Sporte të tjera

Ostlund flet për listën e parë si selektor i Kosovës

Jesper Ostlund

Suedezi Jesper Ostlund është i entuziazmuar që do ta fillojë punën si selektor i Kosovës në hendboll.

Ostlund të martën e shpalli listën për ndeshjet me Britaninë e Madhe, që i takojnë fazës së parë kualifikueve për Botërorin 2027.

Ndeshja e parë me Britaninë e Madhe është të mërkurën e javës së ardhshme në Derby. Më pas dy përfaqësueset përballen në Kosovë. Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon.

“Do ta fillojmë javën e ndeshjeve ndërkombëtare me shumë energji dhe na duhet që t’i vendosim gjërat në vend shumë shpejt. Do të jetë një përbërje e re si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, që kërkon shumë nga lojtarët, nga unë dhe nga Jasmin Zhuta”, ka thënë Ostlund për sajtin zyrtar të FHK-së.

Ai ka folur për debutuesit dhe mungesat e rëndësishme, ndërsa ka thënë se synim i qartë është avancimin në raundin e dytë.

“Janë dy ndeshje të para interesante për mua dhe për ekipin. Do të takojë lojtarët për herë të parë dhe do të punojmë shumë për të arritur synimin për të avancuar në raundin tjetër. Kemi pak stërvitje para ndeshjes së parë dhe duhet të jemi të saktë në atë që vendosim dhe të zhvillojmë sa më shpejtë atë që ekipi do të luajë. Britania e Madhe është ekip me shumë lojtarë të mirë kështu që do të jetë sfidë për ne”, ka theksuar Jesper Ostlund.

Ai është zyrtarizuar në krye të Kosovës më 2 shtator. E ka zëvendësuar Bujar Qerimin, të cilit i përfundoi kontrata me FHK-në.