Kryetari i Sindikatave të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se si përfaqësues ka propozuar që paga minimale të jetë 600 euro. Ky propozim u dha në takimin që e thirri ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, rreth çështjes së pagës minimale.
Megjithatë, ai ka shtuar se nga Qeveria është parë se vlerësojnë që kjo pagë të jetë 500 euro.
Në pesë vendimet e para që Albin Kurti premtoi se do t’i merrte nëse të dielën do t’i siguronte votat e nevojshme edhe për një mandat, ishte rritja e pagës minimale.
“Miratimi i projektligjit të buxhetit për vitin 2026; Vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro që prek rreth 200 mijë pensionistë; Vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50% mbi nivelin aktual që prek rreth 400 mijë fëmijë; Vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat, gjithashtu prek edhe të rinjtë që janë të angazhuar përmes platformës ‘Superpuna’, si dhe gratë lehona të cilat përfitojnë nga shtesat”, ishin premtimet e para të Kurtit në fjalimin e të dielës.