Javën e kaluar Bosnjë-Hercegovina humbi 100 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së si pasojë e ngërçit politik. Çfarë i ndodhi javën e kaluar Bosnjës është paralajmërim për Kosovën: Ata që performojnë do të shpërblehen, ata që ngecin do të penalizohen
Pas një gjumi të thellë, pushtimi rus i Ukrainës zgjoi vëmendjen e BE-së për procesin e zgjerimit.
Vendimet të cilat BE-ja nuk i mori me vite u morën brenda disa muajsh. Ukraina dhe Moldavia e fituan statusin e vendit kandidat dhe i filluan negociatat e anëtarësimit. Gjeorgjia dhe Bosnjë-Hercegovina e fituan statusin e vendit kandidat. Bosnja i filloi edhe negociatat e anëtarësimit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i filluan negociatat e anëtarësimit. Kosova e fitoi liberalizimin e vizave.
Por paralelisht me këto vendime politike, BE-ja e kuptoi që vetëm vendimet politike nuk do të mjaftojnë. Në mënyrë që këto vende me të vërtetë të bëhen gati për anëtarësim në BE, do të nevojiten reforma të thella. E reformat e thella - përveç vullnetit politik - kërkojnë para.
Kësisoj, një vit pas pushtimit rus të Ukrainës lindi ideja e Planit të Rritjes për Ballkanin Perendimor. Ideja ishte që në shkëmbim të disa reformave evropiane vendet e rajonit të shpërbleheshin me një pako financiare. Kështu, vendeve të Ballkanit Perëndimor iu vendosën në dispozicion 6 miliardë euro për periudhën e viteve 2025-2027. Serbisë iu vendosen në dispozicion 1.6 miliardë euro, Bosnjë-Hercegovinës 1.1 miliardë euro, Shqipërisë 922 milionë, Kosovës 883 milionë, Maqedonisë së Veriut 750 milionë dhe Malit të Zi 384 milionë.
Në mënyrë që vendet të kualifikohen për këto para, ato duhet të përmbushin një listë të reformave në periudhën 2025-2027. Kësisoj, Serbia premtoi se do të realizojë 98 reforma në katër fusha prioritare: (1) mjedisi biznesor dhe zhvillimi i sektorit privat, (2) tranzicioni i gjelbër dhe digjital, (3) kapitali njerëzor dhe (4) sundimi i ligjit. Shqipëria premtoi se do të realizojë 141 reforma në pesë fusha prioritare: (1) mjedisi biznesor dhe zhvillimi i sektorit privat, (2) kapitali njerëzor, (3) tranzicioni i gjelbër dhe digjital, (4) sundimi i ligjit dhe (5) menaxhimi i financave publike.
Kosova premtoi se do të realizojë 30 reforma në pesë fusha prioritare: (1) qeverisja e mirë, (2) tranzicioni i gjelbër dhe digjital, (3) mjedisi biznesor dhe zhvillimi i sektorit privat, (4) kapitali njerëzor dhe (5) sundimi i ligjit. Maqedonia e Veriut premtoi se do të realizojë 37 reforma në pesë fusha prioritare: (1) sundimi i ligjit, (2) qeverisja e mirë, (3) tranzicioni i gjelbër dhe digjital, (4) kapitali njerëzor dhe (5) mjedisi biznesor. E Mali i Zi premtoi se do të realizojë 31 reforma në katër fusha prioritare: (1) zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi biznesor, (2) tranzicioni i gjelbër dhe digjital, (3) kapitali njerëzor dhe (4) sundimi i ligjit.
Këto ishin premtimet dhe, në traditën e vjetër ballkanase, premtimet ishin të bukura. Por, ende pa përfunduar as viti i parë i instrumentit të rritjes për Ballkanin Perëndimor telashet kanë filluar.
Javën e shkuar Bosnjë-Hercegovinës iu anuluan 10 për qind të mjeteve si pasojë e dështimit të finalizimit të agjendës së saj të reformave. Në arsyetimin e vet Komisioni Evropian u tha: “Fatkeqësisht, pavarësisht marrëveshjes politike të arritur në Këshillin e Ministrave të BeH më 27 qershor 2025, Bosnjë-Hercegovina mbetet i vetmi vend në rajon, autoritetet e të cilit nuk kanë qenë në gjendje të dërgojnë në Komisionin Evropian një draft të finalizuar të Agjendës së Reformës... Gjithmonë ka qenë e qartë se Programi i Reformës dhe Rritjes bazohet në performancë dhe rezultate: ata partnerë që i zbatojnë reformat mund të përfitojnë nga të gjitha fondet e disponueshme, ndërsa ata që nuk i zbatojnë mund të shohin që fondet e tyre të ulen. Programi i Reformës dhe Rritjes skadon në fund të vitit 2027, në të njëjtën kohë me buxhetin shtatëvjeçar të BE-së. Ky afat nuk mund të ndryshohet. BE-ja i ka paralajmëruar vazhdimisht autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës se koha po mbaronte dhe se vendi mund të përballet me shkurtime në fondet e tij nëse nuk ndërmerren veprime urgjente”.
Njëkohësisht BE-ja e paralajmëroi Bosnjën që në rast se nuk arrin ta dorëzojë agjendën e reformave deri më 30 shtator 2025, atëherë ajo do të humbë edhe 10 për qind tjera të fondeve të BE-së.
Çfarë i ndodhi javën e kaluar Bosnjë-Hercegovinës është paralajmërim për Kosovën. Ndonëse Kosova ka dorëzuar agjendën e saj të reformave, ajo ende nuk ka arritur t’i ratifikojë instrumentet ligjore të nevojshme për funksionalizimin e programit të rritjes, si pasojë e moskonstituimit të institucioneve të reja.
Mungesa e performancës dhe e rezultateve nga ana e Kosovës mund të krijojë një situatë të ngjashme me atë të Bosnjë-Hercegovinës. Me instrumentin e rritjes, BE-ja e ka vendosur performancën në epiqendër të procesit të zgjerimit. E siç mësoi Bosnjë-Hercegivina javën e kaluar, performanca është thikë me dy tehe: ata që performojnë do të shpërblehen e ata që ngecin do të penalizohen.