Të paktën 13 persona kanë mbetur të vdekur dhe 10 të tjerë të lënduar, si pasojë e një sulmi me dron rus në një stacion hekurudhor në qytetin ukrainas të Dnipros, ka njoftuar Shërbimi Shtetëror i Emergjencave.
Sipas këtij institucioni, droni ka goditur një platformë ku ishin ndalur një tren i udhëtarëve të linjave periferike dhe një tren i linjës së rregullt të pasagjerëve.
Kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Hanza, ka thënë në rrjetet sociale se droni goditi platformën ku ishte ndalur një tren që udhëtonte drejt Zaporizhzhias.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar sulmin në një postim në rrjetin X si një “sulm të tmerrshëm” që goditi trenat e pasagjerëve në Dnipro.
Sulmi ka ndodhur ndërkohë që një armëpushim lokal në qytetin Oleshky, të pushtuar nga Rusia, hyri në ditën e tretë dhe njësitë ushtarake po pastronin zonën nga minat tokësore.
Ndihmat humanitare pritet të mbërrijnë në qytetin e goditur të premten, ka thënë një zyrtar ukrainas.
Moska dhe Kievi kanë respektuar armëpushimin në qytetin e shkatërruar Oleshky dhe përreth tij që nga e marta, pavarësisht se vazhdojnë të jenë në luftë që prej pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, më shumë se katër vjet e gjysmë më parë.
Përpjekjet e mëparshme për të arritur armëpushime ose nuk kanë dhënë rezultat, ose marrëveshjet janë shkelur shumë shpejt.
Armëpushimi i planifikuar për gjashtë ditë ka sjellë gjithashtu një qetësi të rrallë dhe të mirëpritur për civilët në qytetin e afërt të Khersonit, i cili kontrollohet nga Ukraina dhe është goditur rëndë nga lufta.