Arbëri

Palokaj për draft-raportin e progresit: Kosova progres të kufizuar, Serbia kthim prapa

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, teksa ka folur për fushat në të cilat Kosova kritikohet më së shumti në draft-raportin e progresit, siç është liria e shprehjes dhe obligimet në kuadër të procesit të normalizimit me Serbinë, ka thënë se në anën tjetër, shteti serb ka marrë raportin më negativ ndonjëherë.

Palokaj në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se termi “kthim prapa” që iu dha Serbisë, shumë rrallë përdoret në këto raporte.

“Definitivisht është raporti më negativ që ka bërë ndonjëherë Komisioni Evropian për Serbinë. Në disa fusha thuhet se ka pasur kthim prapa. Termi ‘kthim prapa’ shumë, shumë, shumë rrallë përdoret në raporte të progresit. Në fakt edhe kur thuhet se ka pasur pak progres është notë mjaft e dobët. Edhe kur thuhet se ka pasur progres të limituar është pothuajse zero. Kur thuhet se nuk ka pasur progres është shumë keq. E në rastin e Serbisë, në disa raste thuhet se ka pasur kthim prapa, prandaj raporti për Serbinë është raporti më kritik që ka qenë ndonjëherë nga Komisioni Evropian. Serbia po ashtu në fillim të raportit kritikohet ashpër për gjuhën kundër Bashkimit Evropian që po përdoret në Serbi jo vetëm nga mediat, por edhe nga zyrtarët e lartë politik”, ka deklaruar Palokaj.

Gjithashtu, Serbia është kritikuar edhe për angazhimin e saj kundër Kosovës në forumet ndërkombëtare.

Sa i përket Kosovës, në draft-raportin e progresit, thuhet se BE-ja po pret përfundimin e të gjithë procesit të zgjedhjeve lokale për të parë nëse duhen hequr masat. Sipas Palokajt, në njëfarë forme po pritet bartja e pushtetit për komunitetit serb në komunat veriore.

“Sa i përket heqjes së masave financiare që janë dhe ato që e kanë goditur më së shumti Kosovën, thuhet se ato do të hiqen si hapa të ardhshëm nëse do të ketë transferim të duhur të pushtetit lokal në katër komunat në veri të Kosovës, që duhet sipas tyre të bëhet pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Pak a shumë, kur të shohin që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri kanë hyrë në zyrat e kryetarëve të komunave dhe është bërë një transferim i duhur i pushtetit e ata duhet të punojnë sipas ligjeve të Kosovës, atëherë do të konstatohet se me këtë është arritur një përparim dhe është bërë një veprim që do të bëjë stabilitetin e asaj pjese të qëndrueshme”, deklaroi Palokaj në emisionin “60 minuta” në KTV.

Një pjesë e madhe e raportit i kushtohet edhe këtë vit procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast përsëritet se përmbushja e obligimeve nga ky dialog është parakusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, në procesin e integrimeve evropiane, por edhe për përfitime nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në pjesën ku flitet për përmbushjen e obligimeve, përsëritet thirrja për Kosovën që të nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë që të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës. Kërkohet që Kosova të nisë procedurën me shqyrtimin e “draftit evropian” për statutin e Asociacionit.

Sipas draft-raportit, Kosova më së shumti kritikohet për gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes.

Nga leximi i parë mund të konstatohet se ky raport është më pak pozitiv sesa raportet e mëhershme për Kosovën, në të cilat kishte më shumë progres.

Por, Kosova vlerësohet për rritjen domethënëse ekonomike gjatë periudhës që mbulohet nga ky raport. Por tërhiqet vërejtja se shkëmbimi tregtar është në disbalancë, me rritjen e importit krahasuar me eksportin.