Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Kryesisë dhe Kolegjiumit të Degëve ka bërë të ditur se kjo parti ka nisur debatin e brendshëm paszgjedhor, ndërsa ka mohuar se ka pasur ndonjë ftesë apo takim me partitë e tjera politike për formimin e institucioneve.
I pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, Haziri deklaroi se nuk kanë pranuar akoma ndonjë ftesë porse duhet stabilitet institucional. Sipas tij zgjedhje të reja nuk po duan më as qytetarët dhe këtë e treguan në zgjedhjet e fundit.
“Jemi në kuadër të parimeve politike. Këto janë ato të cilat besoj këto ditë do të zbardhen, janë apo nuk janë pjesë e bashkëpunimit. Zgjedhja është shumë e mirë, ose të çojmë vendin në stabilitet institucional përmes bashkëpunimit ose riciklohet kriza. Ricklimi i krizës nënkupton zgjedhje të reja për të cilat ne po punojmë t’i parandalojmë sepse këtë nuk po e dojnë qytetarët. Ata kanë kërkuar me votën e tyre që as të mos sillesh arrogant nëse ke marrë shumë besim por as të mos sillesh bllokues nëse ke marrë më pak besim”, ka deklaruar Haziri.
Haziri ka deklaruar se vendimmarrja për hapat e mëtejmë do të bëhet në organet e partisë, ndërsa theksoi se grupi parlamentar do ta ketë rolin vendimtar.
“Debati ynë i brendshëm sot ka filluar, një organ është mbyllur dhe do të vazhdohet me organet e tjera. Vendimmarrës është lidershipi i LDK-së, ndërsa grupi i deputetëve e ka sovranitetin qytetar. Janë 18 deputetë që në fund do ta kenë edhe rolin, edhe peshën, edhe fjalën e vet. Ne ndërtojmë konsensus sa më të gjerë politik. Gjithçka që synon ta shohë LDK-në më të fortë, më unike dhe më të fuqishme është qëllim i përbashkët. Mund të kemi dallime për rrugën, por për qëllimin nuk kemi asnjë dallim”, u shpreh Haziri.
Edhe
Ndryshimi i qëndrimit të LDK-së “hesht” Vetëvendosjen
I pyetur për kërkesat e disa degëve të LDK-së që të dorëhiqet kryetari Lumir Abdixhiku, Haziri është shprehur se ato kanë qenë veprime paszgjedhore për të cilat u diskutua në mbledhjen e sotme.
Ai theksoi se debati i brendshëm i LDK-së në situatën paszgjedhore ka filluar sot e do të vazhdojë edhe më tutje.
“Debati i brendshëm i LDK-së në situatën paszgjedhore ka filluar sot. Natyrisht që disa degë dhe kolegë tanë kanë bërë veprime paszgjedhore duke shkaktuar edhe procese, por sot ne në kolegjin e degëve diskutuam, analizuam numrat, vlerësimet e para që dalin nga rezultati zgjedhor. Numrat janë ata që LDK-së i kanë dhënë këtë peshë politike. Ne jemi me një grup parlamentar prej 18 deputetësh. Pak a shumë një situatë paszgjedhore, në të cilën ne besojmë shumë që do të arrijmë me përmbyllë këtë proces pas certifikimit të rezultateve zgjedhore”, ka thënë Haziri.
Disa degë të LDK-së kanë kërkuar ditë më parë dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, pasi kjo parti doli sërish e treta në zgjedhje parlamentare.
Edhe
LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë, do president jopartiak
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja mbeti e treta. Ajo mori 16.69 për qind të votave, ndërsa në Kuvend u rrit për tre deputetë. Në listë ajo riktheu ish-presidenten Vjosa Osmani që në fushatë u proklamua si “bashkimi i madh i së djathtës”.
Abdixhiku mori mbështetjen e partisë për të vazhduar si kryetar më 31 janar, kur u votëbesua nga anëtarësia pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Edhe atëherë ishte forcë e tretë, por me 13.24 për qind të votave.