Sporte të tjera

Pritja e hendbollistëve shndërrohet në çështje politike në Kroaci

kroaci

Hendbollistët e Kroacisë e fituan të dielën medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian.

Por pritja e tyre në vendlindje ka lënë në hije gjithë suksesin sportiv. Madje pritja është shndërruar në temën kryesore politike në vend.

Hendbollistët kanë kërkuar që në pritjen në shesh të këndojë këngëtari i njohur, Marko Perkoviq – Thompson. Për shkak të qëndrimeve të Thompsonit, kërkesën e hendbollistëve e ka refuzuar qyteti i Zagrebit.

Dhe fillimisht u vendos që mos të ketë pritje fare.

Por të hënën situata ndryshoi. Qeveria e Kroacisë doli me vendim të papritur që të organizojë ajo pritjen solemne në shesh për hendbollistët. Pritja do të bëhet në sheshin kryesor të Zagrebit, sot nga ora 18:00. Dhe do të këndojë edhe Thomsponi i famshëm, ndër të tjerë.

Reagimet janë edhe më të shumta pas vendimit të Qeverisë.

Kryetari i Zagrebit, Tomislav Tomasheviq, ka thënë se lojtarët kanë insistuar që në shesh të jetë Thomsponi.

“Pasi kjo është kundër vendimeve të kuvendit komunal për përdorimin e përshëndetjes së ustashëve, që vlen për të gjithë, pra edhe për Thompsonin që këtë vendim tashmë e ka thyer në koncertin në Arenë, nuk kemi mundur të realizojmë kërkesën e hendbollistëve. Pas kësaj edhe reprezentacioni ka vendosur që pritje në Zagreb nuk do të ketë”, kishte shkruar Tomasheviq para se të merrej vendimi i qeverisë.

Tashmë ka përplasje të dy blloqeve të ndryshme politike. Dhe hendbolli dhe suksesi përnjëherë mbetën në plan të dytë.

Hendbollistët janë kthyer të hënën në orët e mëngjesit. Qindra qytetarë i kanë pritur në aeroport. Dhe janë kënduar këngët e Thompsonit.

Është raportuar edhe për kërcënime me vdekje ndaj kryetarit të Zagrebit, Tomasheviqit.

 

Reagon federata kroate: Duam festë, jo ndarje

1 o. më parë / 2 shk 2026 14:04
Hendboll

Vazhdojnë zhvillimet e shumta lidhur me pritjen e hendbollistëve kroatë në Zagreb. Pasi qyteti i Zagrebit, që drejtohet nga opozita kroate, anuloi pritjen, Qeveria e Kroacisë doli me vendim për të organizuar pritje solemne sot nga ora 18:00.

Reagimet janë të shumta, për e kundër, ndërsa së fundi u deklarua edhe federata kroate e hendbollit.

“Si sportistë duam që kjo festë në shesh të jetë festë e hendbollit dhe sportit kroat, përkatësisht festë për suksesin e madh në Evropian. Ne përfaqësojmë qytetarët kroatë dhe nuka duam kurrfarë ndarjesh dhe nuk duam që në asnjë mënyrë të përfshihemi në politikë”, shkruan në qëndrimin e federatës kroate.

Hendbollistët kanë kërkuar që në pritje të paraqitet këngëtari me qëndrime të djathta, Thompsoni. Por këtë e ka refuzuar qyteti i Zagrebit dhe fillimisht pritja u anulua.

Thompsoni ka dekada që ndan opinionin kroat. E majta kroate e akuzon për qëndrime në përkrahje të ustashëve. Por numri i përkrahësve kroatë të Thompsonit është shumë i madh. Në koncertet e tij janë thyer shumë rekorde. 
Këngët pro-kroate të Thompsonit u ndaluan në Evropian.