Arbëri

Abdixhiku shkon si i dorëhequr, del i fuqizuar me kompetenca

LDK - Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Lumir Abdixhiku do të mbetet kryetar i LDK-së. Kundër dorëheqjes që ia paraqiti Kuvendit, votuan 164 delegatë, ndërsa për 136, një raport përqindjeje 54.7 me 45.3. Organi më i lartë partiak i ka dhënë atij më shumë autorizime, ndërsa ka vendosur për riorganizim e ristrukturim të thellë, i cili përfshin edhe ndryshimin e përbërjes së kryesisë. Me të rimarrë legjitimitetin pas tkurrjes së partisë, Abdixhiku tha se rruga përpara është rimëkëmbja e LDK-së

Kuvendi i Lidhjes Demokratike ka amnistuar të shtunën vetëm kryetarin Lumir Abdixhiku, për rezultatin zhgënjyes në zgjedhjet e parakohshme. Organi më i lartë partiak nuk ia ka miratuar dorëheqjen atij, i ka dhënë më shumë autorizime, ndërsa ka vendosur për riorganizim e ristrukturim të thellë, i cili përfshin edhe ndryshimin e përbërjes së kryesisë.

“Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i kërkon kryetarit të LDK-së formimin e një kryesie të re statutare, e cila do të shërbejë si organi kryesor për marrjen e vendimeve politike dhe për drejtimin strategjik të partisë”, thuhet në deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e kësaj partie. “Kuvendi e autorizon kryetarin, që në konsultim me nënkryetarët e LDK-së, të caktojë përbërjen e Kryesisë së re, brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm”.

Kuvendi i ka dhënë edhe një autorizim tjetër Abdixhikut. LDK-së i ka kërkuar ta hartojë Programin Kombëtar Politik që e pozicionon partinë “si forcë qeverisëse, faktor stabiliteti institucional dhe bartëse të përgjegjësisë shtetërore”. Ndërkaq, “mbështetje dhe autorizim të plotë” i ka dhënë kryetarit të partisë “për të udhëhequr dhe përfaqësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në të gjitha proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale, në përputhje me parimet programore, interesin publik dhe përgjegjësinë shtetërore të LDK-së. Bazuar në deklaratë, kryetari i LDK-së “do të ndërtojë pozicionet politike të partisë në konsultim me organet legjitime partiake, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen në tërësi nga të gjitha strukturat e LDK-së”.

Abdixhiku paraqiti dorëheqjen, por jo të pakthyeshme, pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit të 2025-tës. LDK-ja mbeti parti e tretë, por krahasuar me zgjedhjet e shkurtit të të njëjtit vit, humbi çerekun e numrit të deputetëve.

Për miratimin ose jo të dorëheqjes së Abdixhikut, anëtarët e Kuvendit të LDK-së vendosën nëpërmjet votimit të fshehtë. Kjo pjesë e punimeve të Kuvendit është mbyllur për media. Por, bazuar në burime të KOHËS, 164 delegatë votuan kundër miratimit të dorëheqjes, ndërsa 136 pro, një raport përqindjeje 54.7 me 45.3.

Pasi LDK-ja i dha legjitimitet që ta drejtojë partinë, Abdixhiku tha se rruga përpara është rimëkëmbja.

Ai ka ftuar të gjithë bashkëpartiakët, përfshirë të pakënaqurit me punën e tij, që të bashkohen dhe të rreshtohen prapa qëllimeve të partisë.

“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo s’bëhet me natyrën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve, edhe të kënaqurve me mua, por edhe ata sidomos që nuk ishin të kënaqur me mua, të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë”, ka thënë Abdixhiku, në një konferencë pas Kuvendit të partisë. “Jemi pak dhe kemi nevojë për secilin, e do të punojmë që t’i bëjmë bashkë të gjithë”.

Por, Kuvendi që e ka rikonfirmuar Abdixhikun kryetar, ka vendosur për riorganizimin e LDK-së. Kjo parti do ta ketë edhe kryesinë e re.

Abdixhiku ka bërë të ditur se kryesia e re do të ketë proces të votimit të njëjtë si kryetari, dhe ka paralajmëruar se pritet “LDK më aktive e më reflektuese”.

Kritikë e kërcënim

Abdixhiku testoi legjitimitetin, pas pesë vjetësh në krye të LDK-së.

Në fjalimin e tij që e mbajti para anëtarëve të Kuvendit, në nisje të punimeve, ai kumtoi se dorëheqjen e paraqet para anëtarëve të cilët duhet të vendosin nëse ai duhet ta drejtojë më tej partinë ose jo.

Para se të vinte radha e përgjigjes, u shpreh i prekur nga bashkëpunëtorët që ia kërkuan dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit, në mesin e tyre Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami.

“Nuk u mjaftonte paralajmërimi për dorëheqje të ofruar në Kuvend, u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. Ik, lësho vend, m’u tha. Më pas, ajo kërkesë u shndërrua në ultimatum. Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa dhe dhanë, ndonëse e tëra çfarë kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim”, ka thënë Abdixhiku.

Ndonëse në fjalimin e tij të gjatë e mori përgjegjësinë për rënien e LDK-së, një pjesë të saj e shpërndau edhe te strukturat.

“Nëse është faji te prijësi i partisë, zgjidhja është krejt e lehtë. Ndërrohet. Bëhet tjetri. Por nëse struktura jonë nuk arrin ta mbajë të njëjtin intensitet, disiplinë dhe mobilizim në çdo cikël zgjedhor, atëherë kemi problem më të thellë; kemi problem organizativ”, tha Abdixhiku.

U ankua se brenda LDK-së ka marrë goditje që i ka kamufluar si sjellje të shprehjes së lirë.

Ndërkaq, sugjeroi që ata që nuk ndihen të përfaqësuar në LDK, të mos ua zënë vendin atyre që e shkrijnë veten për partinë.

“Shumë sy kanë qenë të drejtuar kah kjo karrige pas meje. I kuptoj. I respektoj. Kjo shtëpi ka nevojë për ambicien e secilit. Por shpesh, kam përshtypjen se ajo është lakmuar më shumë sesa është kuptuar”, ka thënë ai.

Pas fjalimit Abdixhiku u respektua nga delegatët me duartrokitje e me ngritje në këmbë.

Të njëjtin respekt nuk e treguan bashkëpartiakët Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Arben Gashi.

E, në deklaratën e Kuvendit janë paralajmëruar “rebelët” e LDK-së.

Kuvendi ka kërkuar respektim të plotë, të pakushtëzuar dhe të vazhdueshëm të vendimeve të Kryesisë së LDK-së nga të gjitha strukturat partiake, pasi këto vendime të kenë kaluar procesin e rregullt të debatit, konsultimit dhe vendimmarrjes kolegjiale.

“Kuvendi thekson se demokracia e brendshme nënkupton debat të lirë para vendimit dhe respekt të vendimit të shumicës pas marrjes së tij”, thuhet në pikën 2.2 të Deklaratës. “Çdo formë e individualizmit politik që cenon vendimmarrjen kolektive, unitetin organizativ dhe funksionimin e partisë, do të trajtohet përmes mekanizmave statutare, në përputhje me Statutin e LDK-së dhe parimet e përgjegjësisë politike”, vijohet në paragrafin pasues.

Dilema e delegatëve

E, jo të gjithë 355 delegatët e LDK-së që u mblodhën në Kuvendin e partisë, e patën informatën se çfarë do të bënin aty saktësisht.

Kuvendi u thirr nga kryetari Lumir Abdixhiku, për t’ia shqyrtuar dorëheqjen që e paraqiti pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit.

Por, disa nga delegatët thanë se agjenda e kësaj mbledhjeje ishte e paqartë. Ata nuk e dinin nëse do të mbahej Kuvend i punës, i votëbesimit, apo Kuvend zgjedhor, meqë pas dorëheqjes së Abdixhikut, u shpall edhe një kandidaturë për kryetar – ajo e Avdullah Hotit.

“Ftesa nuk është shumë e qartë. Janë tri modalitete të takimit të Kuvendit si organi më i lartë i LDK-së. E para, mund të jetë takim pune, takim zgjedhor, apo i votëbesimit. Siç e keni parë në ftesë nuk është e saktësuar”, ka thënë Valon Murtezaj, anëtar i Kuvendit.

Në këtë linjë ka folur edhe ish-deputeti Driton Selmanaj, që po kështu është anëtar i Kuvendit.

“Sot nuk e kemi të qartë krejtësisht agjendën. Kjo nuk është shenjë e mirë. Është dashur mbrëmë ta kishim të qartë a do të votohet për votëbesim apo do të kemi shqyrtim të dorëheqjes”, ka thënë ai.

Por, sekretari i LDK-së, Imri Ahmeti, tha se nuk ka hapësirë për paqartësi.

Ai paralajmëroi se në mbledhje nuk do të merren me ata që shprehën ambicien për postin e kryetarit, por vetëm me dorëheqjet, e që një të tillë e paralajmëroi edhe për veten.

“Nuk ka garë zgjedhore, nuk ka kandidatura. Jemi në një fazë të shqyrtimit të dorëheqjes së kryetarit aktual. Në rast se ky Kuvend e aprovon dorëheqjen, atëherë shkohet në një proces tjetër zgjedhor”, ka thënë Ahmeti.

E kryetari Abdixhiku tha se Kuvendi është i lirë të veprojë si të dojë në këtë mbledhje, edhe të hapë garë zgjedhore nëse e sheh të arsyeshme.

“Unë kam bërë gjënë më fisnike që mund ta bëj, t’ia lë këtë fat anëtarësisë dhe besoj që anëtarësia jonë është e matur, kanë përkushtim për LDK-në, i njeh nevojat e LDK-së dhe do ta marrë vendimin e lirë pa asnjë presion politik”, ka thënë Abdixhiku.

Kuvendi i LDK-së i hapi punimet si Kuvend i punës, në të cilin u hodh në votim dorëheqja e Abdixhikut nga pozita e kryetarit të LDK-së, pasi kjo parti në zgjedhjet e  jashtëzakonshme humbi çerekun e numrit të deputetëve që i fitoi në shkurtin e vjetëm.

Abdixhiku i hapur të diskutojë për presidentin

Kryetari i sapokonfirmuar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij është e hapur për diskutime për postin e presidentit. Gatishmërinë e ka shprehur një ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e drejton partinë fituese të zgjedhjeve, ka shprehur synimin për të negociuar me opozitën për kandidatin për president, meqë për nisjen e procesit të votimit kërkohen së paku 80 vota në Kuvend.

“Kemi diskutuar se na duhet diskutim brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike s’kemi fjalën për pazare. Por që duhet të ulen që të bëhen numrat për një president të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Prandaj jam i gatshëm të flas me të gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes së presidentit që duhet të jetë konsensual, dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë për media pasi delegatët e partisë ia refuzuan dorëheqjen.

Ai thënë se po ashtu LDK-ja ka gatishmëri që të diskutojë me këdo për çështje të stabilitetit politik.

Në një konferencë për media, Abdixhiku ka thënë po ashtu se LDK-ja do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se posti i nënkryetarit serb të Kuvendit i takon të propozohet nga shumica e deputetëve që përfaqësojnë këtë komunitet.

Lexo përditësimet tjera
LDK kuvend pune

LDK-ja vazhdon me Abdixhikun kryetar