(E përditësuar) - Trepça është kampione e Kosovës në basketboll. Titullin e dytë rresht dhe të gjashtin në histori, Trepça e siguroi të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Në finale të plejofit, mitrovicasit triumfuan 4:2 ndaj Bashkimit të Prizrenit. Fitoren e katërt e arritën në arenën e stërmbushur me shikues.
Trepça fitoi me rezultat 82:67.
Skuadra e Adis Beqiragiqit ka dominuar nga fillimi e deri në fund të ndeshjes dhe ka mbajtur epërsi gjithë kohën. Prizrenasit megjithatë nuk janë dorëzuar duke e bërë ndeshjen shumë interesante.
Kështu Trepça e ka vazhduar dominimin e plotë në basketbollin kosovar. Për të dytin edicion rresht i ka fituar gjithë trofetë.
“Gjëja më e rëndësishme është se kemi bërë disa ndryshime dhe e kemi ruajtur epërsinë. Jemi të lumtur, sidomos për drejtuesit e klubit. Nëse nuk ke organizim të mirë, është vështirë të kesh sukses. Shpresoj që Trepça të ketë sukses edhe në Evropë. Për momentin jam trajner i lirë, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Si ata, edhe unë dua të qëndroj, por do të shohim”, ka deklaruar trajneri Beqiragiq.
Trepça e nisi me triumfin ndaj Sigal Prishtinës në shtator të vitit të kaluar në finale të Superkupës së Kosovës, ndërsa në shkurt të këtij viti e fitoi Kupën e Kosovës. Edhe në finale të Kupës fitoi ndaj Bashkimit.
“Të them të drejtën ka qenë kampionat i vështirë, i niveluar. Ka pasur situata që ka mundur edhe të shkojë ndryshe, por kjo është gjuha e kampionit. Ne e kemi mësuar këtë gjuhë, të tjerët duhet ta mësojnë. Të dielën do të shkojmë në Prizren për të pirë kafe, nëse na fton trajneri i Bashkimit, sepse ashtu ka thënë ai. Nëse na fton do të shkojmë”, ka deklaruar pas ndeshjes Hajrizi duke qeshur.
“Xehetarët” të mërkurën mbrëma në palestrën e stërmbushur me shikues dhe me përkrahjen e madhe të tifozëve mitrovicas, e humbën vetëm çerekun e tretë. Të parin e fituan me rezultatin 27:22, ndërsa të dytin me rezultatin 18:8. Trepça në pushim shkoi me epërsi të thellë prej 15 pikëve, 45:30.
Bashkimi i udhëhequr nga trajneri Sasha Jankoviq u mundua të kthehej në lojë, duke e fituar periudhën e tretë me dy pikë dallim, 19:17. Por, basketbollistët e trajnerit Beqiragiq, nuk u shpërqendruan. Vazhduan lojën e mirë në mbrojtje e në sulm ishin shumë efikas, për fitoren e radhës.
Michael Green i vendësve i kishte statistikat më të mira në këtë ballafaqim. Green e mbylli ndeshjen me 20 pikë, pesë asistime e tri kërcime. Formë të mirë pati edhe Mikaile Tmushiq me tetë pikë, katër kërcime e një asistim, ndërsa Drilon Hajrizi e mbylli takimin me 13 pikë e pesë kërcime.
Tekele Cotton e Michael Myers shënuan pikë dyshifrore po ashtu. Cotton i kishte 12 pikë, kurse Myers e mbylli ndeshjen me 11 pikë. Myers u shpall edhe lojtari më i vlefshëm i plejofit.
“Është çmenduri. Dua t’i falënderoj të gjithë në klub. Jam shumë i emocionuar. Të gjithë në palestër bërtisnin MVP. Kjo më dha fuqi më tepër. Mendoj se kemi luftuar më shumë se Bashkimi, prandaj dolëm fitues”, është shprehur Myers.
Bashkimit nuk i ndihmoi loja e mirë e Wendell Greenit, që shënoi 20 pikë, katër kërcime e katër asistime. Green e mbylli ndeshjen më herët pasi u përjashtua pas gabimit të dytë teknik. Ndërkohë, Dirk Williams shënoi 16 pikë, tri kërcime e një asistim, por që në fund nuk mjaftuan për ta dërguar finalen në ndeshjen e shtatë.
Bashkimi ishte i pari në stinorin e rregullt të Superligës së Kosovës me 48 pikë, pas 20 fitoreve e tetë humbjeve. Menjëherë pas prizrenasve ishte Trepça me 47 pikë, me 19 fitore e nëntë disfata.
Në gjysmëfinale, Bashkimi e eliminoi Pejën, ndërsa Trepça skuadrën e Yllit. Të dyja ekipet i fituan me rezultatin 3:1 seritë gjysmëfinale. Bashkimi e kishte epërsinë e terrenit në finale. Finalen e parë pa praninë e shikuesve për shkak të përleshjes mes zyrtarëve të klubit dhe anëtarëve të sigurimit, Bashkimi e fitoi me rezultatin 84:77. Trepça më pas rreshtoi tri fitore duke e fituar edhe avantazhin e terrenit. Në ndeshjen e dytë në “Minatori” në Mitrovicë fitoi 79:72. Finalen e tretë në “Sezai Surroi” në Prizren e fitoi 88:71, ndërsa nuk gaboi sërish në shtëpi për fitoren 80:74. Bashkimi e ngushtoi rezultatin e serisë finale në 3:2 pas fitores 85:77 në shtëpi. Por, e humbi ndeshjen e katërt dhe Trepça e fitoi epitetin e më të mirës në këtë edicion.
Trepça përveç këtij edicioni dhe vitit të kaluar, titullin e fitoi edhe në vitet 1993, 2000, 2001 dhe 2012. Ndërkohë, Bashkimi mbetet me titullin e vetëm të fituar në vitin 2018.
Rritet në 15 pikë epërsia e Trepçës
Trepça po udhëheq 45:30 ndaj Bashkimit pas pjesës së parë të ndeshjes në "Minatori". Me fitore
Trepça shpallet kampione e Kosovës në basketboll.
Ndeshja e gjashtë finale po luhet në atmosferë të zjarrtë.
Trepça në epërsi pas çerekut të parë
Trepça po udhëheqë 27:22 pas çerekut të parë të finales së gjashtë ndaj Bashkimit.
Ndeshja po luhet në "Minatorin" e stërmbushur me shikues.