Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trepça e Prishtina mbështeten te përkrahja e tifozëve për triumf në finale të Kupës

Rrugë dukshëm më të lehtë drejt finales së Kupës së Kosovës pati skuadra e Trepçës. Trepça në “Final 8” të kësaj gare, eliminoi Vëllaznimin e Rahovecin. Por në finalen e madhe që zhvillohet të dielën në Rahovec, Trepça do ta ketë testin më të vështirë. Ballafaqohet me Sigal Prishtinën, 15-të herë fituesen e këtij trofeu. Për herë të fundit, “bardhekaltrit” kishin triumfuar në Kupë në edicionin 2020/21.

Ndeshja Trepça – Sigal Prishtina nis në orën 17:00 dhe luhet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, që ishte nikoqir i Kupës në këtë edicion.

Ndryshe nga xehetarët, Sigal Prishtina e drejtuar nga trajneri turk, Ahmet Kandemir, fitoi përballë Bashkimit të Prizrenit, ndërsa e eliminoi edhe Golden Eagle Yllin e Suharekës, kampionin në fuqi të Superligës së basketbollit kosovar.

Trepça që është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës, synon që ta mbrojë trofeun.

Dhe besim të plotë në suksesin e dytë rresht dhe të gjashtin në total, ka trajneri i skuadrës mitrovicase, Engin Gençoglu.

Edhe Trepça e Prishtina gati për superfinalen e Kupës Sport Trepça e Prishtina gati për superfinalen e Kupës

Trajneri turk, Gençoglu, theksoi të shtunën për KOHËN se skuadra është e përgatitur për testin më të vështirë në këtë garë sivjet. Por, ka besim të plotë te basketbollistët që ai i drejton.

“Besojmë se do ta fitojmë Kupën edhe pse nuk do të jetë lehtë sepse është vetëm një ndeshje dhe përballemi me Prishtinën. E kemi parasysh se Prishtina ka ekip të mirë, por edhe ne jemi ekip i mirë. Pres një lojë të fortë dhe sigurisht fitoren tonë, pasi duam ta mbrojmë trofeun e fituar vitin e shkuar. Po ashtu, jemi të motivuar sepse kemi edhe përkrahjen e tifozëve tanë që janë shumë të rëndësishëm për ne”, tha Gençoglu.

Një numër i madh i tifozëve të Trepçës “Torcida”, dhe “Plisat” e Sigal Prishtinës, pritet të jenë të pranishëm në palestrën “Mizahir Isma”.

E mbështetje të madhe nga tifozët e skuadrës “Plisat”, pret edhe Dardan Berisha, njëri prej më të mirëve te Sigal Prishtina.

Berisha shpreson që ta rikthejë Kupën e Kosovës në kryeqytet, por ka treguar respekt për skuadrën mitrovicase.

“Do të jetë lojë shumë e vështirë, njësoj si çdo finale tjetër. Por unë shpresoj dhe kam besimin se ne do të bëjmë lojë të mirë. Uroj që të ketë edhe atmosferë të mirë e të zjarrtë në palestër. Padyshim që do të jetë lojë shumë e fortë për shkak se do të luajnë dy skuadrat më të mira këtë vit”, ka thënë Berisha.

Edhe Bashkimi synon ta shfrytëzojë momentin jo të mirë të Trepçës Basketboll Bashkimi synon ta shfrytëzojë momentin jo të mirë të Trepçës

Berisha me bashkëlojtarë në dhjetor të vitit të kaluar, e kishin mposhtur skuadrën e Trepçës në finalen e Superkupës së Kosovës.

Ajo ndeshje kishte mbetur në hije të incidenteve të rënda në Pallatin e Sporteve në Prishtinë. Prishtina kishte triumfuar 73:54.

Në ligë këtë edicion skuadrat janë takuar tri herë.

Bilanc më të mirë kanë kryeqytetasit me dy fitore, ndërsa një tjetër e ka fituar Trepça.

Nga ora 14:00 në “Mizahir Isma” të shtunën luhet edhe finalja e konkurrencës së femrave.

Në finale të Kupës së Kosovës luajnë Prishtina dhe Bashkimi.

Edhe Trepça e fiton Kupën e Kosovës për herë të pestë rresht Basketboll Trepça e fiton Kupën e Kosovës për herë të pestë rresht

Bashkimi është gjashtë herë fituese e Kupës së Kosovës. Triumfoi edhe në edicionin e kaluar.

Prishtina nga ana tjetër ka 12 kupa të Kosovës.