Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Trepça e feston titullin e shtatë në Prizren

trepca

Skuadra e Trepçës ka vazhduar me dominimin në elitën e basketbollit të Kosovës. Të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Trepça fitoi tjetër titull, për ta konfirmuar dominimin në basketbollin kosovar. 

Trepça e mposhti Bashkimin 98:78 në finalen e katërt. Për mitrovicasit është titulli i shtatë në histori të klubit dhe i treti rresht. Me këtë triumf, Trepça tani është skuadra e dytë më e suksesshme në Kosovë, duke e kaluar Pejën që ka gjashtë tituj. Sigal Prishtina është skuadra më e suksesshme me 14 tituj. 
Trepça i ka fituar titujt në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024 dhe 2025. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bashkimi mbetet me vetëm një titull kampioni në Kosovë. Titullin e fitoi në vitin 2018, ndërsa ishte në finale edhe në edicionin e kaluar, kur humbi pikërisht nga Trepça. 

Serinë finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar, Trepça e fitoi me rezultatin 4:0. Dy ndeshjet e para në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça i fitoi me rezultatin 84:79 dhe 93:83. Në të dyja ndeshjet, të pranishëm ishin mbi tre mijë shikues. Palestra ishte e mbushur plot edhe në “Sezai Surroi” të dielën në Prizren. Por, atmosfera e zjarrtë e krijuar nga tifozët vendës, nuk u ndihmoi basketbollistëve të Bashkimit. Edhe atë ndeshje, “xehetarët” e fituan 84:80. 
Sfida e së mërkurës nuk mblodhi shumë shikues në Prizren, ndërsa nisi më mirë për vendësit që krijuan shpejtë epërsi 9:0 dhe më pas 11:2. Por, skuadra e trajnerit Adis Beqiragiq u kthye në lojë shpejtë dhe e barazoi rezultati pesë minuta pa u mbyllur çereku i parë në 13:13. 
Më pas kaloi në epërsi për të mos e lëshuar deri në fund të ballafaqimit. 

Çerekun e parë, Trepça e mbylli me rezultatin 30:22, ndërsa në pushim shkoi me 12 pikë dallim, 52:40. 

Rezultati shkoi duke u thelluar ndërsa pas çerekut të tretë ishte 77:63. 
Deri në fund nuk lejoi befasi dhe iu gëzua fitores së thellë. 

Shawn Jones i kishte statistikat më të mira në ndeshje te Trepça me nëntë pikë e pesë kërcime. Mikaile Tmushiq u dallua po ashtu me 11 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. 

Akili Vining i realizoi 13 pikë, ndërsa nga 12 i patën Drilon Hajrizi dhe Ja’Cori Payne. Me dhjetë pikë ndeshjen e mbyllën Mustapha Amzil dhe Kenneth Hasbrouck. 
Ike Nwamu ishte më i miri te Bashkimi me 18 pikë, katër kërcime e tri asistime. 

Trepça në gjysmëfinale të plejofit e eliminoi Pejën, ndërsa Bashkimi triumfoi ndaj Borës së Prishtinës. Dhe në finale, mitrovicasit nuk gabuan për një tjetër triumf. 

Muaj më parë pikërisht ndaj Bashkimit, Trepça e fitoi edhe Kupën e Kosovës për herën e pestë rresht, dhe për të nëntën herë në histori.


 

Trepça i afrohet titullit

Trepça i është afruar titullit të shtatë në histori të klubit dhe të tretit rresht në elitën e basketbollit kosovar.

Skuadra mitrovicase, që e ka dominuar basketbollin vendor në vitet e fundit, ka epërsi 3:0 në serinë finale të plejofit ndaj Bashkimit të Prizrenit. 

Trepça është duke fituar edhe në pjesën e parë të ndeshjes së katërt të serisë finale që po luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. 

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 52:40 në të mirë të mitrovicasve. 

Statistikat më të mira në pjesën e parë te Trepça i pati Shaën Jones, me nëntë pikë e katër kërcime. 
Mikaile Tmushiq i pati tetë pikë, katër kërcime e dy asistime. 

Te Bashkimi u dallua Jalen Riley me 14 pikë, dy kërcime e dy asistime. 

Trepça i fitoi tri ndeshjet e para, dy në Mitrovicë dhe një në Prizren, me rezultatin 94:79, 93:83 dhe 84:80.

Trepça e ka fituar titullin në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024 dhe 2025.  Bashkimi është kampion i Kosovës vetëm një herë, në vitin 2018. 

Trepça skuadrën e Bashkimit muaj më parë e mposhti edhe në finalen e Kupës së Kosovës. E fitoi Kupën për herën e pestë rresht dhe për herën e nëntë në histori të klubit.