Sport

S’ka marrëveshje, komuniteti i karatesë vazhdon të jetë i ndarë

Avni Gashi dhe Nazmi Gashi kanë pasur një javë kohë për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhjen komunitetit të karatesë, përkatësisht Avni Gashit dhe Nazmi Gashit, ua ka kërkuar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë takimit që ka pasur me përfaqësuesit e tashmë dy grupeve të karatesë kosovare.

Njëri grup përfaqësohet nga Avni Gashi dhe tjetri nga Besart Baruti e Nazmi Gashi. KOHA ka mësuar se Avni Gashi dhe Nazmi Gashi, deri vonë bashkëpunëtorë, të mërkurën kanë pasur një takim. Por nuk janë pajtuar për të gjetur një zgjidhje. Të dy grupet mohojnë legjitimitetin e grupit rival.

Avni Gashi dhe Nazmi Gashi do të raportojnë të premten sërish para ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“Nuk është bërë asnjë hap para sa u përket qëndrimeve. Nuk ka tërheqje të asnjërës palë”, ka thënë për KOHËN në kushte anonimiteti një përfaqësues i njërit prej dy grupeve të karatesë kosovare.

Avni Gashi përfaqëson grupin që pretendon se ai vazhdon të jetë kryetar i FKK-së. Nazmi Gashi përfaqëson grupin që pretendon se FKK-ja ka kryetar të ri, i zgjedhur javën e kaluar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor ishte thirrur nga sekretari i përgjithshëm i FKK-së, Nazmi Gashi, tashmë i shkarkuar, sipas grupit të Avni Gashit.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor ishte monitoruar nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

KOHA kishte mësuar se ka pasur shkelje serioze të procedurave për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas burimeve, Besart Baruti është zgjedhur kryetar pa bazë deleguese. Kjo pasi ai është propozuar nga klubi Mitrovica, që nuk ka marrë licencë nga MKRS-ja. Një qëndrim të tillë e kishin shprehur gjatë punimeve të kuvendit edhe përfaqësuesit e MKRS-së.

KOHA po ashtu merr vesh se MKRS-ja e njeh ende për kryetar Avni Gashin dhe për sekretar Nazmi Gashin. Por ata nuk e njohin legjitimitetin e njëri-tjetrit.

Atyre u është bërë me dije se FKK-ja rrezikon të humbë licencën nga MKRS-ja nëse nuk bëhet një zgjidhje.

Kështu ndarja në komunitetin e karatesë sa shkon e thellohet. Nga të dy grupet ka pasur “aktivitete” gjatë javës. Madje edhe publikim të fotografive për të dëshmuar forcën që kanë. Ka dyshime për përfshirje edhe të palëve të treta.

Mbetet të shihet si do të veprojë MKRS-ja me federatën e re, që ndahet në grupe. E kaluara ka dëshmuar se këto ndarje godasin sportin e sportistët. Dhe më së paku drejtuesit, që përshtaten në mënyra të ndryshme.