Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetë e njohës të çështjeve të sigurisë thonë se buxheti për Policinë është i pamjaftueshëm

Diplomon gjenerata e 45-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Projektbuxheti për vitin 2027 në vlerë 4.3 miliardë euro është dërguar në Kuvend për votim. 177 milionë euro janë paraparë për Policinë, por sipas deputetëve opozitarë e njohësve të çështjeve të sigurisë, kjo shumë është e pamjaftueshme për t’i adresuar gjithë nevojat që ka ky institucion

Buxheti prej 177 milionë eurosh i paraparë për Policinë, nuk premton të adresojë shqetësimet me të cilat përballet ky institucion, kanë vlerësuar deputetë nga opozita e njohës të çështjeve të sigurisë.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se kushtet në Polici janë alarmante dhe se buxheti i ndarë për vitin 2027, nuk është reformues.

“Motivi i lartë patriotik e profesional i policëve po e mban institucionin në nivel të lartë përkundër kushteve të rënda të punës. Fatkeqësisht buxheti për vitin 2027 për Policinë nuk është reformues dhe avancues. Është njëlloj mbajtje e gjendjes. Mungesa e investimeve kapitale, sikurse ishte në vitin 2026, është shenjë serioze e keqmenaxhimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Ramadani.

E ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, u shpreh se problematikat me uniforma, pajisje logjistike e gjëra të tjera me të cilat përballet aktualisht Policia, janë shqetësuese. Sipas tij, do të duhej planifikim më i mirë.

“Natyrisht që buxheti duhet t’i adresojë këto shqetësime dhe për të pasur buxhet të mirëfilltë që i plotëson të paktën rreth 90 për qind të nevojave reale të Policisë, do të duhej një planifikim i mirë dhe i duhur me kohë që të adresohen saktë mangësitë dhe nevojat reale të punonjëseve të Policisë për t’u ballafaquar me situatën, të cilat ata vijnë për shkak të detyrës zyrtare”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha se është shqetësuese që asnjëherë nuk janë përmbushur kushtet më elementare për zyrtarët policorë.

“Zyrtarët policorë akoma përballen me punë sekondare përveç punës primare. Një zyrtar policor duhet të jetë 24 orë në detyrë përveç pjesës efektive që duhet ta përmbushë në orar të punës, ai nëse shkon në punë sekondare, nuk do të jetë i aftë as ta kryejë detyrën primare, mos të them edhe angazhimet përtej asaj për nevojat e gatishmërisë”, ka thënë Ibishi.

Sipas tij, buxheti i planifikuar për Policinë është i pamjaftueshëm.

Nga 177 milionët e paraparë për Policinë, mbi 127 milionë janë për paga e shtesa, mbi 19 milionë për mallra e shërbime, mbi 1 milion për shpenzime komunale, kurse afro dy milionë euro për subvencione e transfere.

Shuma e paraparë për investime kapitale të dedikuara për Policinë është mbi 27 milionë euro.