi.

Abdixhiku është kryetar i LDK-së prej vitit 2021. Atë kohë, Isa Mustafa dha dorëheqje dhe në krye të partisë u zgjodh Lumir Abdixhiku.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, LDK-ja u rrit në 18 për qind, por mbeti e treta. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, rezultati ra në 13 për qind. Abdixhiku ofroi dorëheqjen, por delegatët refuzuan ta pranonin dhe e konfirmuan në krye të partisë.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, partia mbeti sërish e treta, me 16.7 për qind të votave. Abdixhiku e quajti rezultatin sukses. Por degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e tij.

Pas refuzimit të kësaj kërkese, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.

Kundër tij haptazi i kanë dalë disa nga figurat më të votuara të partisë si: Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti. 

LDK-ja do të ketë Kuvend të rregullt vitin e ardhshëm.

Përfundon votimi, hapen kutitë

1 muaj më parë / 30 kor 2026 21:08
Lumir Abdixhiku

Ka përfunduar votimi në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, mbi kërkesën e një pjese të delegatëve për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Nga vendi i ngjarjes, ekipi i KOHËS raporton se janë hapur kutitë.

Numërimi i votave nuk pritet të zgjasë shumë.

Nis votimi për fatin e Abdixhikut

1 muaj më parë / 30 kor 2026 19:49
Kutitë e votimit

Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë nisur të votojnë lidhur me fatin e kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku. 

Delegatët po votojnë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, nëse duan që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar apo janë për shkarkimin e tij. 
 

Historiku i traumave të partisë më të vjetër në Kosovë, LDK-së

1 muaj më parë / 30 kor 2026 19:02 Nga: Rrezon Gashi
LDK

Dikur forca dominuese politike në Kosovë, me gati gjysmën e votave të qytetarëve, Lidhja Demokratike, sot përpiqet të gjejë rrugën për ta rikthyer peshën e dikurshme në skenën politike.
Partia e themeluar para 37 vjetësh, që për një dekadë e gjysmë u drejtua nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, të enjten mban Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku delegatët do të vendosin nëse Lumir Abdixhiku do të shkarkohet ose do të vazhdojë ta udhëheqë partinë.    

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja u rendit e treta me 16.7 për qind të votave, përkundër rikthimit të Vjosa Osmanit në këtë parti. Është hera e katërt radhazi që ky subjekt politik mbeti forca e tretë në vend.

Në zgjedhjet e para pas luftës, më 2001, LDK-ja nën udhëheqjen e Rugovës fitoi 45.65 për qind të votave. Edhe në vitin 2004 ruajti pothuajse të njëjtin rezultat.

Rënia nisi pas vdekjes së Rugovës në janar të vitit 2006. Në fund të atij viti u mbajtën zgjedhjet e brendshme në parti, e Kuvendi zgjedhor mori epitetin e "Kuvendit të karrigeve", shkaku i përplasjeve fizike që ndodhën. Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetar, ndërsa kundërkandidati i tij, Nexhat Daci, bashkë me mbështetës formuan subjekt të ri politik – Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Në zgjedhjet e vitit 2007, LDK-ja ra në 22 për qind të votave dhe për herë të parë u rendit e dyta, pas PDK-së. Megjithatë, mbeti pjesë e qeverisë në koalicion me rivalin e saj.

Në vitin 2010, Isa Mustafa mori drejtimin e partisë, pasi me vota e mundi Sejdiun, i cili paraprakisht dha dorëheqje nga posti i presidentit shkaku se Kushtetuesja konstatoi që ai bëri shkelje duke e drejtuar edhe shtetin e edhe partinë. Në zgjedhjet e atij viti LDK-ja mori 24% dhe mbeti në opozitë, për herë të parë. 

Katër vjet më vonë, në zgjedhjet e 2014-s, partia e Mustafës mori 25%, e pas një bllokade politike, ai formoi qeverinë në koalicion me PDK-në.

Zgjedhjet e vitit 2017 shënuan një tjetër rënie, pasi LDK-ja për herë të parë doli e treta dhe mori 25% të votave. Dy vjet më vonë u rikthye e dyta dhe formoi qeverinë me Vetëvendosjen, por koalicioni zgjati vetëm disa muaj.

Në zgjedhjet e vitit 2021 ndodhi një tjetër përçarje. Vjosa Osmani braktisi LDK-në dhe themeloi partinë ‘Guxo’. Në këtë proces elektoral, LDK-ja regjistroi rezultatin më të dobët në histori, duke siguruar vetëm 12 për qind të votave. Pas këtij rezultati, Isa Mustafa dha dorëheqje dhe në krye të partisë u zgjodh Lumir Abdixhiku.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, LDK-ja u rrit në 18 për qind, por mbeti e treta. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, rezultati ra në 13 për qind. Abdixhiku ofroi dorëheqjen, por delegatët refuzuan ta pranonin dhe e konfirmuan në krye të partisë.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Osmani u rikthye në LDK dhe udhëhoqi listën zgjedhore. Partia mbeti sërish e treta, me 16.7 për qind të votave.

Abdixhiku e quajti rezultatin sukses. Por degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e tij.

Pas refuzimit të kësaj kërkese, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, në të cilin testohet legjitimiteti i Abdixhikut.

Kundër tij haptazi i kanë dalë disa nga figurat më të votuara të partisë si: Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti. 

Pavarësisht rezultatit, më 6 gusht mbahet seanca konstituive e kuvendit. Në rast të zgjedhjes së kryetarit të parlamentit dhe 5 nënkryetarëve, fillon rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, që në mungesë konsensusi mund ta qojë vendin sërish në zgjedhje.

Abdixhiku: Nismë e gabuar, s’u jap përgjegjësi sabotuesve

1 muaj më parë / 30 kor 2026 18:40
Nis Kuvendi i LDK-së, Abdixhiku: Nismë e gabuar

“Nismë e gabuar, e pa vend e pa kohë”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku për Kuvendin e ftuar sot, me pikën e vetme të rendit të ditës për shkarkimin e tij.

Ai ka thënë se e konsideron të tillë “sepse vjen në mënyrë të njëanshme, të ndjeshme për vendin, përcaktuese për partinë tonë”.

Sipas tij, kjo nismë është e pakohë sepse vjen vetëm pak muaj pas Kuvendit të jashtëzakonshëm e pak para Kuvendit të rregullt.

Abdixhiku ka thënë se ndjen keqardhje për disa anëtarë të partisë, që sipas tij sabotuan partinë në kohën më të rëndësishme.

“Kur refuzohet pjesëmarrja në Këshill të Përgjithshëm, në Kolegjium të degëve, në fushatën e partisë e pas saj kërkohet përgjegjësi, unë e refuzoj këtë logjikë. Ndjej vetëm keqardhje dhe në këtë më duhet të ruaj edhe dinjitetin tim. S’mund t’i jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e partisë, që refuzon betejën më të rëndësishme që mund të kemi teksa fërkon duart për rezultat të keq për të nisur edhe një herë për të satën herë, refrenin e njëjtë. Përgjegjësi i jap vetëm anëtarit, delegatit që ishte në terren”, ka thënë ai.

Pas fjalimit të Abdixhikut, Kuvendi vazhdon me dyer të mbyllura. Në rend dite është vetëm pika për shkarkimin e tij.

Abdixhiku: Këtë Kuvend as nuk e ndiej e as nuk e shoh si festë

1 muaj më parë / 30 kor 2026 18:40
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se zakonisht Kuvendet e partisë janë parë si festë. Por, ai thotë se Kuvendin e sotëm të partisë as nuk po e ndien e as nuk po e sheh si festë. 

“Dua të them me keqardhje të madhe, se këtë Kuvend as nuk e ndiej e as nuk e shoh si festë. Të mbeteni të sigurt se anëtarësia e jonë, e lënduar shumë, as nuk e sheh as nuk ndien. Për herë të parë në historinë tonë 37-vjeçare, to mblidhemi jo për të zgjedhur por për të rrëzuar. Për këtë është mbledhur LDK sot, për të rrëzuar”, Abdixhiku. 

Ai tha se pavarësisht rezultatit “kur rrëzimi është qëllimi i shtëpisë së lirisë, pavarësisë e demokracisë, kur në rrëzim dhe rreth rrëzimit provohet të reduktohet kjo shtëpi, atëherë LDK s’del më e fortë e as më e organizuar e as më e bashkuar”. 

 

Abdixhiku: Sot nuk është ditë e lehtë

1 muaj më parë / 30 kor 2026 18:33
Abdixhiku: Sot nuk është ditë e lehtë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si ditë jo të lehtë Kuvendin e jashtëzakonshëm të ftuar me kërkesën e delegatëve për shkarkimin e tij.

“S’është e lehtë për mua. Jo për shkak të karriges, por sepse është e rëndë të qëndrosh para njerëzve me të cilët ke ecur gjatë dhe se sot nuk na ka mbledhur ajo që duam ta ndërtojmë bashkërisht, por kërkesa që ta rrëzojmë njërin prej nesh”, ka thënë ai.

Në fjalimin në hapje të Kuvendit, Abdixhiku ka thënë se e ka ditur që këtë funksion s’e ka pasur të garantuar përjetësisht.

Tek ka thënë se as s’ka qenë i përkryer e as i gabuar, Abdixhiku ka deklaruar se para vetes ka menduar për LDK-në. 

Imri Ahmeti: Shkarkimi i Abdixhikut është në të mirë të LDK-së

1 muaj më parë / 30 kor 2026 18:16
Imri Ahmeti

Kryetari i Komunës së Lipjanit dhe ish sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti, ka deklaruar se shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit është në të mirë të së ardhmes së partisë dhe të vendit. Ai tha se vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së tij për shkarkimin e Abdixhikut.

Ahmeti përmendi se në janar kishte dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të partisë, si dhe nga posti i kryetarit të Degës së LDK-së në Lipjan.

“Unë kam reflektuar. Qysh në Kuvendin e janarit kam kërkuar dorëheqjen nga posti i sekretarit të partisë dhe kam ofruar edhe dorëheqjen në Kuvendin Komunal si kryetar dege. Të shohim sot Kuvendin nëse do ta fuqizojë idenë tonë për të reflektuar lidhur me rezultatet e zgjedhjeve”, tha Ahmeti.

Ai nuk deshi të komentojë pretendimet për presion./KSP

Haziri: Të gjejmë rrugën më të mirë e të kalojmë te kërkesa e dytë, që është shtetndërtimi

1 muaj më parë / 30 kor 2026 18:09
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se në Kuvend do të shikohet para që të gjendet rruga më e mirë e të kalohet në kërkesën e dytë, që është shtetndërtimi. 

“Përkundër rezultatit të fundit, kemi hy në kufij të debatit të brendshëm të asaj që quhet demokraci e brendshme...Të gjejmë rrugën më të mirë, që këtë kërkesë duke e realizuar e të kalohet në kërkesën e dytë, që është po ashtu e rëndësishme shtetndërtimi, institucionet e Republikës dhe krejt që lidhet me të ardhmen e Republikës”, ka thënë Haziri. 
 

Abdixhiku mbërrin për testin e delegatëve

1 muaj më parë / 30 kor 2026 18:05
Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbërritur në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, për t’u testuar nga delegatët nëse do të vazhdojë si kryetar apo do të shkarkohet.

Ai ka thënë për gazetarët jashtë ambientit se do të mbajë fjalë hyrëse në Kuvend e do të ketë përgjigje për të gjitha çështjet.

Pas kësaj, ai ka thënë se do të mbajë konferencë pas Kuvendit.

Pak sekonda para tij në Kuvend mbërriti nënkryetari Lutfi Haziri.

Hoti e Bajrami nuk flasin para Kuvendit

1 muaj më parë / 30 kor 2026 17:55
Avdullah Hoti

Avdullah Hoti

Photo: Driton Paçarada

Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, nuk ka pranuar të flasë për mediat para Kuvendit të partisë.

“Është në duart e delegatëve”, ka thënë shkurt ai.

E asnjë fjalë nuk e ka thënë deputetja tjetër Hykmete Bajrami.

LDK-ja është mbledhur sot në një Kuvend të jashtëzakonshëm me një pikë të rendit të ditës – shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Gashi: Sot nuk diskutohet për kandidatët për kryetar

1 muaj më parë / 30 kor 2026 17:45
Arben Gashi

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se pret që Kuvendi i jashtëzakonshëm me pikën e vetme të rendit të ditës për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku të jetë i suksesshëm.

Teksa ka bërë të qartë se është pro ndryshimit në kryesi, Gashi ka thënë se sot nuk do të diskutohet për kandidatët që mund të pasojnë Abdixhikun nëse shkarkohet.

“Do të jetë proces demokratik dhe i suksesshëm. Nivel i ri i politikbërjes në Kosovë. Besoj që gjithçka do të shkojë mirë. Sot s’flasim për kandidat. Është hapi i parë e pastaj do të mblidhemi bashkërisht të gjithë për të diskutuar”, ka thënë ai.

Se në LDK duhet të ketë ndryshime e ka thënë para gazetarëve edhe ish-kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri.

Zemaj pret shkarkimin e Abdixhikut

1 muaj më parë / 30 kor 2026 17:36
Armend Zemaj

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, është shprehur optimist se Lumir Abdixhiku do të shkarkohet nga posti i kryetarit të partisë.

Para hyrjes në Kuvendin e jashtëzakonshëm, Zemaj ka thënë se sot diskutohet vetëm për largimin apo qëndrimin e Abdixhikut dhe jo për kandidatura të tjera.

“Besoj që po”, ka thënë ai kur është pyetur nëse pret që nisma të ketë sukses. 

Ferati: Vota e fshehtë, ushtrimi më i mirë i të drejtës demokratike

1 muaj më parë / 30 kor 2026 17:33
Kryetari i Istogut, Ilir Ferati

Photo: Driton Paçarada

Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, sekretari i përgjithshëm i LDK-së ka thënë se ky kuvend do ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës.

Ai ka vlerësuar se LDK-ja po tregohet si shtëpi e debatit demokratik dhe politik, teksa ka thënë se të drejtën demokratike e dëshmon votimi i fshehtë.

“Pritet të ndodhë ushtrimi më i mirë i një të drejte demokratike, vota e fshehtë në raport me mocionin që e kanë ngritur për shkarkim pjesa e delegatëve iniciues, të cilët e kanë plotësuar kushtin statutar për të thirrur një Kuvend të tillë, i cili është në afat rekord prej kryesisë së partisë, duke respektuar normat statutore, pa e konsumuar në tërësi afatin prej 60 ditësh, po në ditën e 15-të Kuvendi veç po mbahet. Të gjitha organizimet teknike veçse janë përfunduar. Tash presim prej orës 6 me ardhë delegatët dhe me i zhvillu punimet e Kuvendit. Kuvendi mbahet me një pikë të rendit të ditës, qysh e kanë ndërtuar kërkesën edhe edhe iniciuesit edhe nënshkruesit e kërkesës”, tha ai.

Ferati pret që Kuvendi të rrjedhë në mënyrë demokratike.

I pyetur se a do të jenë më shumë vota pro apo kundër, Ferati e shmangi pyetjen, duke thënë se qëndrimet e tij janë të qarta.

Lidhja Demokratike e Kosovës mban sot Kuvendin e jashtëzakonshëm. 355 delegatë do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo do të shkarkohet. 

Sadiku: LDK-ja duhet të jetë opozitë e zëshme dhe e guximshme ndaj pushtetit të VV-së

1 muaj më parë / 30 kor 2026 16:43
Ermal Sadiku

Ermal Sadiku, deputet i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë thirrje që partia e tij të mbetet në opozitë ndaj pushtetit të Vetëvendosjes, pa marrë parasysh se kush do ta udhëheqë LDK-në nga sot.

Partia do të mblidhet me fillim prej orës 18:00 për të vendosur nëse kryetari aktual Lumir Abdixhiku do të shkarkohet apo do të vazhdojë si kryetar, pas dështimit në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sadiku ka bërë thirrje që delegatët të votojnë sipas bindjeve personale dhe vizioneve që paraqiten. Megjithatë, ai ka bërë thirrje që LDK-ja të mbetet në opozitë.

“Unë do ta respektoj dhe do ta përkrah çdo lidership që del nga ky Kuvend, sepse ai do të jetë rezultat i një procesi demokratik. Por kam një kërkesë të qartë për secilin që do ta marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së partisë: LDK duhet të jetë një opozitë e zëshme, e guximshme dhe proaktive ndaj pushtetit të Vetvendosjes. Jo për arsye personale, as për interesa partiake, por sepse sinqerisht besoj se kjo qeverisje ka qenë e dëmshme për shtetin tonë”, ka shkruar ai në Facebook, duke numëruar 14 pika, në të cilat sipas tij ka dështuar VV-ja.

Sadiku ka thënë se LDK-ja duhet të bashkohet për t’ia ofruar Kosovës një alternativë më të mirë dhe për ta sfiduar qeverisjen e VV-së.

“Ndoshta strategjia është bashkëqeverisja, për t'u treguar qytetarëve se ne dimë dhe mundemi më mirë. Ndoshta strategjia është një opozitarizëm shumë më aktiv, më i zëshëm dhe më afër qytetarëve. Ndoshta rruga është krejt tjetër. Por, pavarësisht strategjisë, së pari duhet ta pranojmë diagnozën. Duhet ta kuptojmë se ku qëndron problemi i Kosovës sot. Jo sepse e them unë apo dikush tjetër,  POR SEPSE FAKTET DUHET TË JENË THEMELI MBI TË CILIN NËRTOJMË VIZIONIN TONË PËR TË ARDHMEN”, ka përfunduar ai.

LDK-ja do të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm pas kërkesës së një pjese të delegatëve për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Para këtij Kuvendi, Abdixhiku pati takuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të diskutuar për formim institucionesh. KOHA pati raportuar në burime për arritje të marrëveshjes në parim. Megjithatë negociatat u pezulluan deri në përfundimin e Kuvendit.

Rama: Makineria propaganduese e VV-së në aksion ndaj meje, në ditën e Kuvendit të LDK-së

1 muaj më parë / 30 kor 2026 16:30
LDK Lumiri Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Vetëvendosjen se e ka vënë në aksion atë që e ka quajtur makineri propaganduese ndaj tij, pikërisht në ditën e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Krejt makineria propaganduese e Vetëvendosjes qenka qu n’aksion kundër meje, sot në ditën kuvendit të LDK-së! Interesant!”, ka shkruar Rama në Facebook.

Gjatë ditës, Vetëvendosje dorëzoi në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj Ramës dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, me pretendimin se janë përfshirë në legalizime të jashtëligjshme të objekteve.

Baza mbi këtë, sipas VV-së, ishte një sinjalizim anonim që është pranuar përmes emailit te një grup i asamblistëve ditë më parë.

Sot, LDK-ja do të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm pas kërkesës së një pjese të delegatëve për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Rama, që ka fituar në Prishtinë që dy palë zgjedhje nën siglën e LDK-së, është përmendur nga akterë të ndryshëm si figurë që mund të bëhet kryetar i partisë pas Abdixhikut.

Hoti: Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë

1 muaj më parë / 30 kor 2026 10:56
Avdullah Hoti

Avdullah Hoti

Photo: Driton Paçarada

“Demokraci në veprim” e ka quajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se thirrja e Kuvendit tregon se partia ka mekanizmat “statutorë dhe demokratikë për të reflektuar, për t’u konsoliduar dhe për t’u bërë më e fortë”.

Hoti ka theksuar se nga ky kuvend LDK-ja do të dalë e bashkuar, duke shtuar se vullnetit të Kuvendit sot do t'i nënshtrohen të gjithë.

“Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin. Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt. Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së.  Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Hotit, Kuvendi që do të mbahet sot pasdite do ta kthejë LDK-në si forcën kryesore politike. 

“Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë”.