Arbëri

Murati flet për rritje historike të pagës mesatare në sektorin privat, Mustafa i PDK-së e quan "manipulativ"

Hekuran Murati

Hekuran Murati

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se paga mesatare në sektorin privat ka shënuar “rritjen më të lartë historikisht”. 

Ai ka thënë se bazuar në të dhënat e ASK-së, në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka arritur 598 euro bruto, apo 83 më shumë se në vitin paraprak. 

“Sa për krahasim, rritja e pagës mesatare në sektorin privat vetëm në vitin 2024 e tejkalon krejt rritjen e pagës mesatare për 7 vite gjatë qeverisjeve të kaluara: Thaçi 2, Mustafa, Haradinaj (vetëm 74 euro rritje në periudhën 2012-2019).  +218 euro (apo 57%) për 4 vite me Qeverinë Kurti 2; +74 euro (apo 22%) për 7 vite të qeverisjeve të kaluara.  Kjo është dëshmia më e mirë se Qeveria Kurti 2 ka qenë qeveria e cila ka mbështetur më së shumti sektorin privat”, ka shkruar Murati në Facebook. 

Ai ka thënë se “heqja e pagesave për terminale private doganore, heqja e monopolit të arkave fiskale, luftimi i korrupsionit, pagesa e faturave me kohë për operatorët ekonomikë, mbështetja e drejtë me qindra miliona euro grante e subvencione, subvencionimi i punësimit, por edhe subvencionimi i rritjes së pagave, janë vetëm disa nga veprimet dhe masat e shumta që e bëjnë Qeverinë Kurti 2 qeverinë më miqësore ndaj bizneseve, që ka ekzistuar ndonjëherë”.  

Postimin e tij e ka shpërndarë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti. 

“Në vitin 2024, krahasuar me katër vjet më parë, paga mesatare në sektorin privat është rritur për 50% (neto) përkatësisht 57% (bruto). Nga mbështetja që i kemi dhënë sektorit privat kanë përfituar edhe bizneset edhe punëtorët, edhe shteti edhe qytetarët. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës paga mesatare në sektorin privat në vitin 2024 ka shënuar rritjen më të lartë ndonjëherë krahasur me vitin paraprak – kjo rritje është më e madhe sesa e gjithë rritja e pagës mesatare marrë së bashku në shtatë vjet të qeverisjeve të kaluara”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

E Arben Mustafa i PDK-së e ka quajtur Muratin “manipulativ e hipokrit”.  Ai ka thënë se Murati po flet për paga pa e marrë parasysh inflacionin. 

“Manipulativ, sepse flet për paga pa e marrë parasysh inflacionin. Fuqia blerëse e një page të sektorit privat sot nuk është hiq më e lartë sesa që ishte në 2019, madje ka shënuar rënie”, thotë Mustafa. “Hipokrit, sepse pikërisht kjo qeveri nuk ka lënë gjë pa bë për ta luftuar sektorin privat, së fundi duke i çuar edhe drejt falimentimit për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike”.

Bizneset javën e kaluar protestuan, duke bllokuar rrugët për dy orë, duke kundërshtuar vendimin për të dalë në tregun e hapur të energjisë. 

Bazuar në vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nga data 1 qershor 2025 ka filluar zyrtarisht liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë. Vendimi vlen për bizneset me qarkullim mbi 10 milionë euro apo me më shumë se 50 të punësuar. 

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se para vendimit që bizneset e mëdha të vendosën në tregun e lirë, nuk pati as konsultime, por as nuk u krijuan kushtet për një treg konkurrues. 

“Kemi kërkuar fazën e tranzicionit për ta rregulluar tregun, pra për ta përgatitur, që biznesi të ketë mundësi që të përgatitet, pra të përcillet edhe me disa masa subvencionuese, për shembull pse mos të lirohen prej tatimit doganor panelet solare, ose bateritë, ose energjinë elektrike që prodhojnë tepër, sepse është e limituar deri në sa mundesh të prodhosh dhe ta kthesh në rrjet, me largu atë limit”, ka thënë ai.