KOHA ka pasur qasje në draftin e raportit për Kosovën, në të cilin në shumicën e kapitujve flitet për një “progres të kufizuar”, për “njëfarë progresi”, ndërsa në disa raste edhe konstatohet se “nuk ka pasur progres”. Kosova më së shumti kritikohet për gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes, ku nuk ka pasur progres, dhe për veprimet në veri, të cilat edhe në këtë raport konstatohet se kanë qenë në kundërshtim me obligimet e Kosovës karshi BE-së dhe me procesin e normalizimit të raporteve
Kosova ka shënuar kryesisht progres të kufizuar apo nuk pasur progres në periudhën njëvjeçare dhe kjo kryesisht për shkak të polarizimeve politike të krijuara gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe ngërçit politik pas tyre.
Ky pak a shumë do të jetë vlerësimi i Raportit të Progresit për Kosovën, i cili do të miratohet të martën e 4 nëntorit nga Komisioni Evropian (KE), në kuadër të paketës së zgjerimit.
KOHA ka pasur qasje në draftin e raportit për Kosovën, në të cilin në shumicën e kapitujve flitet për një “progres të kufizuar”, për “njëfarë progresi”, ndërsa në disa raste edhe konstatohet se “nuk ka pasur progres“. Kosova më së shumti kritikohet për gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes, ku nuk ka pasur progres në implementimin e rekomandimeve nga raporti i mëparshëm, dhe për veprimet në veri, të cilat edhe në këtë raport konstatohet se kanë qenë në kundërshtim me obligimet e Kosovës karshi Bashkimit Evropian (BE) dhe nga procesi i normalizimit të raporteve.
Nga leximi i parë mund të konstatohet se ky raport është më pak pozitivë sesa raportet e mëhershme për Kosovën, në të cilat ka pasur më shumë progres. Por raporti nuk do të jetë befasi për askënd, duke e ditur se në çfarë periudhe ka kaluar Kosova që nga fillimi i këtij viti.
“Periudha që përfshin raporti ishte e ndikuar nga politika përçarëse e brendshme dhe fushata konfrontuese në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit 2025. Kjo u pasua me ngërç politik, për shkak të paaftësisë apo mungesës së vullnetit të partive politike për të gjetur rrugëdalje drejt krijimit të institucioneve. Qeveria ishte me status të qeverisë në detyrë që nga 23 marsi, me vetëm funksione të limituara ekzekutive për të kryer punë ditore”, thuhet në draftin e raportit.
Në pjesën ku flitet për raportet e Kosovës me BE-në përmendet se qytetarët e Kosovës tashmë e gëzojnë liberalizimin e vizave, se Kosova e ka të miratuar edhe Agjendën e reformave në kuadër të planit të rritjes. Por konstatohet se Kosova nuk ka pasur mundësi që të përfitojë nga pagesat e para, për shkak se nuk ka qenë në gjendje ta ratifikojë Marrëveshjen përkatëse me BE-në për mjete dhe kredi.
Heqja e masave kur të transferohet pushteti lokal në veri
Në këtë dokument thuhet po ashtu se gjatë kësaj periudhe ka pasur vazhdim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, për heqjen e të cilave Komisioni Evropian ka nisur të punojë nga maji i këtij viti.
“Hapat e mëtejmë janë të kushtëzuar me deeskalimin e qëndrueshëm në veri. Komisioni e ka qëllimin që t’i heqë më tej masat financiare nëse një transferim i rregullt i qeverisjes në veri do të arrihet pas rundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe deeskalimi të jetë i qëndrueshëm”, thuhet në tekst.
Një pjesë e madhe e raportit i kushtohet edhe procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë, me ç’rast përsëritet se përmbushja e obligimeve nga ky dialog është parakusht si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në procesin e integrimeve evropiane, por edhe për përfitime nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në pjesën ku flitet për përmbushjen e obligimeve përsëritet thirrja për Kosovën që ta nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë që t’i njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës. Kërkohet që Kosova ta nisë edhe procedurën me shqyrtimin e “draftit evropian” për statutin e Asociacionit.
Në raport thuhet njashtu se progresi në normalizimin e raporteve është penguar edhe për shkak të situatës politike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, si dhe nga mungesa e masave nga ana e Serbisë ndaj kryesve të sulmit në Banjskë, për të cilin në raport përsëritet se e ka shënuar përshkallëzimin më të madh të sigurisë. Përsëritet edhe konstatimi se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës më 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga ana e tyre në prill të 2023-tës kanë shënuar “kthim të rëndë prapa” në obligimet e Serbisë nga marrëveshjet e dialogut. Por aty përshëndetet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe në ato lokale të 12 tetorit, që shihen si fillim i kthimit të tyre në institucionet e Kosovës.
“BE-ja përsërit se kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe organet e rendit, duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet nga dialogu dhe me respektim të plotë të kornizës ligjore të Kosovës”, thuhet në draftraport.
Në këtë dokument kritikohet edhe angazhimi i Serbisë kundër Kosovës në forumet ndërkombëtare. Kosovës e Serbisë u përsëritet thirrja për zbatimin e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Brukselit dhe nga Aneksi për zbatimin e saj, si dhe që të angazhohen me vullnet më të madh drejt normalizimit të raporteve, duke evituar edhe gjuhën që shkon kundër frymës së normalizimit. Përsëritet edhe se “formalitetet” rreth marrëveshjeve nuk duhet të merren si justifikim për moszbatimin e tyre.
Nuk ka progres në lirinë e shprehjes
Komisioni Evropian pritet që të konstatojë se nuk ka pasur progres sa i përket lirisë së shprehjes.
“Përderisa mjedisi mediatik është pluralist, ai përballet me sfidat që lidhen me transparencën e pronësisë së mediave dhe qëndrueshmërisë financiare”, thuhet në draftin e raportit, në të cilin përsëriten rekomandimet nga viti i mëparshëm për përmirësimin e kushteve për gazetarët, për forcimin e raportimit profesional dhe për përmirësimin e kapaciteteve për të zgjidhur rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
“Gjatë periudhës së përfshirë në raport, 70 raste të sulmeve fizike dhe verbale, si dhe kërcënime ndaj gazetarëve janë raportuar, përfshirë edhe pengimin e gazetarëve dhe punëtorëve të mediave në kryerjen e punës së tyre”, thuhet në raport, teksa përmendet se si “gjatë fushatës zgjedhore zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin, kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave”.
Kosova vlerësohet për rritjen domethënëse ekonomike gjatë periudhës, e cila mbulohet nga ky raport. Por tërhiqet vërejtja se shkëmbimi tregtar është në disbalancë me rritjen e importit krahasuar me eksportin.
Raportet më pozitive këtë vit janë ato për Malin e Zi dhe për Shqipërinë, gjë që konsiderohet edhe e logjikshme, pasi që këto dy vende kandidate kanë bërë edhe më së shumti përparim në procesin e negociatave të anëtarësimit. Raporti më negativ pritet të jetë ai për Serbinë, shtet ky që në disa fusha nuk ka pasur fare progres, ndërsa në disa të tjera ka shënuar edhe kthim prapa.
Serbia kritikohet edhe për kthimin prapa në lirinë e shprehjes, për sulme ndaj organizatave të shoqërisë civile, për mungesën e gatishmërisë në ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës dhe për retorikën anti-BE, të cilën e përdorin jo vetëm mediat, por edhe zyrtarët e lartë shtetërorë.
Paketa e zgjerimit dhe raportet individuale të progresit për secilin vend pritet që të miratohen nga Komisioni Evropian të martën e 4 nëntorit dhe të bëhen publike të njëjtën ditë.