Dy skuadrat e kreut të tabelës në Superligë, Trepça e Bashkimi, e kërkojnë të mërkurën vendin në finale të Kupës së Kosovës në basketboll.
Të mërkurën luhen ndeshjet e kthimit të fazës gjysmëfinale. Të dy gjysmëfinalet zhvillohen në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Nga ora 17:00 takohen Bora e Trepça, kurse prej orës 20:00 është takimi mes Sigal Prishtinës dhe Bashkimit.
Trepça është kampione në fuqi dhe fituese në fuqi e Kupës së Kosovës. Dhe llogaritet favorite e madhe për vend në finale.
Në gjysmëfinalen e parë, më 4 shkurt në “Minatori”, Trepça e mposhti lehtë dhe bindshëm Borën e Prishtinës, 87:64. Të njëjtën skuadër e mposhti edhe më 7 shkurt në Prishtinë, në kuadër të xhiros së 19-të të Superligës. Rezultati i ndeshjes ishte 88:71 në të mirë të Trepçës.
“Xehetarët” në çerekfinale e eliminuan Golden Eagle Yllin, ndërsa në Superligë janë në vendin e parë me 35 pikë. Bora është e katërta me 28 pikë.
Më shumë rivalitet pritet në ndeshjen mes Sigal Prishtinës dhe Bashkimit. Skuadra prizrenase e fitoi gjysmëfinalen e parë në shtëpi me rezultatin 83:67. Ndonëse fitorja e Bashkimit ishte e thellë, sfida vlerësohet e hapur edhe për ndeshjen e dytë. Prishtina do ta kërkojë revanshin, ndërsa për kalim në finale i duhet fitore më e thellë se ajo e Bashkimit në ndeshjen e parë.
Bashkimi është në moment dukshëm më të mirë se Prishtina. Në fundjavë fitoi me rezultatin 68:63 ndaj Yllit në Suharekë. Ndërkohë Prishtina u mposht në shtëpi nga Peja me rezultatin 82:78.
Bashkimi i Prizrenit është i dyti në tabelë me 32 pikë, Prishtina renditet vetëm e gjashta me 27 pikë.
Në çerekfinale Bashkimi e eliminoi Pejën, kurse Prishtina e kaloi Vëllaznimin.
Bashkimi e Trepça do të kenë pamje më ndryshe në krahasim me ndeshjen e parë gjysmëfinale. Bashkimi është ndarë me T.J Bickerstaff, kurse ka angazhuar Kenny Ëotten Jr dhe Josh Nzeakor.
Pas humbjes së javës së kaluar në Prizren, Prishtina u nda me trajnerin grek, Michail Kakiouzis. Në vend të tij ka angazhuar Dushan Dubleviqin, që është nga Mali i Zi. Së fundi është larguar edhe basketbollisti Khalil Dukes, kurse të martën Prishtina e prezantoi përforcimin e radhës, Alex Lomaxin, që më herët luajti për Borën.