Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë i ka mbijetuar të enjten nismës për shkarkimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, të mbajtur në Prishtinë. Për qëndrimin e tij në krye të partisë kanë votuar 170 delegatë, derisa 152 ishin për largimin e tij. Nisma për shkarkimin e tij është ndërmarrë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, kur LDK-ja ka dalë sërish parti e tretë me 16.7 për qind të votave
Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë i ka mbijetuar të enjten nismës për shkarkimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, të mbajtur në Prishtinë.
Për qëndrimin e tij në krye të partisë kanë votuar 170 delegatë, derisa 152 ishin për largimin e tij.
Në fjalimin e mbajtur pas Kuvendit, Abdixhiku ka thënë se do t’i shmangë tendencat e përçarjes së partisë dhe të krijimit të krizave që ai i ka quajtur të paqena.
“Do të zotohem dhe do të përpiqem ta bashkoj sa më shumë LDK-në, por pa bërë kompromise mbi vlerat tona, mbi atë që besojmë dhe duke shmangur çfarëdo tendence edhe të përçarjes së LDK-së edhe krijimit të krizave të paqena”, ka thënë ai.
Abdixhiku po ashtu ka vlerësuar se zhvillimi i së enjtes brenda partisë është ndër pikat më pak krenuese të LDK-së në historinë e saj.
“Kur ka garë të brendshme në LDK ka gjithmonë festë, sot nuk ndihemi si në festë, kemi nisur një proces të rrëzimit, shkarkimit, konsideroj si pikën më pak krenuese të LDK-së në historinë e saj 37-vjeçare, por jam shumë falënderues që anëtarësia jonë arriti ta nxjerrë faqebardhë edhe një herë”, është shprehur ai.
Nisma për shkarkimin e tij është ndërmarrë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, kur LDK-ja ka dalë sërish parti e tretë me 16.7 për qind të votave.
Para nisjes së votimit, Abdixhiku në një fjalim të gjatë e ka quajtur Kuvendin të panevojshëm dhe në kohë të gabuar. Po ashtu, ai ka bërë akuza për disa prej zyrtarëve të lartë të partisë, por pa përmendur emra.
E pas përfundimit të votimit, ndër të parët që ka reaguar ishte Vjosa Osmani, në zgjedhje e fundit bartëse e listës së LDK-së.
“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kanë reaguar edhe disa delegatë mbështetës të Abdixhikut, duke e uruar atë për fitoren.
“Ishte vendim i duhur, s’ka pasur fare nevojë për Kuvend në këtë fazë. Rezultati u jep mësim të gjithëve. Nuk nisen proceset që dëmtojnë partinë. Gjithë do të gjejnë vullnetin e rrugën që t’i japim LDK-së qartësinë e duhur”, ka thënë delegati i kësaj partie Berat Rukiqi.
Figura të rëndësishme të kësaj partie, si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Armend Zemaj, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti e të tjerë kanë kërkuar ndryshime në udhëheqje të partisë. Pak prej tyre kanë folur pas mbledhjes.
“Sot e patëm një pikë të rendit të ditës që s’kaloj. 152 ishin për, 170 kundër shkarkimit. Ky është fati politik i LDK-së. Kemi menduar se ndryshimi sjell sukses, shumica kanë menduar se duhet vazhduar me Abdixhikun. Ky është rezultati”, ka thënë Zemaj.
Po cila është historia e kësaj partie dhe cilat janë sfidat që ka kaluar për 37 vjet ekzistencë.
Partia e themeluar më 1989, që për një dekadë e gjysmë u drejtua nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, të enjten mban Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku delegatët do të vendosin nëse Lumir Abdixhiku do të shkarkohet ose do të vazhdojë ta udhëheqë partinë.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja u rendit e treta me 16.7 për qind të votave, përkundër rikthimit të Vjosa Osmanit në këtë parti. Është hera e katërt radhazi që ky subjekt politik mbeti forca e tretë në vend.
Në zgjedhjet e para pas luftës, më 2001, LDK-ja nën udhëheqjen e Rugovës fitoi 45.65 për qind të votave. Edhe në vitin 2004 ruajti pothuajse të njëjtin rezultat.
Rënia nisi pas vdekjes së Rugovës në janar të vitit 2006. Në fund të atij viti u mbajtën zgjedhjet e brendshme në parti, e Kuvendi zgjedhor mori epitetin e "Kuvendit të karrigeve", shkaku i përplasjeve fizike që ndodhën. Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetar, ndërsa kundërkandidati i tij, Nexhat Daci, bashkë me mbështetës formuan subjekt të ri politik – Lidhjen Demokratike të Dardanisë.
Në zgjedhjet e vitit 2007, LDK-ja ra në 22 për qind të votave dhe për herë të parë u rendit e dyta, pas PDK-së. Megjithatë, mbeti pjesë e qeverisë në koalicion me rivalin e saj.
Në vitin 2010, Isa Mustafa mori drejtimin e partisë, pasi me vota e mundi Sejdiun, i cili paraprakisht dha dorëheqje nga posti i presidentit, shkaku se Kushtetuesja konstatoi që ai bëri shkelje duke e drejtuar edhe shtetin e edhe partinë. Në zgjedhjet e atij viti LDK-ja mori 24% dhe mbeti në opozitë për herë të parë.
Katër vjet më vonë, në zgjedhjet e 2014-s, partia e Mustafës mori 25%, e pas një bllokade politike, ai formoi qeverinë në koalicion me PDK-në.
Zgjedhjet e vitit 2017 shënuan një tjetër rënie, pasi LDK-ja për herë të parë doli e treta dhe mori 25% të votave. Dy vjet më vonë u rikthye e dyta dhe formoi qeverinë me Vetëvendosjen, por koalicioni zgjati vetëm disa muaj.
Në zgjedhjet e vitit 2021 ndodhi një tjetër përçarje. Vjosa Osmani braktisi LDK-në dhe themeloi partinë ‘Guxo’. Në këtë proces elektoral, LDK-ja regjistroi rezultatin më të dobët në histori, duke siguruar vetëm 12 për qind të votave. Pas këtij rezultati, Isa Mustafa dha dorëheqje dhe në krye të partisë u zgjodh Lumir Abdixhiku.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, LDK-ja u rrit në 18 për qind, por mbeti e treta. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, rezultati ra në 13 për qind. Abdixhiku ofroi dorëheqjen, por delegatët refuzuan ta pranonin dhe e konfirmuan në krye të partisë.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Osmani u rikthye në LDK dhe udhëhoqi listën zgjedhore. Partia mbeti sërish e treta, me 16.7 për qind të votave.
Abdixhiku e quajti rezultatin sukses. Por degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e tij.
Pas refuzimit të kësaj kërkese, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, në të cilin testohet legjitimiteti i Abdixhikut.
Rikonfirmimi i Abdixhikut pritet t’i hapë rrugë vazhdimit të negociatave për formimin e qeverisë.
Afati i fundit për konstituim të Kuvendit është 7 gushti, derisa mbledhja është caktuar për 6 gusht.
Gashi: Sot nuk diskutohet për kandidatët për kryetar
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se pret që Kuvendi i jashtëzakonshëm me pikën e vetme të rendit të ditës për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku të jetë i suksesshëm.
Teksa ka bërë të qartë se është pro ndryshimit në kryesi, Gashi ka thënë se sot nuk do të diskutohet për kandidatët që mund të pasojnë Abdixhikun nëse shkarkohet.
“Do të jetë proces demokratik dhe i suksesshëm. Nivel i ri i politikbërjes në Kosovë. Besoj që gjithçka do të shkojë mirë. Sot s’flasim për kandidat. Është hapi i parë e pastaj do të mblidhemi bashkërisht të gjithë për të diskutuar”, ka thënë ai.
Se në LDK duhet të ketë ndryshime e ka thënë para gazetarëve edhe ish-kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri.
Zemaj pret shkarkimin e Abdixhikut
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, është shprehur optimist se Lumir Abdixhiku do të shkarkohet nga posti i kryetarit të partisë.
Para hyrjes në Kuvendin e jashtëzakonshëm, Zemaj ka thënë se sot diskutohet vetëm për largimin apo qëndrimin e Abdixhikut dhe jo për kandidatura të tjera.
“Besoj që po”, ka thënë ai kur është pyetur nëse pret që nisma të ketë sukses.
Ferati: Vota e fshehtë, ushtrimi më i mirë i të drejtës demokratike
Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, sekretari i përgjithshëm i LDK-së ka thënë se ky kuvend do ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja po tregohet si shtëpi e debatit demokratik dhe politik, teksa ka thënë se të drejtën demokratike e dëshmon votimi i fshehtë.
“Pritet të ndodhë ushtrimi më i mirë i një të drejte demokratike, vota e fshehtë në raport me mocionin që e kanë ngritur për shkarkim pjesa e delegatëve iniciues, të cilët e kanë plotësuar kushtin statutar për të thirrur një Kuvend të tillë, i cili është në afat rekord prej kryesisë së partisë, duke respektuar normat statutore, pa e konsumuar në tërësi afatin prej 60 ditësh, po në ditën e 15-të Kuvendi veç po mbahet. Të gjitha organizimet teknike veçse janë përfunduar. Tash presim prej orës 6 me ardhë delegatët dhe me i zhvillu punimet e Kuvendit. Kuvendi mbahet me një pikë të rendit të ditës, qysh e kanë ndërtuar kërkesën edhe edhe iniciuesit edhe nënshkruesit e kërkesës”, tha ai.
Ferati pret që Kuvendi të rrjedhë në mënyrë demokratike.
I pyetur se a do të jenë më shumë vota pro apo kundër, Ferati e shmangi pyetjen, duke thënë se qëndrimet e tij janë të qarta.
Lidhja Demokratike e Kosovës mban sot Kuvendin e jashtëzakonshëm. 355 delegatë do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo do të shkarkohet.
Sadiku: LDK-ja duhet të jetë opozitë e zëshme dhe e guximshme ndaj pushtetit të VV-së
Ermal Sadiku, deputet i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë thirrje që partia e tij të mbetet në opozitë ndaj pushtetit të Vetëvendosjes, pa marrë parasysh se kush do ta udhëheqë LDK-në nga sot.
Partia do të mblidhet me fillim prej orës 18:00 për të vendosur nëse kryetari aktual Lumir Abdixhiku do të shkarkohet apo do të vazhdojë si kryetar, pas dështimit në zgjedhjet e 7 qershorit.
Sadiku ka bërë thirrje që delegatët të votojnë sipas bindjeve personale dhe vizioneve që paraqiten. Megjithatë, ai ka bërë thirrje që LDK-ja të mbetet në opozitë.
“Unë do ta respektoj dhe do ta përkrah çdo lidership që del nga ky Kuvend, sepse ai do të jetë rezultat i një procesi demokratik. Por kam një kërkesë të qartë për secilin që do ta marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së partisë: LDK duhet të jetë një opozitë e zëshme, e guximshme dhe proaktive ndaj pushtetit të Vetvendosjes. Jo për arsye personale, as për interesa partiake, por sepse sinqerisht besoj se kjo qeverisje ka qenë e dëmshme për shtetin tonë”, ka shkruar ai në Facebook, duke numëruar 14 pika, në të cilat sipas tij ka dështuar VV-ja.
Sadiku ka thënë se LDK-ja duhet të bashkohet për t’ia ofruar Kosovës një alternativë më të mirë dhe për ta sfiduar qeverisjen e VV-së.
“Ndoshta strategjia është bashkëqeverisja, për t'u treguar qytetarëve se ne dimë dhe mundemi më mirë. Ndoshta strategjia është një opozitarizëm shumë më aktiv, më i zëshëm dhe më afër qytetarëve. Ndoshta rruga është krejt tjetër. Por, pavarësisht strategjisë, së pari duhet ta pranojmë diagnozën. Duhet ta kuptojmë se ku qëndron problemi i Kosovës sot. Jo sepse e them unë apo dikush tjetër, POR SEPSE FAKTET DUHET TË JENË THEMELI MBI TË CILIN NËRTOJMË VIZIONIN TONË PËR TË ARDHMEN”, ka përfunduar ai.
LDK-ja do të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm pas kërkesës së një pjese të delegatëve për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Para këtij Kuvendi, Abdixhiku pati takuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të diskutuar për formim institucionesh. KOHA pati raportuar në burime për arritje të marrëveshjes në parim. Megjithatë negociatat u pezulluan deri në përfundimin e Kuvendit.
Rama: Makineria propaganduese e VV-së në aksion ndaj meje, në ditën e Kuvendit të LDK-së
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Vetëvendosjen se e ka vënë në aksion atë që e ka quajtur makineri propaganduese ndaj tij, pikërisht në ditën e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Krejt makineria propaganduese e Vetëvendosjes qenka qu n’aksion kundër meje, sot në ditën kuvendit të LDK-së! Interesant!”, ka shkruar Rama në Facebook.
Gjatë ditës, Vetëvendosje dorëzoi në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj Ramës dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, me pretendimin se janë përfshirë në legalizime të jashtëligjshme të objekteve.
Baza mbi këtë, sipas VV-së, ishte një sinjalizim anonim që është pranuar përmes emailit te një grup i asamblistëve ditë më parë.
Sot, LDK-ja do të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm pas kërkesës së një pjese të delegatëve për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Rama, që ka fituar në Prishtinë që dy palë zgjedhje nën siglën e LDK-së, është përmendur nga akterë të ndryshëm si figurë që mund të bëhet kryetar i partisë pas Abdixhikut.
Hoti: Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë
“Demokraci në veprim” e ka quajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se thirrja e Kuvendit tregon se partia ka mekanizmat “statutorë dhe demokratikë për të reflektuar, për t’u konsoliduar dhe për t’u bërë më e fortë”.
Hoti ka theksuar se nga ky kuvend LDK-ja do të dalë e bashkuar, duke shtuar se vullnetit të Kuvendit sot do t'i nënshtrohen të gjithë.
“Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin. Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt. Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së. Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Hotit, Kuvendi që do të mbahet sot pasdite do ta kthejë LDK-në si forcën kryesore politike.
“Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë”.