Ndeshja e kategorisë së dytë holandeze mes Vitesses dhe De Graafshapit u anulua të dielën pasi tifozët e ekipit mysafir bllokuan autobusin. Tifozët e penguan autobusin e skuadrës së tyre të nisej për në ndeshje.
De Graafschap kishte njoftuar të shtunën se tifozëve të këtij klubi u ishte ndaluar pjesëmarrja në ndeshjen në Arnhem, pasi grupet e tifozëve nuk kishin arritur marrëveshje me autoritetet lidhur me reduktimin e numrit të biletave dhe masa të tjera sigurie.
Sipas raportimeve në mediat holandeze, tifozët e De Graafschap u mblodhën jashtë stadiumit në Doetinchem herët të dielën dhe bllokuan nisjen e autobusit.
Federata e Futbollit e Holandës njoftoi përmes një deklarate se ndeshja nuk do të zhvillohej të dielën dhe se çështja do t’u referohej organeve disiplinore.
“Është një situatë e papranueshme që ndeshja Vitesse – De Graafschap nuk mund të zhvillohet në këtë mënyrë. Fakti që tifozët e bëjnë të pamundur zhvillimin e futbollit është plotësisht i patolerueshëm”, thuhet në deklaratë.
“Duke vepruar kështu, ata dëmtojnë klubin e tyre, ekipin e tyre, sportin dhe mijëra tifozë që vijë për të ndjekur futbollin”.
De Graafschap u shpreh se ishte tronditur nga ky incident.
“Duam të lëmë që emocionet fillestare të qetësohen dhe të krijojmë një pasqyrë të plotë, përpara se të dalim me një reagim më të detajuar”, ka shkruar ky klub.
Ndërkohë klubi lëshoi deklaratë tjetër ku tha se ka prekur pikë të ulët në histori. Klubi kupton frustrimin e tifozëve, por thotë se është kaluar kufiri që asnjëherë nuk duhet të kalohet. De Graafschap ka vendosur të heq dorë nga përkrahja e tifozëve për ndeshjet në udhëtim deri më 31 mars 2027. Po ashtu ka paralajmëruar masa disiplinore ndaj të përfshirëve. Me çështjen e bllokimit të autobusit po merret edhe policia.
Drejtuesi i Vitesses, Willem van de Linden, e cilësoi anulimin si “zhgënjim të madh”.
“Një derbi i mrekullueshëm i Gelderlandit, mes dy klubeve rajonale dhe në një stadium të mbushur, nuk u zhvillua. Ne si klub bëmë çdo gjë të mundur që ndeshja të zhvillohet”, ka thënë ai.