Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas konfirmimit për të mbetur në krye të partisë, ka thënë se rruga përpara e kësaj partie është rimëkëmbja.
Ai ka ftuar të gjithë anëtarët e partisë, përfshirë ata të pakënaqurit me punën e tij, që të bashkohen dhe të rreshtohen prapa qëllimeve të partisë.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo s’bëhet me natyrën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve, edhe të kënaqurve me mua por edhe ata sidomos që nuk ishin të kënaqur me mua të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë”, ka thënë ai në një konferencë pas Kuvendit të partisë. “Jemi pak dhe kemi nevojë për secilin e do të punojmë që t’i bëjmë bashkë të gjithë”.
Ka bërë të ditur se në këtë Kuvend janë miratuar dy deklarata, një për gjendjen politike në Kosovë dhe tjetra për riorganizimin e LDK-së. Ka thënë se nuk është folur për koalicione apo pozicione specifike, por për “vlera orientuese si një parti që do stabilitet”.
Edhe kryesia e re do të ketë proces të votimit të njëjtë si kryetari, ka bërë të ditur Abdixhiku.
Abdixhiku ka deklaruar se do të pritet “LDK më aktive e më reflektuese”.