Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haziri: Nëse ka vullnet nga LVV-ja, LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore

Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 20 korrik, është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve. 

Ai ka theksuar se me gjithë dallimet e dukshme përbrenda LDK-së, ajo tash gjendet përballë ofertës nga partia e parë fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, për bashkëpunim. 

Parimet, të cilat LDK i ka shprehur si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në janë: marrëveshje për të gjitha (institucionet; Kuvend, Qeveri, Presidencë) ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, thekson Haziri.

Ai shton se që nga bisedimet e para formale, të zhvilluara mes Kurtit, kryetarit Lumir Abdixhikut dhe ish-presidentes Vjosa Osmani më 10 korrik, LVV-ja është njoftuar për parimet mbi të cilat LDK-ja e sheh një marrëveshje të mundshme.

Edhe Haziri paralajmëron rikthim të menjëhershëm të bisedimeve me VV-në Arbëri Haziri paralajmëron rikthim të menjëhershëm të bisedimeve me VV-në

Sipas tij, tani i takon LVV-së, që në bisedimet e ardhshme, të tregojë nëse i respekton dhe pajtohet me këto parime.

Haziri thotë se në rast se arrihet pajtimi, uniteti i Grupit parlamentar të LDK-së mund të sigurohet përmes bashkëpunimit të brendshëm.

“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve [në LDK] nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, thekson Haziri.

Ai shprehu besimin në pjekurinë politike të Grupit Parlamentar të LDK-së, për një unitet rreth vendimeve të kreut të partisë.

Bisedimet e LDK-së me LVV-në për një marrëveshje të mundshme u pezulluan më 15 korrik, për shkak të kërkesës së një pjese të zyrtarëve të LDK-së për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas pakënaqësive për rezultatin zgjedhor.

Abdixhiku i mbijetoi mocionit për shkarkim, por dallimet dhe mospajtimet brenda LDK-së, të cilat janë shpërfaqur përmes votimit për dhe kundër tij, mbeten të qarta, vlerësojnë zyrtarë të lartë të LDK-së, por edhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Krijimi i unitetit në LDK rreth një vendimi të përbashkët të 18 deputetëve të saj lidhur me një marrëveshje eventuale me LVV-në, mbetet sfidë. Në mesin e tyre ka edhe persona që votuan për largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë.

Edhe Kurti e Abidxhiku ende pa propozim për president Arbëri Kurti e Abidxhiku ende pa propozim për president

Por, një marrëveshje e mundshme ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, ende nuk duket në horizont, ndonëse kanë mbetur më pak se një javë deri në seancën konstituive të Kosovës, të caktuar më 6 gusht.

Me konstituimin e Kuvendit, nis rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, por edhe zgjedhjen e presidentit. Për këtë të fundit, deputetët e legjislaturës së re do të kenë kohë 60 ditë nga data e konstituimit të Kuvendit që ta votojnë kreun e ri të shtetit.