Ekonomi

Inflacioni “han” rritjen e pagave

Paga mesatare në sektorin privat sipas ASK-së, gjatë 2024 ishte 598 euro bruto apo 187 euro më shumë sesa në 2019. Kjo pagë sipas kryetarit të Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, vazhdon të jetë e ulët, duke pasur parasysh shkallën e rritjes së çmimeve, duke përfshirë së fundmi edhe çmimin e energjisë elektrike. Ai ka kritikuar Qeverinë për mburrje për rritje të pagave, duke thënë se rritja ka ndodhur shkaku i mungesës së punëtorëve

Pagat në sektorin privat në Kosovë janë rritur, por fuqia blerëse ka mbetur e kufizuar për shkak të inflacionit. Kamerierët mbeten kategoria më pak e paguar. Derisa në vitin 2019 paga mesatare e kësaj kategorie ishte 256 euro në 2024, ajo ka arritur në 389 euro. Paga mesatare në sektorin privat sipas ASK-së, gjatë 2024 ishte 598 euro bruto apo 187 euro më shumë sesa në 2019. 

Kjo pagë sipas kryetarit të Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, vazhdon të jetë e ulët, duke pasur parasysh shkallën e rritjes së çmimeve, duke përfshirë së fundmi edhe çmimin e energjisë elektrike. Ai ka kritikuar Qeverinë për mburrje për rritje të pagave, duke thënë se rritja ka ndodhur shkaku i mungesës së punëtorëve.

“Mungesa e madhe e punëtorëve e ka bërë që të rritet kjo pagë. Asnjë të drejtë nuk e keni se ka qenë Qeveri miqësore me bizneset, ju flisni për bizneset ne flasim për punëtorët. A thu pagat e medha i shtyjnë njerëzit që për një vit ta lënë Kosovën mbi 106 mijë të tillë. A thu dialogu i madh mes Sindikatave dhe Qeverisë tuaj e bëri këtë rritje?”, ka deklaruar Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat.

Azemi ka përmendur kontratat për shërbime që lidhin institucionet me kompani private, duke thënë se ata punëtorë marrin paga nga 232 deri në 292 euro.

Por, ditë më parë, ministri në detyrë, Hekuran Murati, është lavdëruar duke thënë se pagat në sektorin privat për 4 vjet u rritën për 57 për qind.

“Sipas të dhënave të publikuara nga ASK, në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka shënuar 598 euro bruto, apo 83 euro më shumë sesa viti paraprak.  Sa për krahasim, rritja e pagës mesatare në sektorin privat vetëm në vitin 2024 e tejkalon krejt rritjen e pagës mesatare për 7 vjet gjatë qeverisjeve të kaluara”, ka thënë Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave.

Sipas Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, rritja reale e pagave në sektorin privat nga 2020 është rreth 28 për qind.

“Pa e analizuar se sa ky ndryshim i pagave në sektorin privat është shtytur qoftë nga rënia e nivelit të ekonomisë jo-formale, emigrimi apo sa e pasqyron vetë shkallën e produktivitetit në ekonomi, në shikim të parë dallohet se rritja e pagës në këtë rast po paraqitet vetëm në nivelin nominal, pa e përshtatur për inflacion”, ka thënë Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP. “Kjo është veçmas problematike, pasi që në vitet 2021-2024 kishim vlera edhe dyshifrore të inflacionit, dhe nuk bën të shmanget si efekt. Nëse përshtaten për inflacion del se në vitin 2024, krahasuar me 2020, rritja reale e pagës është rreth 28%”.

Sipas ASK-së, paga mesatare bruto në Kosovë është 639 euro. Sektori publik ka pagë mesatare 755 euro, ndërsa ai privat 598 euro.