Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Specialja do ta hetojë përgjegjësinë e zyrtarëve të shtetit në rastin e Arlinda Zekajt

Arlinda Zekaj

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Speciale ka pranuar para pak ditësh dosjen lidhur me dyshimet për mosveprim të zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Sipas ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, hetimi do të përqendrohet në përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve për neglizhencë të mundshme, e cila mund të ketë ndikuar në kryerjen e vrasjes

Para tri ditësh, Prokuroria Speciale e ka pranuar dosjen lidhur me dyshimet për mosveprim të zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e vrasjes më 25 tetor, të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka thënë të mërkurën se dosja është në shqyrtim dhe se hetimi do të përqendrohet në përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve për neglizhencë, e cila mund të ketë ndikuar në kryerjen e vrasjes.

“Prokuroria Speciale e ka këtë rast në shqyrtim, por vetëm sa u përket zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, eventualisht si të jenë, mund të jenë të përfshirë në rast, ndërsa raste të tjera, besoj veç se jeni informuar tashmë edhe nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, janë duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”, ka thënë Paca.

E gjatë ditës, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka vizituar familjen e Arlinda Zekajt.

Haxhiu ka shprehur mbështetjen për punën e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili është konstituuar të hënën për të hetuar veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Zekajt dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Ajo ka kërkuar që të gjithë zyrtarët që do të ftohen për të dëshmuar para komisionit t’u përgjigjen kërkesave dhe të bashkëpunojnë.

I dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt është ish-kunati i saj, tashmë i arrestuar.

Para se të vritej, ajo ka raportuar dhunën në familje dhe ka kërkuar mbrojtje nga institucionet përgjegjëse. Madje, disa orë më herët e ka raportuar ish-bashkëshortin për dhunë, me ç ‘rast ai ishte ndaluar për 48 orë.