Përzgjedhësi i ri i Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund, premtoi punë të madhe kur u prezantua zyrtarisht në fillim të shtatorit. Punën e premtuar, suedezi i suksesshëm ka nisur ta zbatojë në terren me lojtarët e Kosovës.
Të dielën mbrëma në palestrën në Lipjan, Ostlund mbajti stërvitjen e parë për dy ndeshjet me Britaninë e Madhe, që i takojnë fazës së parë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
Nën drejtimin e Ostlundit, Kosova e luan ndeshjen e parë kundër Britanisë së Madhe të mërkurën në Derby. Të dielën e ardhshme dy përfaqësueset përballen në Prishtinë. Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në fazën e dytë kualifikuese.
Në ditën e parë të grumbullimit, Ostlund, u fokusua në punën në mbrojtje.
“Ka qenë shumë mirë që i kam njohur djemtë jashtë, por tani edhe brenda në arenë. Nuk i kemi të gjithë këtu ende. I kemi katër lojtarë që do të vijnë, një sot dhe tre të tjerë nesër. Ende nuk jemi e gjithë skuadra. Por, mendoj se me ata që ishin këtu, ka qenë një seancë e mirë stërvitore. Kemi filluar me mbrojtje. Po mundohemi që t’i qartësojmë rregullat dhe sistemin tonë paksa”, ka thënë Ostlund.
Në stërvitjen e parë munguan disa lojtarë. Grupi do të kompletohet të hënën. Megjithatë, do të ketë mungesa për ndeshjet kundër Britanisë së Madhe.
Por tekniku suedez pret nga lojtarët aktualë të shfrytëzojnë rastin.
“Kemi disa lojtarë që nuk do të jenë për këto dy ndeshje. Të tjerët duhet të marrin më shumë përgjegjësi, ta mbulojnë zbrazëtinë. Për mua është gjithçka e re, kështu që për mua ka qenë kënaqësi t’i njoh këta djem dhe të provojmë të bëjmë diçka së bashku”, është shprehur Ostlund.
Ostlund është trajner i njohur në Suedi, ndër ndihmës i tij është Jasmin Zhuta, shqiptari që e zhvillon karrierën po ashtu të suksesshme në Suedi.
“Britania e Madhe është ekip që lufton shumë. Është shtet që punon dhe është zhvilluar shumë në vitet e fundit. Mendoj se do jenë ndeshje sfiduese. Por nëse çdo gjë shkon mirë gjatë këtyre ditëve, mendoj se kemi shans të madh për fitore”, ka theksuar Jesper Ostlund.
Kosova deri më tani u është afruar disa herë ngjarjeve të mëdha, sidomos Evropianit, por pa u kualifikuar.
Ostlund e zëvendëson Bujar Qerimin, të cilit i përfundoi kontrata. Për herë të parë Kosova ka trajner të huaj në hendboll.