Sporte të tjera

Strugani shumë i njohur në Suedi po e jep kontributin për Kosovën

Jasmin Zhuta është emër i njohur në Suedi, veçanërisht në Goteborg, qytetin e lindjes. Por ai me krenari tregon se është nga Struga. Shumë krenar është edhe që ka nisur punën te Kosova.

“Me Kosovën një kohë të gjatë kam pasur bisedime. Tash erdhi rasti dhe për mua është kënaqësi e madhe të ndihmoj shqiptarët. Maqedoninë e Veriut nuk mund ta ndihmoj tani, por këtu që jemi shqiptarë në Kosovë është kënaqësi për mua”, thotë trajneri i hendbollit, që flet në dialektin gegë.

Gjuha nuk është gjëja e vetme që Zhuta ka trashëguar nga familja shqiptare. Ai ka trashëguar edhe dashurinë për sportin e hendbollit. 

Me hendboll tregon se merret që nga mosha 5-vjeçare. 

“Babi ka qenë 7-vjeçar kur ka shkuar në Suedi. Nuk kishte shumë shqiptarë, siç ka tash. Por kemi pasur jetë të mirë”, thotë 43-vjeçari.

Hapat e parë thotë se i mori nga babi i tij. Edhe dy xhaxhallarët e Jasminit kanë luajtur hendboll.

Karriera si hendbollist nuk i zgjati shumë. U tërhoq kur ishte 23-vjeçar.

“Hendbolli u bë zgjedhje natyrale. Babi im, dy xhaxhallarët e mi, luanin hendboll po ashtu. Kam pasur fat të luaj në ligën e parë të Suedisë. Isha 22 apo 23-vjeçar kur zgjodha rrugën për trajner dhe 20 vjet po bëhen që jam në zejen e trajnerit”, tregon Zhuta.

Ideja për t’u bërë trajner i lindi sa ishte lojtar aktiv. Si senior luajti për ekipin me më së shumti tituj në Suedi, plot 20, Redbergslids. Te ky klub sot e kryen punën e trajnerit. 

“Rastësisht erdhi mundësia për t’u bërë trajner. Në gjimnaz punoja me të rinjtë, por mbeti ekipi pa trajner dhe më besuan mua”.

Punën e parë si asistent e nisi në Warta, ndërsa në Heim si trajner i parë. Ka punuar edhe te skuadra të tjera.

Zhuta thotë se tani ka përvojën për të mësuar të tjerët. 

“Më vjen për të qeshur kur kujtoj fillimin, pasi nuk ishte mirë në fillim. Por tani jam mësuar. Po bëhen 20 vjet dhe me moshën mëson gjëra. Mendoja se në fillim do të ishte më lehtë”.

Fillimi i punës si trajner te Kosova po ashtu nuk është i lehtë për Zhutën. Ai ka besim se Kosova shpejtë do të bëjë përparim të madh.

Zhuta është asistent i selektorit të ri të Kosovës, suedezit Jesper Ostlund. Dy trajnerët u prezantuan në fillim të shtatorit, kurse nisën punën me përfaqësuese të dielën. Por Federata e Hendbollit e Kosovës ka kërkuar ta angazhojë shqiptarin nga Suedia shumë vjet më parë.

“Më kanë kërkuar edhe më herët të nisi punën te Kosova, por atëherë nuk kisha kohën e mjaftueshme. Isha trajner i ekipit të parë. Por tash që Jesper u bë trajner, më kontaktoi dhe vendosa. Ishte zgjedhje e natyrshme për mua”, ka thënë Zhuta.

Në Suedi, vendin me hendboll shumë të zhvilluar, Zhuta njihet më së shumti për punën individuale me lojtarë.

Edhe te Kosova ka rol për t’i ndihmuar hendbollistët të avancojnë në aspektin individual.

“Ka gjëra që mund t’i rregullojmë apo mësojnë lojtarët. Më shumë kam qenë në aspektin trajner individual. Në Suedi kam edhe një kompani timen për punën me trajnerë dhe më të rinjtë. Besoj se ka mundësi të bëjmë punë të mirë te Kosova”, thotë ai.

Zhuta beson shumë se kombinimi i mentalitetit shqiptarit me atë të selektorit suedez do të shndërrohet në sukses për Kosovën.

“Nuk e di sa do të arrijmë, por me këtë punë që kemi nisur, pak unë me mentalitetin e shqiptarit, e Jesper të suedezit, do t’i bashkojmë forcat për ta shtyrë Kosovën para”.

Testi i parë për Ostlundin dhe Zhutën do të jetë të mërkurën në Derby ndaj Britanisë së Madhe. 

Zhuta po e kalon lehtë barrierën gjuhësore, që e ka munduar jo pak derisa po vendoste të angazhohej te Kosova. Lehtë shpreson t’i kalojë edhe sfidat sportive si pjesë shumë e rëndësishme e përfaqësueses së Kosovës në hendboll.