Bashkimi e Sigal Prishtina takohen në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll. Ndeshja e parë është të mërkurën prej orës 18:45 në palestrën “Sezai Surroi”, në Prizren.
Edhe gjysmëfinalja, njëjtë si çerekfinalja, zhvillohet në dy ndeshje. Skuadra më e mirë pas dy ndeshjeve avancon në finale.
Të dy skuadrat synojnë të bëjnë hap të madh drejt finales. Derisa Bashkimi pret të përfitojë nga paraqitja në shtëpi, Prishtina udhëton me synim të qartë.
Në çerekfinale Bashkimi kishte punë më të vështirë. E eliminoi GO+ Pejën. E mposhti në të dy ndeshjet. Prishtina ndaj Vëllaznimit fitoi në Gjakovë e më pas humbi në shtëpi. Por avancoi për shkak të fitores më të thellë në ndeshjen e parë.
Në Superligë, Bashkimi është i dyti me 30 pikë, përkatësisht me bilanc prej 12 fitoreve e gjashtë humbjeve. Ndërkohë Sigal Prishtina është vetëm e gjashta me 26 pikë. Bilanci i saj është tetë fitore e dhjetë humbje.
Dy skuadrat së fundi u përballën më 31 janar. Dhe Bashkimi e fitoi bindshëm, 84:63, ndeshjen para tifozëve të tij. Shanon Shorter shkëlqeu në atë ndeshje kampionale me 24 pikë, pesë kërcime e tri asistime. Lojë të mirë kishte edhe Ike Nwamu me 21 pikë. Te Prishtina lojë pak më të mirë kishin Elijah Clarance me 17 pikë, pesë asistime e tri kërcime, si dhe Khalil Dukes me 17 pikë, dy kërcime e dy asistime.
Prishtina po përballet me lëndime të shumta dhe kjo ka pasur ndikim në ndeshjen e fundjavës në Prizren.
Te Bashkimi presin që palestra të mbushet me shikues dhe ata të shtyjnë skuadrën drejt një paraqitjeje dominuese.
Në gjysmëfinalen tjetër të Kupës takohen Trepça dhe Bora e Prishtinës. Trepça llogaritet favorite e madhe. Edhe ndeshja e parë mes Trepçës dhe Borës luhet të mërkurën nga ora 18:45.
Skuadra mitrovicase është fituese në fuqi e Kupës e po ashtu kampione në fuqi. Për më tepër është lidere e klasifikimit me 33 pikë. Bora është e katërta me 27 pikë.
Trepça është në seri prej dhjetë fitoreve në Superligë, ndërsa Bora në fundjavë humbi nga Vëllaznimi në Gjakovë, duke i dhënë fund serisë prej katër fitoreve.
Trepça e Bora i kanë tri ndeshje rresht mes tyre. Në fundjavë luajnë në Prishtinë në kuadër të xhiros së 19-të të Superligës, e javën tjetër sërish në Prishtinë e luajnë ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës.
Së fundi Trepça ka luajtur me Borën më 18 dhjetor. E mposhti me rezultat 84:76. E kishte mposhtur edhe më 16 dhjetor, në ndeshjen e shtyrë, me rezultat 90:72.