Lajmi për emërimin e Jesper Ostlundit selektor të Kosovës në hendboll është përcjellë edhe në Suedi.
Ostlund 34-vjeçar u zyrtarizua të martën në postin e përzgjedhësit nga Federata e Hendbollit e Kosovës. Ai është trajner i skuadrës elitare suedeze, Hallby, të cilën e udhëhoqi drejt pjesëmarrjes së parë në histori në plejof. Ostlund do të vazhdojë të udhëheqë Hallbyn, krahas Kosovës.
Asistent i suedezit do të jetë Jasmin Zhuta, emër shumë i njohur i hendbollit në Suedi. Zhuta është me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ndërsa në vitet e fundit është i njohur sidomos për punën individuale me lojtarë.
Por me Ostlundin dhe Zhutën nuk përfundojnë ardhjet nga Suedia te Kosova. Këtë e ka bërë të ditur vetë përzgjedhësi i ri. Për gazetën e njohur suedeze “Aftonbladet”, ai ka njoftuar për ardhjen te Kosova të lojtarit të njohur në Suedi, Gzim Salihi.
Salihi është 27-vjeçar, i gjatë 197 centimetra. Pritet të jetë përforcim i madh për përfaqësuesen e Kosovës, që nuk ka shumë lojtarë në nivelin serioz evropian.
Salihi ka përvojë të gjatë në elitën suedeze, që shquhet për nivelin që ka, ndërsa është paraqitur edhe në kupa evropiane. Salihi ka luajtur për të rinjtë e Suedisë, ndërsa lëndimet kanë frenuar karrierën e tij. Por tani po luan rregullisht dhe pritet të jetë pjesë e Kosovës që nga ndeshja me Britaninë e Madhe, muajin e ardhshëm.
Salihi është te skuadra Alingsas nga viti i kaluar. Te klubi i njohur Savehof ishte prej viti 2014 deri në vitin 2023. Ka luajtur edhe për Nodingen dhe Amon. Për të rinjtë e Suedisë i ka 36 paraqitje e 119 gola.
“Ai është absolutisht i rëndësishëm dhe sigurisht që do t’i bashkohej ekipit përfaqësues. Kryesisht varet nga ajo që ai dëshiron”, ka thënë Ostlund për Salihin.
Ostlund ka treguar se lidhja e tij me Kosovën është më e fortë.
“Gruaja ime, Blerta, është me origjinë nga Kosova. Në federatë e kanë kuptuar për këtë disa vjet më parë. Më pas kontakti u bë dhe kur vendosën ta ndryshojnë trajnerin, më është bërë oferta”, ka thënë Ostlund. Ai i ka dy tituj të kampionit dhe dy kupa të Suedisë me ekipin e femrave të Savehovit. Me Hallbyn po shkruan histori, ndërsa tani synon ta bëjë këtë edhe me Kosovën.
“Nuk është e pamundur të kualifikohemi në një ngjarje të madhe për herë të parë. Ishim një fitore larg Evropianit së fundi. Kështu që ka mundësi. Por duhet një strukturim”.
Ardhja e Zhutës po ashtu vlerësohet shumë e rëndësishme për përfaqësuesen kosovare. Ndërkohë me Salihin, përfaqësuesja pritet të forcohet shumë edhe brenda fushës së lojës. Ai është kërkuar gjatë nga Kosova dhe më në fund ka vendosur të bashkohet me përfaqësuese.