Arbëri

LDK-ja vazhdon me Abdixhikun kryetar

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që Lumir Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i partisë, pavarësisht dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Abdixhiku ia ofroi dorëheqjen Kuvendit të partisë të shtunën. Megjithatë, në votimin e fshehtë nga delegatët u vendos që Abdixhiku të vazhdojë ende si kryetar i partisë. 

Siç ka mësuar KOHA, në votim 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 pro.

Siç ka raportuar KosovaPress, Abdixhiku në fjalimin pas votimit ka kërkuar “bashkim për ta ringritur partinë”.

“Në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues”, ka thënë ai.

Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend, Abdixhiku pati njoftuar se do ta ofrojë dorëheqjen në Kuvend e se më pas kuvendarët do të vendosin nëse do ta pranojnë apo jo. Por dorëheqjen si akt të kryer e pati cilësuar anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar. 

Për shkak se Kuvendi u mbajt i mbyllur për mediat, nuk dihen detajet tjera lidhur me këtë proces.

Me Abdixhikun në krye, LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit mori vetëm 13 për qind.

Abdixhiku është kryetar i LDK-së që nga 14 marsi i vitit 2021. Më 19 nëntor 2023, ai u rizgjodh si kryetar i partisë. Abdixhiku është pjesë e LDK-së që nga viti 2017.

Lexo përditësimet tjera
LDK kuvend pune

LIVE: LDK-ja vazhdon me Abdixhikun kryetar