Juventusi e ka zyrtarizuar Luciano Spallettin si trajner të ri të skuadrës.
Spalletti në postin e trajnerit e zëvendëson Igor Tudorin, që u shkarkua në fillim të kësaj jave.
Spalletti ishte kandidati i parë për zëvendësimin e kroatit, ndërsa lajmi është bërë zyrtar të enjten në mbrëmje.
Ai ka nënshkruar kontratë afatshkurte.
Do të jetë në krye të “zonjës së vjetër” deri në përfundimin e edicionit 2025/26, ndërsa e ka mundësinë e vazhdimit edhe për një sezon tjetër, nëse Juventusi e siguron kalimin në Ligën e Kampionëve.
Spalletti do të përfitojë afro tre milionë euro deri në fund të kampanjës aktuale.
Juventusi e mori vendimin për shkarkimin e Tudorit pas tetë ndeshjeve në ligë.
Juventusi ka tetë ndeshje pa fitore në të gjitha garat.
Fitorja e fundit është ajo 4:3 ndaj Interit më 13 shtator.
“Luciano Spalletti është trajner i ri i Juventusit, duke nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2026. Jemi të kënaqur që në skuadër të kemi trajner me eksperiencë në familjen ‘bianconeri’. Mirësevjen në Juventus dhe paç fat, trajner!”, ka shkruar Juventusi ndër të tjera.
Spalletti së fundmi ishte selektor i Italisë por u shkarkua në fillim të verës pas humbjes 3:0 nga Norvegjia në kualifikimet për Kupë të Botës.
Italia nën drejtimin e Spallettit u eliminua në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian nga Zvicra.
Spalletti është njëri prej trajnerëve më me përvojë në Serie A, me afro 500 ndeshje të udhëhequra.
Ai e ka drejtuar Udinesen, Romën, Interin dhe Napolin.
E fitoi titullin me Napolin në edicionin 2022/23, ndërsa dy herë fitues i Kupës së Italisë me Romën. Me Romën e ka edhe një Superkupë të Italisë.
Dy tituj tjerë, Spalletti i ka me Zenitin në Rusi. Me Zenit St. Petersburgu e ka fituar një herë edhe Kupën dhe Superkupën ruse.