Sport

Trepça e Prishtina gati për superfinalen e Kupës

Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Trepça e Sigal Prishtina takohen në finale të Kupës së Kosovës në basketboll. Ndeshja zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Palestra pritet të jetë e mbushur me shikues, ndërsa spektakli i basketbollit nuk do të mungojë. Si te Trepça ashtu edhe te Prishtina kanë premtuar festë basketbolli.

Por në fund do të festojë vetëm njëra skuadër. Trepça është fituese e Kupës në dy vjetët e kaluar. Vjet në finale e mposhti pikërisht Prishtinën. Gjithsej Trepça Kupën e Kosovës e ka fituar gjashtë herë. Prishtina ndërkohë ka fituar Kupën plot 15 herë, së fundi në vitin 2021.

Drilon Hajrizi e udhëhoqi Trepçën vjet drejt suksesit. Hajrizi vazhdon të jetë lider i skuadrës mitrovicase. Formën e lartë e ka dëshmuar edhe në dy ndeshjet për Kupë.

Trepça e kaloi Istogun në çerekfinale dhe Golden Eagle Yllin në gjysmëfinale.

“Deri më tani çdo gjë ka shkuar sipas planit. I jemi përmbajtur asaj që e kemi përgatitur dhe tani jemi në finale. Përballë e kemi Prishtinën që ka fond të pasur të lojtarëve. Ka lojtarë me përvojë, por i ka edhe zbrazëtirat, ku ne do ta sulmojmë në bazë të asaj që e përgatisim. Jemi favoritë, por këtë duhet ta dëshmojmë në parket”, ka thënë Hajrizi për KOHËN, të premten.

Skuadra e Trepçës është vendosur në Gjakovë për turneun final të Kupës. Hajrizi ka falënderuar drejtuesit e klubit për kushtet e ofruara.

“Nëse angazhohemi si deri më tani dhe luftojmë për njëri-tjetrin nuk pres që të kemi telashe as në finale”, ka shtuar Hajrizi.

Skuadra mitrovicase pret përkrahje të madhe të shikuesve, ndonëse në Gjakovë. Trepça ka njoftuar se në Mitrovicë janë shitur mbi 1000 bileta për ndeshjen finale.

Trepça është në seri prej 14 ndeshjeve në Superligë, ndërsa seria ka shkuar në 16 ndeshje, duke llogaritur edhe dy ndeshjet për Kupë.

Prishtina ka pasur formë të luhatshme në Superligë. Në Kupë kaloi fillimisht Proton Cable Prizrenin e të enjten në gjysmëfinale e mposhti Bashkimin.

Kapiteni Dardan Berisha është kthyer nga lëndimi dhe po jep kontribut të madh. Lojtar i rëndësishëm është edhe kroati Henrik Shirko.

“Uroj ekipin për hyrjen në finale. Para nesh është edhe një ndeshje deri te trofeu, me ekipin e Trepçës. Nesër ka festë basketbolli. Ftoj tifozët të na përkrahin dhe të shijojnë finalen e Kupës së Kosovës”, ka thënë Shirko për KOHËN.

Prej orës 14:00 është finalja e Kupës te basketbollistet. Takohen Prishtina e Bashkimi.