Për herë të pestë rresht, Trepça do të paraqitet në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Dhe synimi i “xehetarëve” është i qartë – titulli i tretë rresht.
Njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të Trepçës, Drilon Hajrizi, thotë se finalja e radhës është rezultat i punës që po bëhet për shumë vjet në klub.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKundërshtari i Trepçës në finale nuk dihet ende. Bashkimi e Bora takohen të mërkurën mbrëma në Prizren për të përcaktuar finalistin e dytë. Por ecuria e deritashme e bënë Trepçën favorite edhe në finale.
Trepça e siguroi finalen e plejofit me fitoren e arritur të dielën mbrëma ndaj Pejës në “Karagaçi”. Serinë gjysmëfinale, mitrovicasit e fituan me rezultatin 3:1. Dhe tani ngadalë fokusin e kthejnë te finalja.
“Prej fillimit puna që kemi bërë e kishte qëllimin që të arrijmë këtu – në finale. Është bërë me të vërtetë punë e madhe. Nuk e kam fjalën vetëm për këtë edicion, por për punën shumë profesionale që në klubin tonë po bëhet për shumë vjet. Dua të falënderoj gjithë lojtarët për angazhimin, trajnerët për punën e madhe dhe natyrisht kryesinë e klubit për kushtet që na ofron që ne të jemi në gjendje të bëjmë punën tonë”, ka thënë Hajrizi për KOHËN, të hënën.
Trepça fitoi ndaj Golden Eagle Yllit në finalen e edicionit 2023/2024 dhe ndaj Bashkimit në finalen e edicionit të kaluar. Në vitin 2022 humbi në finale nga Ylli e një vit më pas nga Peja.
Stinorin e rregullt Hajrizi me shokë e përfunduan në pozitën e parë dhe për këtë në plejof startuan direkt prej gjysmëfinales. Gjysmëfinalja me Pejën ishte sfiduese, sidomos për Hajrizin.
“Normal, synimi është ta mbrojmë titullin, përkatësisht që ta fitojmë për herë të tretë rresht. Sot e kemi pushim dhe prej nesër fillojmë përgatitjet për finale. Do të jemi gati”, ka theksuar basketbollisti me përvojë.
Hajrizi ka respekt për të dy kundërshtarët e mundshëm.
“Do të presim të kuptojmë se cili do të jetë kundërshtari i finales. Por mund të them që të dy ekipet janë të rrezikshme. Bashkimi është ekip kualitativ. Ndërkohë Bora është skuadër e papërshtatshme. I ka tejkaluar synimet dhe secila skuadër që është në këtë pozitë mund të jetë e rrezikshme”.
Trepça ka disa vjet që shquhet me organizim e seriozitet. Rrjedhimisht edhe me suksese. Ka edhe përkrahje të madhe nga shikuesit.
Ndonëse Trepça vlerësohet favorite e madhe për finale, Hajrizi kërkon përkushtim maksimal.
“Ndeshjeve finale do t’u qasemi me seriozitet maksimal. Kjo është e sigurt”, ka thënë Hajrizi.
Trepça i ka mbledhur gjithë trofetë e basketbollit kosovar në vitet e fundit.