Ekonomi

Murati fton takim për rritjen e pagës minimale, bizneset e shohin fushatë politike

Nga 500 deri në 700 euro është niveli i pagës së re minimale që është propozuar në takimin, të cilin ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka organizuar të enjten me sindikalistë dhe me përfaqësues të bizneseve. Takimi është bojkotuar nga përfaqësues të Odës Ekonomike të cilët këtë nismë e kanë quajtur pjesë të fushatës elektorale

Pa paralajmërim publik dhe pa prani të mediave, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka mbledhur të enjten në takim përfaqësues të bizneseve dhe të sindikatave për të diskutuar mbi rritjen e pagës minimale.

Nga 350 euro sa është aktualisht, në takim është propozuar që paga minimale të rritet në 500 deri në 700 euro.

Jusuf Azemi, i cili është kryetari i Sindikatës se Punëtorëve të Sektorit Privat, ka thënë se ka kërkuar që paga minimale të jetë 600 euro.

“Vlerësimi i tyre është që kjo pagë duhet të jetë 500 euro dhe e kam pyetur se kur mendoni se fillon së implementuari, sipas deklarimit të ministrit në detyrë është thënë që do të fillojë së implementuari me një janar, por megjithatë nuk e ka hedhur poshtë edhe propozimin tonë dhe është thënë se do të bisedojë me akterët kryesorë”, ka thënë Azemi.

E ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se propozimet e të gjitha palëve do të merren parasysh para se të dërgohet vendimi për miratim në Qeveri.

“Nga ky takim dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e po ashtu dëgjova edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bënin me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar”, ka theksuar Murati. Ai ka shtuar se rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, si dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve.

Takimi i ftuar nga Murati është bojkotuar nga përfaqësues të Odës Ekonomike (OEK) të cilët e kanë quajtur nismën si fushatë politike.

“OEK thekson se në katër vjetët e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ndonëse një proces i tillë është thelbësor për adresimin e sfidave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, thuhet në përgjigjen e OEK-ut.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe, bizneset janë përballur me një sërë vendimesh të njëanshme e të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në funksionimin e tregut dhe në klimën e investimeve.

Të tillë e ka konsideruar edhe drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, i cili ka marrë pjesë në takim.

“Nuk jemi kundër rritjes së pagës, por momentumi dhe situata politike në të cilën po përballet vendi nuk është e favorshme, prandaj i kërkuam Muratit që ky proces të shtyhet derisa të kemi një qeveri fuqiplotë dhe një Kuvend funksional”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtruar nevojën edhe për një analizë të thelluar të gjendjes ekonomike dhe që propozimi për pagën minimale të bëhet nëpërmjet Këshillit Ekonomiko-Social e jo Ministrisë së Financave.

“Dhoma propozon që paga minimale të përcaktohet në formë të përshkallëzuar, duke ndryshuar sipas nivelit të arsimit, përvojës, moshës apo sektorit të punës – praktikë e ndjekur në shumë vende evropiane”, ka theksuar ai.

Ahmeti ka theksuar se vendimet e marra ad-hoc dhe pa konsultime me përfaqësuesit e bizneseve kanë sjellë vështirësi dhe pasiguri të mëdha për bizneset e sektorit privat. Ai e ka përmendur vendimin për rritjen e çmimit të energjisë dhe atë për daljen e bizneseve në treg të hapur, të cilat ka thënë se janë bërë pa konsulta, duke shkaktuar dëme për bizneset.

Sipas Ligjit për pagën minimale, Qeveria në fund të çdo viti e përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social. Por, ky këshill ka tre vjet që nuk është funksional.

Në mungesë të një propozimi nga ana e tij, ministri i Financave mund të parashtrojë propozim në Qeveri.

Pas një dekade, paga minimale është rritur në gusht të vitit të kaluar. Fillimisht nëpërmjet ligjit është bërë 264 euro, ndërsa më pas në 350 euro.

Rritja në nivel prej 500 eurosh nga janari i vitit të ardhëm është theksuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në seancën e 26 tetorit në Kuvend, në të cilën ai ka dështuar që ta marrë miratimin për formimin e qeverisë së re.