Futboll

Yaya Toure hap sërish debatin për Guardiolan: Ai është gjarpër

Yaya Toure

Ikona e Manchester Cityt, Yaya Toure, e ka hapur sërish debatin për trajnerin Pep Guardiola, duke thënë se tekniku spanjoll është “gjarpër”.

Toure dhe Guardiola kanë pasur prishje të raporteve qëkur trajneri i asaj kohe te Barcelona, e kishte shitur mesfushorin te City në vitin 2010. Ndërkohë, e kishte promovuar Sergio Busquetsin nga ekipi B i Barcelonës.

Guardiola e shihte Busquetsin më të përshtatshëm në rolin e mesfushës me sistemin 4-3-3.

Toure i kompletoi vetëm nëntë ndeshje në sezonin e tij të fundit në “Camp Nou”. Ndërkohë, ka pasur shkëlqim gjatë tetë vjetëve të kaluar në “Etihad Stadium”.

Toure së fundmi ka folur në kanalin e YouTubet “ZACK”.

“Nuk shoh njeri, shoh gjarpër. Trajneri i Barcelonës më thirri dhe më tha që të kthehem prapë sepse jam i rëndësishëm. Gruaja më tha: Do ta dëgjosh? Ai të ka trajtuar shumë keq dhe tani dëshiron që ti të qëndrosh. Le të shkojmë në Manchester. Ai nuk më futi në lojë për gjithë vitin dhe në fund të vitit, pasi shkëlqeva në Botërorin 2010, më dëshironte sërish në Barcelonë. Gruaja më tha se ai është ‘shejtan’. Ai nuk është burrë, është i ligë. Ajo e sheh atë si person negativ”, ka deklaruar Toure, tani 42-vjeçar.

Pavarësisht telasheve me Guardiolan, Toure ishte shumë i suksesshëm me Barcelonën dhe Manchester Cityn. Ai i fitoi tri Premier League, dy La Liga, Ligën e Kampionëve dhe pesë trofe vendor.