Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Gerard Depardieu do të përballet me gjyq për akuzat për përdhunim të aktores Charlotte Arnould

Gerard Depardieu

Gerard Depardieu

Foto: Associated Press

Aktori i njohur francez Gerard Depardieu do të dalë në gjyq për akuzën e përdhunimit të aktores Charlotte Arnould në banesën e tij në Paris, pasi Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e tij për të shmangur procesin gjyqësor, ka shkruar The Guardian.

Depardieu, 77 vjeç, e pati kundërshtuar vendimin e mëparshëm për t’u gjykuar lidhur me dy raste të dyshuara të sulmit seksual ndaj Arnould, në muajin gusht të vitit 2018. Megjithatë, gjykata vendosi që ai të përballet me gjyqin për një nga akuzat, që lidhet me ngjarjen e 7 gushtit, ndërsa hodhi poshtë akuzën për një rast të dytë, që pretendohet të ketë ndodhur më 13 gusht.

Arnould, e cila në atë kohë ishte 22 vjeçe, e denoncoi aktorin në vitin 2018. Sipas saj, sulmet ndodhën kur ajo shkoi në shtëpinë e tij në Paris për të bërë një provë joformale për një shfaqje teatrale. Ajo dhe Depardieu njiheshin që kur ishte fëmijë.

Aktori i ka mohuar akuzat. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me 15 deri në 20 vjet burgim.

Vendimi i fundit është marrë pak ditë pasi Depardieu hoqi dorë nga ankimi kundër dënimit të marrë në vitin 2025, për sulm seksual ndaj një skenografeje dhe një ndihmësregjisoreje gjatë xhirimeve të një filmi, në vitin 2021.

Në atë rast, ai pranoi dënimin me 18 muaj burgim me kusht dhe publikoi një kërkimfalje.

“Për një kohë të gjatë, në sheshxhirime jam fshehur pas provokimeve dhe humorit vulgar. Besoja se fjalët dhe disa nga veprimet e mia nuk kishin pasoja. Por ato kishin, sidomos kur vinin nga dikush që dikur kishte aq shumë pushtet sa unë”, deklaroi aktori.

Pas këtij vendimi, emri i tij është regjistruar në regjistrin francez të personave të dënuar për vepra seksuale.

Depardieu po ashtu është nën hetim për akuza të tjera, sipas të cilave ai dhe shkrimtari Michel Houellebecq dyshohet se kanë përdhunuar në grup dhe sulmuar seksualisht një grua gjatë xhirimeve të një filmi në vitin 2018. Houellebecq nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre akuzave.

Avokatja e Charlotte Arnould, Carine Durrieu Diebolt, e ka cilësuar vendimin e gjykatës si një lehtësim për klienten e saj.

“Ajo e ka pritur këtë moment për një kohë shumë të gjatë dhe është plotësisht e përgatitur për të”, ka thënë avokatja.

Ajo ka shtuar se Arnould ishte “gruaja e parë që denoncoi Gerard Depardieun” dhe se dërgimi i tij në gjyq për akuzën e përdhunimit, pas dënimit të mëparshëm për sulm seksual, “premton të jetë historik”.

Nga ana tjetër, avokati i aktorit, David-Olivier Kaminski, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e kundërshtimit të vendimit në Gjykatën e Lartë të Francës.

Ai e ka cilësuar vendimin e së enjtes si “një fitore të parë për Gerard Depardieun”, duke shtuar se “gjysma tjetër e procesit ligjor ende duhet të përfundojë për të vërtetuar përfundimisht pafajësinë e tij”.

Depardieu është një nga aktorët më të njohur francez, me mbi 200 filma në karrierën e tij. Ai është nominuar për çmimin “Oscar” për rolin në filmin “Cyrano de Bergerac” dhe ka fituar një çmim “Golden Globe” për filmin “Green Card”, në vitin 1990.

Megjithatë, akuzat për sjellje të pahijshme seksuale kanë vënë gjithnjë e më shumë në hije karrierën e tij dhe e kanë kthyer në një nga figurat më të njohura të përfshira në përballjen e Francës me lëvizjen #MeToo.

Në vitin 2023, presidenti francez Emmanuel Macron u kritikua ashpër nga organizatat e grave, pasi doli në mbrojtje të aktorit, duke thënë se Depardieu “e bën Francën krenare” dhe se nuk do të merrte pjesë në atë që e quajti “gjueti shtrigash”.