Rajon

Komisioni Evropian reagon ndaj thirrjeve të Thompsonit dhe reagimit të Plenkoviqit

Perkoviq-Plenkoviq

Komisioni Evropian ka reaguar ndaj përshëndetjes pro-naziste në koncertin e madh të këngëtarit kroat Marko Perkoviq-Thompson në Zagreb, dhe mbështetjen që ia dha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

“Fuqishëm dënojmë çfarëdo shprehje të fashizmit që na kujton kohët më të errëta të historisë evropiane”, kanë thënë nga Komisioni Evropian në një përgjigje për mediumin kroat “index”.

Komisioni pos përshëndetjes pro-naziste ka dënuar edhe qëndrimin e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq që pas koncertit u shpreh se përshëndetja është pjesë e repertorit të Thompsonit dhe se të gjithë janë krenarë me koncertin.

“Në nivel të BE-së është një vendim kornizë mbi dënimin e racizmit dhe ksenofobisë, që obligon shtetet anëtare të kriminalizojnë gjuhën e urrejtjes. Kjo përfshin nxitjen publike të dhunës ose urrejtjes kundër individëve ose grupeve bazuar në racë, ngjyrë, fe, prejardhje a origjinë kombëtare ose etnike”, thuhet në përgjigjen e komisionit.

Të shtunën, mbi gjymësmilioni njerëz u mblodhën në Zagreb në koncertin e madh të Perkoviqit që njihet për këngët me qasje nacionaliste.

Një prej këngëve të tij të famshme nis me një përshëndetje “Për vendlindjen – Gati”, që përdorej nga regjimi i ushtashëve në Kroacinë e kohës së nazizmit.

Perkoviq, emri skenik i të cilit është Thompson për shkak të armës amerikane, ka thënë se këngët e tij, që nga shumë cilësohen kontroverse dhe nxitëse, janë “dëshmi e përfundimit të një epoke”. Ai ka thënë se ato janë të lidhura me fundin e luftës së Kroacisë dhe shpalljen e pavarësisë nga ish-Jugosllavia. Lufta e të ’90-tave shpërtheu kur serbët lokalë, të mbështetur nga Serbia, synuan të ndaheshin nga Kroacia dhe të bashkoheshin me Serbinë.

Fama e Perkoviqit në Kroaci, siç ka shkruar “Associated Press”, reflekton ruajtjen e sentimentit nacionalist edhe 30 vjet pas luftës.

Trupat e quajtur ustashe në Kroaci kishin vrarë dhjetëra mijëra serbë, hebre e romë gjatë kampeve të përqendrimit në shtet. Pavarësisht mizorive të dokumentuara, disa nacionalistë ende i shohin udhëheqësit e regjimit ustash si themelues të shtetit të pavarur kroat.

“Vecernji List” kroat ka shkruar se organizimi ka mbetur nën hijen e përshëndetjes së regjimit që miratoi “ekzekutimin masiv të njerëzve”.

Ndërkaq televizioni rajonal “N1” ka theksuar se çfarëdo interpretimi që mund t’i jepet përshëndetjes, ajo padyshim bën fjalë për regjimin ustash. Siç ka shkruar ky medium, teksa gjermanët kanë bërë ndarje të qartë nga çdo gjë që lidhet me nazizmin “për të parandaluar interpretimet e shtrembra dhe kthimin në të kaluarën e errët.... Kroacia s’është as afër kësaj, as në vitin 2025”.

Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq, i ka kritikuar koncertet e Perkoviqit duke i quajtur “paraqitje të përkrahjes për nazizmin”. Ish-presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se ky koncert ka qenë turp për Kroacinë dhe Bashkimin Evropian sepse “glorifikon vrasjen e njerëzve të një kombi, në këtë rast Serbisë”.

Kroacia iu bashkua BE-së më 2013.

Policia e Kroacisë ka thënë se koncerti i Perkoviqit ka qenë më i madhi ndonjëherë.

Nuk është raportuar për ndonjë incident të madh.