Sporte të tjera

Kosova synon ta kalojë pengesën e dytë në kualifikimet e Kupës së Botës

Jesper Ostlund

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund, e ka cilësuar Bosnjë-Hercegovinën kundërshtare dukshëm më të fortë se Britania e Madhe.

Kosova do të përballet me Bosnjë-Hercegovinën në fazën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2027, pasi e eliminoi në fazën e parë Britaninë e Madhe. Shorti për fazën e dytë u tërhoq të enjten paradite në Vjenë.

Kosova ishte në vazon e dytë për short, ndërsa Bosnjë-Hercegovina, që i nis kualifikimet nga raundi i dytë, ishte në vazon e parë. 

Kosova e siguroi për herë të parë fazën e dytë kualifikuese pas fitoreve në Derby  më pas edhe në Prishtinë ndaj Britanisë së Madhe.

Tekniku suedez ka theksuar se Kosova është gati që të përballet me Bosnjë- Hercegovinën.

“Për mua është një raund shumë i vështirë. E dinim se do të kishim përballë një përfaqësueseje me kualitet. Por, mendoj se do të jetë eksperiencë shumë e mirë për një derbi të Ballkanit dhe do të provojmë të avancojmë tutje”, ka deklaruar 35-vjeçari Ostlund të enjten për KOHËN. 

Suedezi Ostlund, është trajneri i pari i huaj në përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Ai e nisi punën në fillim të muajit shtator. E zëvendësoi në këtë post Bujar Qerimin, ndërsa arriti menjëherë sukses madhor. 

Ndeshja e parë do të luhet në Bosnjë-Hercegovinë më 18 apo 19 mars, ndërsa ajo kthyese në Kosovë më 21 apo 22 mars. 

Kosova në të kaluarën i ka pasur katër përballje, dy në kualifikimet për Evropian, e dy të tjera për në Botëror. I ka humbur të katër përballjet e zhvilluara në vitin 2015 dhe 2023. 

“Mendoj se historia nuk është e rëndësishme këtu. Kemi ekip të ri dhe kemi filluar një rrugëtim të ri. Bosnjë-Hercegovina do të jetë favorite, por ne do të bëjmë çdo gjë dhe është shans i mirë që të kemi paraqitje të mirë”, është shprehur ai. 

Ostlund e udhëhoqi Kosovën drejt dy fitoreve të mëdha ndaj Britanisë së Madhe. 

Në Derby fitoi me rezultatin 32:26, ndërsa në ndeshjen kthyese në Prishtinë, fitoi me rezultatin 35:30. Dhe tani për herë të parë do të bëjë gara në fazën e dytë kualifikuese për Kampionat Botëror. 

Për “Dardanët” ky është cikli i pestë kualifikues i Botërorit. Në katër tentimet e kaluara prej vitit 2017, nuk e ka shënuar suksesin që e pati tani. Në vitin 2020, Kosova e regjistroi fitoren më të thellë ndonjëherë në kualifikime. Në janar të vitit 2020, Kosova kishte fituar 30:21 ndaj Gjeorgjisë, në kualifikimet për Botërorin 2021 në Egjipt. Fitorja me nëntë gola mbetet më e thella në kualifikime të ngjarjeve të mëdha, Evropianë e Botërorë. 

Përzgjedhësi nga Suedia, Ostlund, për ndihmës e ka Jasmin Zhutën, struganin që zhvillon karrierën në Suedi. 

Të dy kanë karrierë të suksesshme si hendbollistë aktivë e si trajnerë. 

Ostlund ka dy tituj kampioni me hendbollistet e Savehovit dhe dy Kupa të Suedisë. Zhuta ndërkohë u pensionua si 23-vjeçar, por vlerësohet trajner me potencial. 

Ostlund ka treguar për fillimet e tij te Kosova dhe në çfarë duhet të punohet më shumë për t’u arritur suksesi madhor. 

“Jam shumë i lumtur me fillimin. Kam punuar me ekipin për një javë por e kam parë se gjërat kanë shkuar në rrugën e duhur nga dita në ditë. Gjëja më e rëndësishme për t’u ndërtuar është lidhja mes hendbollistëve. Kur takohemi, e rëndësishme për t’u zhvilluar është strategjia dhe struktura e ekipit”, theksoi Ostlund. 

Në kualifikimet për Kampionat Botëror luhen tri faza eliminatore gjithsej. Faza e tretë dhe e fundit luhet në maj të vitit 2026. 

Kampionati Botëror 2027 do të organizohet në Gjermani nga 13 deri më 31 janar. Do të jetë edicioni i 30-të, ndërsa pjesëmarrëse do të jenë 32 përfaqësuese.