Sport

Përplasjet në karate vazhdojnë, të premten raportohet para ministrit

Avni Gashi dhe Nazmi Gashi janë përballur në distancë gjatë ditëve të fundit rreth zhvillimeve në Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK).

Avni Gashi dhe Nazmi Gashi të premten në mëngjes do të dalin përballë njëri-tjetrit. Këtë do ta bëjnë për të raportuar para ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Me ministrin do të flasin rreth zhvillimeve në Federatë.

Ministri Çeku i ka ftuar në orën 10:00 në takim Avni Gashin, që përfaqëson grupin që pretendon se ai vazhdon të jetë kryetar i FKK-së dhe Nazmi Gashin, që pretendon se FKK-ja ka kryetar të ri, i zgjedhur të martën në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor ishte thirrur nga sekretari i përgjithshëm i FKK-së, Nazmi Gashi, tashmë i shkarkuar sipas grupit të Avni Gashit.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor ishte monitoruar nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

MKRS-ja i ka thënë KOHËS se përfaqësuesit e saj janë duke përpiluar një raport rreth zhvillimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të FKK-së.

KOHA ka mësuar se ka pasur shkelje serioze të procedurave për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas burimeve, Besart Baruti është zgjedhur kryetar pa bazë deleguese. Kjo pasi ai është propozuar nga klubi Mitrovica, që nuk ka marrë licencë nga MKRS-ja. Një qëndrim të tillë e kanë shprehur gjatë punimeve të kuvendit edhe përfaqësuesit e MKRS-së.

Aktualisht komuniteti i karatesë është i ndarë në dy grupe. Njërin e përfaqëson Avni Gashi e tjetrin Baruti e Nazmi Gashi. Të dy grupet mohojnë legjitimitetin e grupit rival.

Por, FKK-ja rrezikon të humbë licencën nga MKRS-ja për shkak të shkeljeve para dhe gjatë procesit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor.

“Përfaqësuesit e Departamentit të Sportit nga MKRS kanë qenë në monitorim të Kuvendit të FKK-së. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së raportit final për zhvillimet në këtë kuvend. FKK është licencuar në MKRS, prandaj po analizohen statuti dhe rregulloret që janë deponuar në MKRS, në komisionin për licencim, ku FKK ka marrë licencë. Pritet gjithashtu të zhvillohet një takim mes MKRS-së dhe FKK-së”, shkruan në përgjigjen e ministrisë.

Ftesën e ministrit e kanë konfirmuar si Avni Gashi ashtu edhe Nazmi Gashi.

“Jemi ftuar nga ministri për në orën 10:00, unë dhe ish-kryetari i FKK-së, Avni Gashi. Tema do të jetë Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i mbajtur të martën”, ka thënë Nazmi Gashi për KOHËN.

“Jam ftuar, por nuk e di se çfarë përmbajtje do të ketë. Sigurisht ka të bëjë me Kuvendin e jashtëligjshëm”, ka thënë Avni Gashi.

Ndarja në komunitetin e karatesë sa shkon e thellohet. Ka dyshime për përfshirje të palëve të treta.

Sporti kosovar është mësuar me situata si kjo në karate. Ka përplasje të brendshme edhe në triatlon e në not. Thuajse vazhdimisht ka pasur edhe në taekwondo dhe në federata tjera. Kjo, ndër të tjera, dëshmon se postet udhëheqëse në sport janë shumë të lakmuara. Ka shumë favore e fare pak përgjegjësi. Ka edhe pazare për pozita tjera të larta.