Dhjetëra mijëra njerëz ishin në pritjen solemne të hendbollistëve të Kroacisë, të hënën mbrëma në Zagreb.
Atyre u është bërë pritje e zjarrtë pas suksesit në Kampionatin Evropian.
Kroacia e fitoi medaljen e bronztë në Evropianin që të dielën përfundoi në Danimarkë. Danimarka u shpall kampione, ndërsa Gjermania humbi në finale. Për vend të tretë kroatët mposhtën Islandën.
Suksesi në Evropian solli zhvillime të shumta në Kroaci, duke përfshirë ato të natyrës politike. Por kjo nuk ka ndikuar në numrin e madh të qytetarëve që dolën të hënën mbrëma në sheshin kryesor të Zagrebit. Kishte qytetarë nga të gjitha qytetet e Kroacisë, ka njoftuar televizioni kroat.

Hendbollistët e Kroacisë në skenën e madhe dolën të udhëhequr nga selektor Dagur Sigurdsson. Ata u përcollën me duartrokitje, ndërsa masa shpërtheu kur kapiteni Ivan Martinoviq shfaqi trofeun për vendin e tretë.
“Kjo është çudi. Ishim në vendin e njëjtë një vit më parë dhe atëherë kemi thënë se do të ishte mirë që këtë ta përsërisim. Jemi munduar të dëshmojmë që ajo që ndodhi më herët nuk ishte e rastësishme. Dhe jemi sërish këtu. Kjo medalje është edhe për tifozët tanë”, ka thënë Martinoviq.
Njëri prej lojtarëve më të mirë të Kroacisë, David Mandiq, ka theksuar se është aq i lumtur sa që do të mund të luante dy ndeshje në një mbrëmje, me gjithë lëndimet e shumta. Ai kishte në fytyrë shenjat nga betejat që zhvilloi gjatë Evropianit.
“Ne jemi luftëtarë dhe jemi si gladiatorë. I falënderojmë këta njerëz të shkëlqyer”, ka thënë Mandiq.
Momenti kryesor ishte kur në skenë doli këngëtari i njohur kroat, Marko Perkoviq Thompson. Pikërisht rreth Thompsonit ishin gjitha zhvillimet që në një mënyrë e lanë në hije suksesin sportiv.
Hendbollistët kërkuan që Thompsoni të jetë në pritjen solemne. Këtë e refuzoi qyteti i Zagrebit, që udhëhiqet nga partia e krahut të majtë. Dhe fillimisht u vendos që pritje mos të ketë. Por të hënën paradite ndodhi një zhvillim i papritur. Qeveria kroate, që udhëhiqet nga partitë e krahut të djathtë, vendosi të marr përsipër organizimin e pritjes solemne, ndërsa vendosi që në pritje të performojnë artistët që i kërkuan hendbollistët. Pra edhe Thompsoni.

Këngët e tij janë ndaluar në Evropianin e hendbollit e po ashtu janë të ndaluara në disa vende evropiane. Partitë e krahut të majtë e akuzojnë Thompsonin për “qëndrime fashiste”. Por përkrahja e kroatëve për Thompsonin është shumë e madhe. Dhe kjo u dëshmua edhe të hënën mbrëma. Ai është i dashur sidomos nga sportistët.
“Na sollët shumë gëzime. Për mua ju jeni kalorësit kroatë.Edhe kur keni fituar, edhe kur keni humbur, edhe kur disa gjëra ndodhën rreth jush, ju ishit si kalorës”, ka thënë Thompson.
Ai ka kënduar disa nga hitet më të njohura, që i këndojnë vazhdimisht hendbollistët dhe sportistët e tjerë kroatë.