Suedezi Jesper Ostlund është përzgjedhës i ri i Kosovës në hendboll. Ndihmës i Ostlundit do të jetë Jasmin Zhuta, shqiptari që e zhvillon karrierën në Suedi.
Ostlund dhe Zhuta janë prezantuar të martën nga Federata e Hendbollit e Kosovës. Ata kanë firmosur për dy vjet, ndërsa kanë thënë se synim me Kosovën është kualifikimi në një ngjarje të madhe.
Ostlund është trajner i njohur në Suedi. Me ekipin e hendbollisteve të Savehovit i ka fituar dy tituj të kampionit dhe dy Kupa të Suedisë. Aktualisht është trajner i skuadrës së hendbollistëve, Hallby. Këtë skuadër e udhëhoqi drejt paraqitjes së parë në histori në plejof.
Ostlund e zëvendëson Bujar Qerimin, që drejtoi Kosovën për katër vjet.
Kryetari i FHK-së, Edin Kolgeci, ka falënderuar Qerimin, duke çmuar punën e tij. Por ka thënë se për të arritur nivel edhe më të lartë kanë vendosur që për herë të parë drejtimin e një përfaqësuese t’ia besojnë një trajneri të huaj.
“Kjo është hera e parë që Kombëtarja e Kosovës do të ketë një selektor ndërkombëtar. Është një moment i rëndësishëm për Federatën Hendbollit të Kosovës që të angazhojmë trajner të huaj dhe me përvojë ndërkombëtare në krye të kombëtares sonë. Kjo është dëshmi për rrugën të cilën e kemi trasuar deri më tani, dëshmi se hendbolli ynë po ecën përpara dhe se ambiciet tona për zhvillim dhe sukses janë serioze. Të gjitha këto punë dhe ndërmarrjet e reja që po i bëjmë, janë me seriozitet të madh që të përparojmë sa më shumë hendbollin tonë. Së bashku me Jesperin dhe Jasminin besojmë se kombëtarja jonë do të ketë një vizion të ri, një disiplinë të re dhe një energji të re që do ta ndihmojë të rrisim edhe më shumë nivelin dhe të bëhemi konkurrues edhe me ekipet më të forta ndërkombëtare”, ka thënë Kolgeci në konferencën e prezantimit të shtabit teknik të Kosovës.
Kosova deri më tani i është afruar disa herë ngjarjeve të mëdha, sidomos Evropianit, por pa u kualifikuar.
Ostlund ka thënë se është i nderuar që ta drejtojë Kosovën. Gjatë karrierës, 34-vjeçari ka udhëhequr grupmoshat e reja të Suedisë dhe tani për herë të parë do të jetë selektor i përfaqësueses A.
Ostlund ka thënë se do të marrin disa lojtarë nga Kosova U19, që u paraqit në Botëror. Ai beson se kombinimi i lojtarëve nga Ballkani me punën që bëhet në Skandinavi do të jetë i suksesshëm.
“Qëllimi ynë i madh në këto dy vjet sa unë dhe Jasmini do jemi trajnerë, do të jetë padyshim kualifikimi në një garë madhore. Do të jetë vështirë sigurisht. Por veçanërisht në Evropian ku do të jenë 24 ekipe, do të jetë e mundur që të kualifikohemi. Dhe këtu e kemi synimin. Jam shumë i lumtur që Jasmini është asistenti im, i cili e njeh gjuhën, kulturën. Gjithashtu është një trajner shumë i mirë. Jemi përballur disa herë përgjatë viteve dhe kanë qenë përballje të mëdha. Do jetë kënaqësi që të jap maksimumin e t’i arrijmë këto. Është një detyrë e re nga ato që i kam pasur në Suedi”, ka thënë Jesper Ostlund.
Zhuta është nga Maqedonia e Veriut, por ka pasur karrierë të madhe si lojtar e më pas si trajner në Suedi. Në vendin me hendboll shumë të zhvilluar, tani është kryesisht i njohur për punën individuale që e bën me lojtarë.
“Kemi pasur kontakte të vazhdueshme dhe kur më është ofruar mundësia nuk kisha asnjë mëdyshje. Të punojmë me Jasperin do të jetë kënaqësi. Unë mendoj që kemi mundësi që ta zhvillojmë ekipin edhe individualisht edhe në mënyrë grupore dhe do të jetë shumë interesante. Si shqiptar i Maqedonisë të punoj në Kosovë është shumë e veçantë. Faleminderit shumë që na keni dhënë mundësinë, mezi po pres të punojmë së bashku dhe të jemi konkurrent të bëjmë gjëra të mira”, ka theksuar Zhuta.
Kosova ndeshjen e parë me Ostlundin e Zhutën do ta ketë më 29 tetor ndaj Britanisë së Madhe në Derby. Ajo ndeshje i takon fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2027.