Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Në Prizren vendoset finalisti i dytë

Prizren

Trepça të mërkurën mbrëma do ta mësojë kundërshtarin e finales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Kampionia në fuqi e siguroi finalen të dielën, ndërsa finalisti i dytë do të përcaktohet në Prizren. Në palestrën “Sezai Surroi” nga ora 19:30 takohen Bashkimi dhe Bora.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bashkimi llogarit në përkrahjen e madhe të shikuesve, por Bora do të jetë e qetë dhe rrjedhimisht në pozitë të mirë për ta siguruar finalen.

Pas katër ndeshjeve gjysmëfinale rezultati është 2:2.

Bashkimi fitoi gjysmëfinalen e parë dhe të tretë, në Prizren, me rezultatin 73:70 dhe 88:73. Ndërkohë Bora fitoi në Prishtinë, me rezultat 76:75 dhe 104:99.

Të dy skuadrat e synojnë finalen, por megjithatë situata nuk është e njëjtë për të dy ekipet. Derisa Bashkimi nga fillimi ka synuar trofetë, Bora me kualifikim në gjysmëfinale tashmë ka kaluar synimet. 

“Nuk kemi presion për të siguruar finalen. Natyrisht, do të japim më të mirën në Prizren. Ekipe të tjera e synojnë titullin prej fillimit dhe bëjnë shpenzime. Kjo situatë ne na mundëson të luajmë më të lirë dhe ta shijojmë këtë rrugëtim. Shpresoj se do të japim më të mirën në Prizren dhe çkado që ndodh, ne kemi dëshmuar se jemi ekip i vlefshëm”, ka thënë trajneri i Borës, Zoran Kashqelan.

Prizrenasit që në fillim kanë shpalosur synimet për trofe. Në finale të Kupës së Kosovës pësuan nga Trepça dhe tani duan ta rivalizojnë atë në serinë finale të plejofit. Por dy humbjet me Borën nuk janë pritur mirë në kampin prizrenas.

“Për kualifikim në finale duhet të luajmë shumë më mirë se në ndeshjen e kaluar në Prishtinë”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Igor Jovoviq.

Si i dyti në pjesën e rregullt të kampionatit, Bashkimi ka startuar prej gjysmëfinales në plejof. Ndërkohë Bora, që përfundoi e treta, në çerekfinale e eliminoi lehtë Sigal Prishtinën.

Bora është themeluar si klub vetëm katër vjet më parë dhe tashmë ka arritur suksesin më të madh.

Bashkimi e ka fituar titullin e kampionit në vitin 2018, ndërsa ka humbur tri finale të plejofit, të fundit vitin e kaluar.